QENI DHE UJKU.

– Fabul –
Një qen bardhosh i uritur
Kishte dalë duke shetitur
Ushqim donte për të gjetur
Po kërkonte ndonjë lepur
Tek po ecte lartë në mal
I frikësuar u ndal…
5 – 6 hapa përballë ti
Po vinte një ujk i zi..!
Priste ujkun të avitej
Dhe me të, të kacafytej
Por me fat kishte qënë sot
Ujku kishte barkun plot
Nuk kishte aspak uri
Veç kërkonte shoqëri.
Tungjatjeta o kushëri
I thotë qenit ujku i zi
Me njerëzit si po kalon ?
Që me ta përherë jeton..!
Qeshi qeni ha ha ha…
Për njeriun bëj gjithçka
Ditën ruaj bagëtinë
Natën u ruaj shtëpinë
Por shumë pak më vlerësojnë
Çdo të mirë e harrojnë
Njëri – tjetrin kur ofendojnë
Ik mor qen birë qeni i thonë..!
O kushëri – as më thua
Çfarë thonë njerëzit për mua ?
Ti – që ju sulmon bagëtinë
Je hero për njerinë..!
Kur ndonjërin e vlerësojnë
Është si ujk i fortë thonë..!
Eh kushëri… sa keq më vjen
Ç’deshe që u bëre qen..!
Ujk si unë sikur të ishe
Ofendime s’do të kishe
Se njerëzit e kanë zakon
Gjithmonë atë që i sulmon
Që s’ju len gjë pa u bërë
Trim i fortë i thonë të tërë..!
Me që je i racës tonë
Mendohu sa nuk është vonë
Që të keshë autoritet
Kthehu në identitet.
— — — — — — — — —
Lulash Ara