Ka netë që hëna fle mbi barin e korrur,
kurse retë lëvizin qiellit kuturu.
Edhe mendimet rendin pas xixëllonjave
e ato pas petaleve të luleve shpërndarë në erë,
verbuar nga drita e bardhë nuk mund të flesh.
Shtegton gjumi udhëve të zbrazëta natore
shoqëruar nga kënga e bulkthave,
deri në zbardhjen e ditës së re,
ku zogjtë kërcejnë degëve të kumbullave
e në zemër ndizet dielli që e than trishtimin e të bën me krahë të flatrosh mbi dhimbjen.
Ringjallet ndjesia e gjallimit prej ngrohtësisë së dashurisë
e rrjedh me gurgullimën e ujërave,
harlisjen e barit,fëshfërimën e pyllit të largët.
Fjalët e paqta hapërojnë përjetësisë së kohës.
“””””””””””””””””””””
Erdhi koha
Për fshirjen e virtuales,
Varësia në fijet e shpirtrave,
Heqja e kufijve të psikikës,
Dalje nga mpirja e delirit teknologjik.
Në betejën e zemërimit qajnë iluzionet.
Duke pritur nënshkrimin e paqes me veten.
Marjeta Shatro