13.9 C
Tiranë
E enjte, 15 Maj 2025

Luigj Shyti

 

U KËPUT NJË MRIZ E RA

NDOC GRIMAJ SHKOJ NË AMSHIM

Imazhi mund të përmbajë: 1 person, kostum dhe jashtë

U largue për në amshim edhe Ndoc Grimaj. Familja, të afërmit, shoqëria, Lotajt, Dukagjini, Shkodra por edhe më gjerë po ndahen nga ky burrë shembull për pamje , për shkollë, për mend, dashurues i traditave më të mira krahinore e shqiptare, por dhe dashurues i bashkëkohorës. Kosa e vdekjes na e mori Ndocin. U këput e ra edhe një mriz në Lotaj e Dukagjin.

Ndoc Grimaj u lind në fshatin Lotaj të Shalës. Ishte djali i dytë i Grim Bicelit dhe Lulë Sadikes, bijë e Nicajve tё Shalёs. Djali i parë dhe fëmija i madh i këtij çifti ёshtё Prelё Grimaj, maturanti i parё dukagjinas pas çlirimit, i pari universitar dhe pedagog dukagjinas nё Institutin Pedagogjit tё Shkodrёs, sot Universiteti i Shkodrёs “Luigj Gurakuqi”, “Qytetar Nderi” i Shalёs dhe i Rrethinave, si edukator i brezit tё ri, e sidomos si drejtues i aksionit kombёtar pёr zhdukjen e analfabetizmit nё Dukagjin. Prelë Grimaj u nda nga jeta para dy vitesh.

Ndoc Grimaj ishte i përkushtuar maksimalisht në dashurinë për vendlindjen e tij. Ja si shkruan në disa shënime për Lotajt dhe banorët e tij. “Dashuria dhe respekti i pakufishёm pёr vendlindjen time, Lotajt e Shalёs, burojnё jo vetёm nga bukuria e atij vendit, me atё reliev disi tё ashpёr, por shumë të bukur, i cili fillon nga Kodra e Shkafit e Porta e Shalёs deri nё Kodёrshёngjergj, e nga Lumi i Shalёs e deri nё bjeshkё ku zotron Suka e Kunorёs, por kryesisht pёr bukurinё fizike e shpirtёrore tё banorёve tё tij, pёr ata burra të urtë e trima sa herë e kerkonte nevoja e fshatit, zonës e krahinës, të cilët vetё Shala i quajti “Djemtё e Lotajve”, pёr ato gra fisnike qё lindёn dhe rritёn kёta djem, pёr bijat tona, tё cilat, atje ku shkuan, çuan nderё e burrni, e lindёn dhe rritёn djem, nipat tonё, shembullorë të mirë nё tёrё Dukagjinin. Natyrisht, ne Lotajt, jemi krenarё dhe mirёnjohёs pёr Shalёn e Dukagjinin qё na kanё vlerёsuar e respektuar”.

Pas 16 vjetëvë martesë, vdes Grim Biceli, la bashkëshorten në kushte shumë të vështira me tre jetima, sepse patën edhe një vajzë e cila ka vdekur pak kohë pas babës vet, në gjendje shumë të rënduar ekonomike.

I mbeti Lulë Sadikes të jenë edhe zot edhe zojë shtëpie. Shteti i asaj kohe, pёr tё ndihmuar kёtё familje, djalin e madh Prelёn, e dergoi me bursё nё Shkollёn Pedagogjike nё Elbasan, tё cilёn e mbaroj me rezultate tё shkёlqyera nё vitin 1954. U regjistrua, kështu, edhe maturanti i parё dukagjinas. Gjatё kёsaj periudhe, Lula me djalin e vogёl, Ndocin, kaloi njё jetё shumё tё vёshtirё, me halle e me mjerim tё madh. Nё kёto kushte jetese ajo provoi forcёn dhe karakterin e saj, por provoi edhe pёrkrahjen e ndihmёn e madhe tё fshatit qё për të mbeti e paharruar deri në vdekje. Prela sa mbaroi shkollёn u emërua mёsues dhe pak më vonë drejtor nё shkollёn 7 vjeçare në Breglumi Shalë, pasi për ti ardhur në ndihmë familjes, refuzoi bursёn për studime të larta nё Moskё. Këtu filloj të ndryshoi gjithçka nё jetёn e familjes Grimaj. Ndoci fillon shkollën e mesme pedagogjike në Tiranë nё vitin 1955, çka shёnon edhe largimin e tyre pёrfundimtar nga Lotajt. Pesё vjet nё Breglumi, dy nё Theth dhe prej vitit 1963 u transfiruan nё qytetin Shkodёr. “Nёna jonë, shkruan Ndoci, na futi nё gjak dashurinё e thellё pёr fshatin, pёr njerёzit e mirё tё tij, për burrat e gratё, tё cilat për shtat vjet i dhanë ndihmë e përkrahje të jashtёzakonshme familjes tonё. Kёtё dashuri e respekt ajo e tregoi deri nё fund tё jetёs sё saj. Ishte kjo arsyeja qё ajo e kishte ёndёrr pёr tё qenё edhe e vdekur atje, nё mes tё atyre njerёzve tё mrekullueshёm. Kёtё dёshirё tё saj ne ia plotёsuam, kur bёmё rivarrimin e saj nё varrezat e fshatit Lotaj, nё Kodёr tё Shkafit”.

