Vlorë, Vlorë, ç’e ke kët’ nur,
Larë në detin si pikturë,
Kuqëlon, shkëlqen e tëra,
Ashtu siç ta do dhe sëra.
Veshur, ngjeshur kaq e bukur,
Ti përherë kështu je dukur,
Por, sot është ditë e veçantë,
Pavarësinë gëzon ky vend!
Ditë feste, gjëmon sheshi,
Këngë e valle arbëreshi….
Me çifteli… e iso labe,
Një fis jemi, një derë babe!
Nga gjithë trevat me shqiptarë,
Sot janë mbledhur të pandarë
Përqafohen, rroken me radhë,
Vëllezër e motra me shumë mall.
Dhe në mëngjes që pa gdhirë,
Presim djemtë, s’janë mysafirë,
Janë bijtë e shqipes s’malit,
Shamikuq’ lidhur mes ballit.
Janë trimat e Is’ Boletinit,
Trashëgimtarë t’luftëtar trimit,
Që përshkuan ditë e natë,
Kilometra rrugë të gjatë.
Në kët’ festë vëllezërit tanë,
Udhën marrin për n’vatanë,
Kalërojnë me kuaj shtruar,
Traditë e histori bashkuar.
Nga Kosova po vijnë vallë?!
Shkëmbinj, pllaja, e nëpër valë?!
Veshur xhamadan’ e guna,
Nga pas i përndjek furtuna.
Trokëllijnë kuajt mbi gur’ e zall,
Dikush thotë që janë mbi mal:
-Atje tutje, heu, jaaaa po vijnë…
-Lidhur në kokë shaminë.
Shamikuqtë e lirisë,
Në qytet të Pavarësisë.
Stolisur kuajt kuq e zi,
Kuaj të bardhë me yzengji,
Buçet kënga shtruar-shtruar,
Labe vënçe e përpunuar.
Më shum’ se kurrë të bashkuar,
Në kët’ ditë të paharruar,
Kapur fort dorëpërdorë,
Jo si krushq e dasmorë,
Por vëllezër të një lisi,
E fisnikë të një fisi.
Gjëmon sheshi rëndë-rëndë,
Dridhet toka nën këmbë,
Sup më sup kapur nga krahët,
Arbëresh, çam, toskë e gegët,
Kërcejnë vallen e shqipes,
Shqipes malit, nënës, trimes.
Gjëmon toka e dridhen male,
Nga burrat çuar në valle,
Mbi faqe, një pikëz lot,
Tring! Gëzuar gotën plot!
Le ta marrë vesh bota mbarë,
Lirinë gëzon sot çdo shqiptar,
Vijnë stërnipat e Skënderbeut,
Trashëgimtarët e Atdheut,
Në grykë më bëhet një komb,
Zemra më ‘shpërthen’ si bomb’.
Qaj e qesh nga gëzimi,
Në gjunjë si Isa ulet trimi,
Trashëgimtar i bacës Is’,
Ulet në gjunjë, përkul kurriz,
Si luftëtar fisnik i rrallë,
Puth flamur’ e mbështet ballë.
Fillon banda e qytetit,
Çon në këmbë gjithë miletin,
Në shtizë ngrihet lehtë flamuri,
Mbushur sheshe e rrugë guri,
Nuk ka vend për kokërr gruri.
Këndojm’ Himnin të bashkuar,
Kapur fort duarshtrënguar.
Ardh’ nga bota mal’ e dete,
Diplomatë, personalitete…,
Na nderojnë për lirinë,
E njëqind-vjetor Pavarësinë!
Gjëmon sheshi këngë e valle,
Kërcejnë nuset si sorkadhe,
Me xhubleta t’bukura estetike..,
Zbukuruar kokën, bukuri magjike:
Disa bukle-bukle, disa rica-rica..,
Të tjerat me gërsheta, kapur me karfica,
Brezi zbukuruar rruaza e ngjyra,
Stolisur, qëndisur, si ar i’u qesh fytyra,
Kostumet e tyre ndrijnë nga bukuria,
Stoli e ornamente si mister historia.
Veshur ngjeshur si qëmoti,
Si njëqind vjet para kur ish i zoti,
Plaku i urtë, Bej Qemali,
Burrë i mençur, shqipe mali,
Burrë shteti, burrë zakoni,
Këmbë argjendi ndriti vatani’,
Ngriti flamur, shpalli mëvetësinë,
Me gjak shkruan historinë!
Në gjithë globin nëpër botë,
Evente, manifestime ka sot,
Shpalosur flamujt gjith’ globin mbarë,
Në çdo shtet ku jetojn’ shqiptarë.
Flamuri mbi krye, kurorë ari,
I rri Shqipërisë etnike me ngjyrë zjarri,
Se me zjarr në shekuj s’u shua kurr’,
Deri sa erdhi dita që ngritëm flamur,
Flamurë…flamurë…Vlora, flamurë…,
Si kopsht i lulëzuar me bozhur,
Një dashuri që s’shuhet kurrë,
Për liri e për flamur!
Vazhdojnë vallet me ritëm ngritur,
Fustanella burrat e jelek qëndisur,
Tirqe e poture.. ca të tjerë stisur,
Zbukuruar me ar, argjenduar..,
Brezin në mes të praruar,
Xhamadanë.. e xhurdi veshur,
Mbathur opinga – lëkurë ngjeshur.
Vijnë, si jehonë bjeshke antike,
Trashëgimi kulturore,.. folklorike,
Gjuha jonë, fjala shqipe,
Jemi një, në trojet etnike,
Identitet, origjin’ e kësaj shqipe,
Me vlera të mëdha historike.
Në Nëntor njëzetetetë,
U ngrit flamuri lart mbi retë,
Gur themeli i shqiptarëve,
U vendos fati, amaneti i të parëve,
Shekuj përgjakur shkruan historinë,
Vendosën shtet, sollën Lirinë!!!
———————————-
Lulezime Malaj
Vlorë, 28 Nëntor, 2012
Botuar, në vëllimin tim me poezi: “Në Ballkonin e Një Reje”