Nuk jam një gjethe që mund ta rrëzojë vjeshta
as lule që mund ta këputësh e ta lësh të vyshket.
Jam si lisi i fuqishëm me rrënjë shumë të thella
flori me vlerë jam, me shkëlqim që nuk ndryshket!
E dua diellin por dhe një rreze e artë më mjafton
gëzoj për një pikë shiu që vjen në petalen e etur.
Oh sa pikëllim ndjen zemra kur trishtimi sundon
sytë e përlotur në ditën e zymtë e natën e pafjetur!
Jam një femër si miliona të tjera në botë
ku secila ka madhështinë e bukurinë e saj.
E vlerësoj burimin…si dhe një pikë uji në gotë
gëzohem me lumturinë e me dhimbjen qaj!
Si një dragua luftoj me indiferencën e kohës
e nuk më mposhtin dallgët, tufanet e stuhitë.
Jam mbretëreshë e vetes a një thesar i botës
si të doni thirrmëni… por nuk i pranoj padrejtësitë!
“””””””””””””””””

Përkrah teje ndihem si princeshë e përkëdhelur
që vrapon pas luleve e prek këngën e zogjve
Ani pse bota përreth mund të jetë kaq e egër
me ty jam si drita e hënës, si mjalti në hoje.
Nuk më shqetêsojnë dimrat që sillen rreth meje
as gjethet e zverdhura në vjeshtën e vonë.
Me ty jam si dielli që rrezon mes reve
jam prijësja besnike e fjalës dhe vargut të ngrohtë.
“””””””””””””””””””
Ti je rrezja e parë që zbret në agim
flladi ledhatar mbi vesë që në lule pikëlon.
Je hëna që i jep errësirës së natës ndriçim
shi i butê vere që tokën e zhuritur freskon.
Je sythi që i sjell pranverës filizin e parë
këngë që zogjtë e këndojnë zabeleve me hare.
Je pjalmi ëmbëlsues ku bleta merr nektar
ylberi pas një stuhie, kaltërsia nē qiellin pa re.