Për ku vallë jemi nisur?
Sa shtigje kemi shkelur?
Sa të tjerë na kanë mbetur?
Sa herë jemi ngjitur të lodhur,edhe zbathur
vetëm për të ndier butësinë e tokës,
ftohtësinë e gurëve?
Sa herë na kanë dalë pengesa
e nuk e kemi humbur shpresën,
kemi bërë të realizohen disa nga ëndrrat tona
e shumë të tjera të presin radhën.
Përse vallë,përse?
Është prekëse muzika e jetës,
kur na kujton fitoret e humbjet,
kur mungesat na përqafojnë në heshtje
e lënë mbi ne trishtimin e endur rrudhave
në zgjimet e reja të stinëve që nuk plaken,
në ditët nostalgjike të vrapimit të lotëve,
në shiun e orëve të pasionit melankolik,
ku zemra rreh deri në fund të kohës së pakuptimtë të të panjohurës,
ku kufizohemi nga limitet e të mundshmes
në ekspeditën komplekse të eksplorimit të jetës.