13.5 C
Tiranë
E shtunë, 26 Prill 2025

Lulëzime Malaj

Bija ime…
Rri e mendoj:
Më ike shpejt nga gjiri im, bija ime,
Aty, në tokë të huaj i kalon pranverat!
Më mungon buzëqeshja jote me ato shikime,
E përkëdheljet:-mamo, mos u mërzit, do t’vi përhara!
Më mungon përqafimi yt i ëmbël, i ngrohtë,
Netëve, ku ti në supin tim mbështesje kokën,
A e di, se në krevatin tënd dremis edhe sot?!
Aty në aromëzën tënde, kam gjithë botën!
Mbi komodinë,
Le filxhanin e çajit kur ike këtë herë,
Aty e kam lënë edhe une, si atë ditë!
Buzëkuqi në të, më ngjan se shpeshherë,
Më pëshpërit: – do t’vi shpejt mamo, më prit!
Gjithandej në valixhe, dollape; fustane, triko…palosur,
Dhe një çantë e bardhë, lënë në dhomë mbi komo,
Në lëkurën e saj, butësia e duarve të tua ka mbetur,
Në telefon t’përgjërohem:-shpirti im eja, mos u vono!
“””””””””””””””””””””””””””””

Çmimi i dytë në Konkursin Kombëtar Letrar-Artistik-Publicistik:
“KORRIDORI ADRIATIK-ALPE” (Rruga Bregdrinase
Gjakovë-Tropojë-Fierzë-Shkodër-Shëngjin-Ulqin-Podgoricë),
ku morën pjesë 95 poetë, gazetarë, studiues, fotoreporterë,
piktorë etj, në kuadrin “Takimi i Shkodrës, 2021”.
Falenderoj jurinë si dhe bordin drejtues Gazeta e Alpeve- gazetë Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike, dhe shume
mirënjohje për vlerësimin!
Uroj që nisma për Korridorin Adriatik-Alpe, të bëhet sa më
shpejt realitet, e cila bën të mundur konfigurimin e unazës
së Alpeve, rrugë e një rendësie kaq të madhe për vendin e
rajonin e Ballkanit…
Një falenderim të veçantë kam edhe për ju miqt e mi, për
mbështetjen tuaj të vazhdueshme e vlerësuese, duke ju
uruar veç mirësi për ju dhe familjarisht në këtë Vit të Ri 2022!
Gëzuar!
Për kënaqësinë tuaj po e postoj poemën si më poshtë.
Lexim të këndshëm!
Përqafime
Lulëzime Malaj
“Korridori Adriatik-Alpe”
Poemë
Heu, le të bien dajre, le të bien lodra,
Fest’ të madhe sot, ka Prizreni…Shkodra,
Ëndrr’ e bardhë rend me kuajt e erës,
Parfumuar bjeshkëve me lulet e pranverës,
Le të ndizet vallja, të bjerë çiftelia,
Gëzon ditën e madhe Kosova-Shqipëria,
E na merr me vete në rrugën arbënore,
Trevave mahnitëse kapur dorë për dore.
Alpet zgjatin krahët udhës bregut Drinit,
Përqafojnë me mall Portin e Shëngjinit,
Drejt Dejës, Sardës, Luginës së Komanit,
Ku, Valbon’ e Drin’, puthen n’pikën e takimit!
Shqiponjë krenare ç’e ke këtë nur,
Larë në Valbonën, si pikturë,
Kuqëlon e shkëlqen e tëra,
Ashtu siç ta do dhe sëra!
“Arteriet” mbi pesë mijë kilometra katrorë,
Lidh maja shkrepash e udhë me borë…
Kapur fortë dorë për dorë,
Jo si krushq e dasmorë,
Po vëllezër të një lisi,
E fisnikë të një fisi,
Gurë themeli i shqiptarëve,
Nndrit amaneti i të parëve!
Dritareve t’udhëve takojmë; bujarinë,
Besën, mikpritjen në krejt Malësinë,
Dëshmi qytetërimi e folklorike…
Që vijnë si jehonë bjeshke antike;
Plis, xhamadan e xhurdi veshur,
Mbathur opinga,lekurë ngjeshur,
Brezin në mes të praruar,
Zbukuruar me ar, argjenduar…
Mitet e trojeve të Mujit dhe Halilit…
Ku mallshëm ja merr kangës bylbili,
Ku shëndrit shtigjeve Lugina e Drinit,
E historia legjendare e Lekë Dukagjinit!
