MATE PUNËN E UJIT SE…
Bajram Selimi i Uçës shkon tek miqtë në Kërninicë. Për darkë miqtë po bien reçel.
Duke e trazuar reçelin (duke i qitur ujë), i zoti i shtëpisë i qetë ujë pak si shumë. Edhe duke i qitur ujë, po e pyet Bajramin:
– A t’qes ma?
Bajrami po e sheh që nuk është kah i ndalet dore e që nuk është më hajri i reçelit, se u mbush me ujë, po i thotë:
– Valla bre mik, mate punën e ujit – a ki a s’ki, se reçeli, me nerë me thanë u ba m….

ANEKDOTA
DIKUSH HIQ E VUAJ, DIKUSH PUTH E DUAJ
Njëri prej Tushilës ishte i varfër e i vetëm.
Fejohet me shumë mundime i shkreti, se të varfëritë, si gjithkund, bartin peshën e rënd të jetës.
Gëzohet shumë për fejesën dhe nis ta çezojë nusen. Merr para hua dhe blen pambuk e qo te nusja. Ço mëndafsh, lesh… e gjithfarë harxhesh që i duheshin për çejzin e nusërisë.
“Ore, – i thoshin, – je pak i hollë prej takatit, ndale dorën se këto para që po i merr hua, një ditë duhet kthyer!”
– Veç le të çejzohet mirë nusja se unë punoj. Punoj e fitoj dhe, një ditë, edhe borxhet i kthej.
Zgjati kjo punë, po, nja dy vjet e tepër.
Erdhi koha. Nusja kishte bërë çejzin gati. Ishte caktuar edhe ditën e dasmës, u nda vadja.
Pikërisht kur u nda edhe vadja, çohet një Smakiç i Arbrisë e t’i grabitë nusen me krejt çejzin e gatshëm.
Ky i shkreti ra për tokë: ta vriste Smakiçin, nuk ishte punë që bëhej, të zinte nuse tjetër – ruajna zot, se ishte i mbytur në borxhe deri në fyt.
Mbeti edhe pa nuse, edhe duhej punuar ditë e natë për t’i kthyer borxhet.
Nuk shkoi gjatë e i doli kënga:
Dikush hiq e vuj,
Dikush puth e duj!