Ju mungoi zeri dhe mësimet e babës, Ndoc, sepse ai vdiq në moshë të re dhe ju u la të vegjël, por patët mësimet e nënës tuaj sojnike ku u lind dhe ku u martua, nuk të munguan as këshillat e të afërmëve dhe dashamirëve. Por shpejt u bë i aftë për të dhënë këshilla e mësime Prela që ishte shembull në të gjitha drejtimet për ty e çdo kënë që mund të kishte nevojë.

O Ndoc i dashtun! Krijimi i familjeve tuaja rriti vlerat dhe mundësinë për më mirë. Prela me Shkurten, dhe ti me Shaqen, bashkëmoshataren dhe shoqen time të shkollës 7 vjeçare, sepse u lidhet me familje të dalluara e të veçuara për mirë në gjithë krahinën. Fëmijet e të dy palëve janë nga më të mirët dhe fliten vetëm fjalë të mira kudo që kanë punuar dhe kudo ku punojnë dhe jetojnë.

Ju ishit dhe mbetët shembull i shkëlqyer në marrëdhëniet familjare e shoqërore, në shkollim dhe punë, për dashurinë për vendlindjen, zonën, krahinën dhe Shqipërinë. Kudo që punuat e jetuat e mbydhët me nder.

Ndoc i mirë, sot po largohesh nga kjo jetë, e po len prapa bashkëshorten, djemtë, mbesa e nipa të veçuar për mirë. Sot po ndahesh nga shoku i jetës, Shaqja, të cilën gjatë gjithë jetës tuaj bashkëshortore e ke pasur krah të djathtë kudo e kurdo. Ajo është përpjekur vetëm për të mirën, nderin dhe virtytet tua dhe familjes tënde, gjë të cilën e ka arritur plotësisht.

O Ndoc Grimaj, u ndave nga kjo jetë në kohë shumë të vështirë, kur e kanë të vështirë, ndoshta edhe të pamundur për të parë familjarë e dashamirët për herë të fundit, për të hedhur një grusht dhé, por i qetë se ti i plotësove të gjitha detyrat tua personale, familjare dhe shoqërore.

Ne deshëm që jeta jote të ishte më e gjatë, sepse kishim dhe kemi nevojë për ty e njerëz si ti, për burra si ti, për edukator si ti, për mësimet dhe mençurinë tuaj të pakursyer, por vdekja e pamëshirshme të rrëmbeu, të rrëmbeu kjo sëmundje e pabesë e cila do të kujtohet historikisht shumë gjatë, duke lënë një shteg, një rogë të madhe hapur, por ke lënë dy djem sokola që do të dinë të mbajnë me nderë emrin tënd, të plotësojnë si do të doje ti vendin tënd, në familje, në rrethin shoqëror, në punë e veprimtari të ndryshme, në takime e biseda, në tavolinë e kudo ku duhet të jenë .

Ti ishe një ndjekës dhe dashamirë i Shoqatës Atdhetare “Dukagjini” në veprimtaritë e saj dhe bashkëpuntor i gazetës “Dukagjini”. Shoqata humbi një dashamirë e bashkëpuntor të pakursyer.

Ti ike nga kjo botë në këto ditë festash, u largove për në amshim pak orë pa trokitur Viti i Ri, e edhe për këtë do të kujtohesh shumë gjatë, nuk arrite të tokësh gotat e ti përshëndetje familjarët e tu që aq shumë janë të mërzitur për ty, edhe nga ky largim do të kujtohesh me dhëmshuri dhe dashuri e respekt.

Ti ike për në botën tjetër me fytyrën e pastër e kokën lart. Nuk e njodhose asnjëherë detyrën e mësuesit që fillove punë për herë të parë, e as uniformën e ushtarakut të forcave të rendit deri në rangje madhore deri sa dole në pension. Për ty janë krenar e ballëlartë familja jote e shkëlqyer, bashkëshortja Shaqe, djemtë Iliri e Armiri, nipat e mbesat, janë të afërmit, shokët e shoqet e shumtë të familjes tuaj, janë Shala e Dukagjini, janë të gjitha ata që të njohën e punuan me ty. Jam unë dhe bashkëmoshatarët e mi që të patëm mësues dhe drejtor shkolle në fillim të viteve ’60 në Theth, e nga ajo kohë asnjëherë nuk u ndamë, pavarësisht arsyeve të punës, por ishim shumë afër me mendje dhe zemër.

Lamtumirë Ndoci ynë i mirë. Pushofsh në paqe. I bekuar qoftë dheu që do të të mbajë.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.