“Korridori Adriatik-Alpe” parakalon,
Burime minerale, hidroenergjitike nderon!
Perëndia e ka bekuar kët’ tokë të lashtë,
Male të lulëzuar kaq bukur nga jashtë,
Po kaq bukur, kjo tokë amë në brendësi,
Si jashtë dhe brenda veshur me flori,
Zogjtë përziejnë pyjeve, ligjërimet e kangës,
Nën joshjes drithëruese të hënës…
Jemi një komb me këmbë në dy shtete,
Por, si dy vëllezër’ siamezë, ADN-ja n’arterie’,
Kemi një gjak, një gjuhë, një histori-bozhur,
Një komb me shqipe në flamur!
Panoramë e Luginës Drinit hedh valle,
Ndër lugje, mite, zanash e shtojzovalle,
Që, gjithkaherë krejt do t’na mahnisë,
Me tablot impresionuese pa kornizë.
Rend n’destinacion t’epiqëndrës së një ëndrre,
E buçet nën vellon e argjendtë të një kange,
Alfabet lëvizjesh të njerëzve, mallrave, turizmit,
Përgjatë bregut drithërues të ujrave të Drinit,
Trajektore që përshkon shtigje kombëtare,
E pentagramit të udhëve ndërkombëtare.
Dua t’i mbledh krejt yj’t e t’i shtroj udhës prore,
Dhe hëna zemëruar, le të ma tund dorën!
“Lajmëtar i së ardhmes”-shqiponjë arbnore
Që përshkon krejt Kosovën hapsinore,
Krejt Thethin, Sylbicën, Currajt e Epërm,
Malësinë e Madhe, bjeshkët e Deçanit,
Krejt Plavën, Gucinë e lumin e Valbonës,
Tejpërtej Junkun, e grykën e Rugovës,
Që i rri supeve të kohës simbol epokal,
Argjenduar e qëndisur me vesë palë-palë.
Udhëtoj në kohë dhe hapësirë si Odiseu,
Si shpirt-fluid, flatroj drejt mëmëdheut,
Lëshoj shpirtin si shqiponjë, o Itaka ime,
T’rrok dashurinë e parrëfyer, o nënlokja trime!
Binomi; Shqipëri-Kosovë i pandrue,
Dhe mali Jezercës përkul kryt me nderue,
Shungullon ëndrra e moçme, e të parëve,
Të vdekurit zgjohen e gëzohen në varre,
Ringjallet agimi faltores shpirtit përndritur,
Sup më sup si Alpet, autoudhën kemi pritur.
A ka rrugë më t’shkurtër ku fusha takon malin?!
Ku bjeshka me detin përqafojnë mallin?!
Ku mijëra banorë lidhin hapësirat urbane,
Madje drejt Europës… “Korridori Adriatik-Alpe”
Që sfilon në një tapet të “gjelbër natyror”
Ku kreshtat prekin hënën me dorë!
“Korridori Adriatik-Alpe” një performancë tjetër;
Qytetari, civilizim kjo ëndërr e vjetër,
Ku dritaret i ka hap’ në kët’ unik ballkon,
Pashë më pashë drejt së ardhmes me vizion.
Këmbët lag në det e lumenj, dritë e flori,
Me rrënjë në mite, në legjenda e histori.
Fluturo shpirti im Shkodrës e Ulqinit
Përmbi Shëngjin e Luginës së Drinit,
Fierzë, Tropojë e Gjakovë, tejpërtej.
Përmbi Prishtinë, Prizren…e Pejë,
Kangën në buzë ndize zjarr e bozhur’
Ndize flakadan të mos shuhet kurrë!
Fluturo shpirti im, fluid, malleve zhuritur,
Erdh’ dita të rrokemi atdhe i ndritur,
N’vena e vertebra, dashurinë e epërm,
Me gjakun e tij, t’mbaj gjallë krejt jetën.
Si fëmi toka amë për dore më merr,
Hap portat e ndez shandanët nëpër terr!
Ndaj, ndize kangën, ndize, ndize përmbi buzë,
Ndiz pishtarët flakërim e ktheji muzë!
Në tokën e të parëve, Boletinit, Skënderbeut…
Lavdia ndriçon mbi ballin e Atdheut!
Ngarend o ëndërr-simbol i shenjtë,
Ujrave të kaltra dritës së argjendtë…!
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.