Vallëzim në shi
Trokita në portën e vjeshtës plot ngjyra
mbushur me nuanca dritash margaritarë.
Reve puplore mes shiut u shkëlqeu fytyra
qielli flakëroi syrin kur t’u afrova pranë!
E bukur ishte ajo mbrëmje me shi të dendur
në krah të erës trokiste në xham papushim
U zgjuan mes zjarrit ëndrrat tona të fjetura
kur më pëshpërisje ëmbël ”Të dua shpirti im!”
Shiu i ngrohtë binte në sy e flokët e gjatë
flladi me lagështirë ledhatohej mbi buzë
Vallëzuam të magjepsur, të lagur atë natë
dy kapitenë ndjenjash në detin e prushtë!
09. 10. 2020