….Ike ike more dhenë
Kush t’ia bëjë nënës kafenë
Le t’ia bëjë kush të dojë
Kush i tha të më martojë…
Sa herë përcjell time bijë belbëzoj nënzë këto vargje
Në fillim mendoja se u është kënduar vajzave që i martonin pa dëshirën e tyre,
Pastaj kuptova se u këndohej të gjithave
Po gjithsesi më ngjeth kjo këngë
Ma kanë kënduar dhe mua në çastet e përcjelljes
Mbaj mend se m’dridhej mjekrra e kapërdija lotët ngecur mesbuzësh
Tani vajzat pothuajse nuk lotojnë më kur martohen
Kujdesen të mos u prishet truku që e kanë paguar jo pak
Po nënat jam e sigurt që bëhen sa një dorë kur përcjellin bijat
Dhe të mendosh që dikur i përcillnin nga njëri fshat në tjetrin, ose në qytetin kufi
Rrallë ndodhte disa qytete më larg
Ndërsa sot
Martesat kapërcejnë shtete e dete
Kapërcejnë oqeane
Madje dhe kontinente
Ndërsa belbëzoj vargjet e këngës së vjetër
Pa kuptuar jam bërë njësh me dritaret gjigande të aeroportit
Me avuj fryme…
Shkruaj tekstin e një malli të ri që starton në pistën e avionëve
Kafja paska shije të kripur…