QIELLIT RETË SHKOJNË MENDUAR…
Qiellit retë shkojnë menduar,
shtyrë prej ere dal-ngadalë,
dita gishtat shtrigj penduar,
bust-përhumbur…asnjë fjalë…
Ngec vështrimin tutje-t’hu,
turbulluar…njësh me retë,
shtigjet zbrazur…aty-këtu,
dëshmitarë një fllad i lehtë…
Krisma malli shkojn e vijnë,
hovin ndalin nëpër shpate,
preh jehonës guvash bijnë,
rob humnerash së një nate…
Qiellit retë shkojnë menduar,
avuj dhimbjeje mar me vete,
dita gishtat shtrigj penduar,
mbytur rrezet…muzgje Jete…
“”””””””””””””””””””””
GURRË E VOGËL QAJ E QAJ…
Gurrë e vogël qaj e qaj,
Curril lotësh,nuk ke faj.
Nuk ke faj,o gurracake,
Qaj e qaj,kurr s’u plake…
Kurr s’u plake kalvaruar,
Pik-pik-pik…pa pushuar,
Pa pushuar…ditë e natë,
Që nga maja udh e gjatë…
Udh e gjatë nëpër gurë,
Bishtaleca zgjat plot nur,
Zgjat plot nur e plot naze,
Fill nga guve ngre kafaze…
Gurrë e vogël qaj e qaj,
Mbytur pellgu ti pastaj,
Ti pastaj me valët luan,
Me stërkala degë gjuan…
“””””””””””””””””””””””
RËN MBI LULE TI MOJ FLUTUR…
Rën mbi lule ti moj flutur,
fllad i Majit ç’të tundon,
thith nektarë pa u ngutur,
flatrat hapur…lundërzon…
Lundërzon…nëpër fletë,
lakmitare ngjyrë-verdha,
pushë-artëza qetë-qetë,
çast gëzimi tek ty derdha…
Tek ty derdhur varg i parë,
nisur udhën…ashtu kot,
njësh me ngyrat i pandarë,
valle gonxhesh hedhim sot…
Rën mbi lule ti moj flutur,
belë-hollëza plot finesë,
thith nektarë pa u ngutur,
lum petalesh dërgon ftesë…