KUJTESË:
PULTI ARKEOLOGJIK
Dioqeza e Pultit përfshinte territorin nga mali i Bëshkasit ne verlindje të qytetit të Shkodrës deri në lumin Valbona në Tropojë. Nga ana jugore kufizohej me rrjedhën e lumit Drin dhe me komunën e Shllakut kurse nga ana veriore e ndanin nga Plava dhe Gucia alpet shqiptare.
Në këtë territor deri në vitin 1479 kanë qënë pesë qytete që ishin Kiri, Mëngulla, Artivoja, Mauriqi dhe Varku. Në vitin 1628, në muajin korrik, këtë dioqezë e ka vizituar prifti katolik Benedikt Orsini dhe ka dërguar shënime të hollësishme në Vatikan për gjendjen e kësaj dioqeze.
Ai ka shkruar që më përpara këto qytete ishin shum të zhvilluara, me ndërtesa të zbukuruara me mermer dhe me harqe të punuara bukur por tani ato janë të gjitha të shkatërruara dhe pa asnjë banor.
Kujtimi për këto qyteza ka ardhur duke u shuar aq sa sot një pjesë e tyre është gati e pamundur të gjëndet vendi se ku ndodheshin. Në këtë territor ka patur edhe disa kështjella që administroheshin nga feudalët vendas të identifikuar me familjet e Lek Dukagjinit dhe Pjetër Spanit. Rrënojat e disave nga këto kështjella shifen krejt qartë edhe sot.
Me rastin e kremtimit të 550 vjetorit të vdekjes së Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, u përpoqëm të gërmojmë në historinë e kësaj treve për të hedhur dritë mbi aktivitetin e kësaj zone në kohën e sundimit të Skëndërbeut. Në volumin e V, f. 331 të librit të Biemit shkruhet se mbas vdekjes së Pjetër Spanit, të bijt e tij, katër njifen nga historia, u ngatërruan midis tyre. Ipeshkvi i Drishtit Pjetër Engjëllori, e pa me arësye të kërkonte ndihmën e Skëndërbeut për shuarjen e ngatërresës midis tyre dhe me autoritetin e kryetarit të Beslidhjes së Lezhës, ai erdhi dhe pajtoi bajraqet midis tyre duke lidhur me pranga djalin e vogël të Pjetër Spanit, Markun. Ardhja e Skëndërbeut në këtë zonë jam i mendimit se nuk duhet të ketë qënë e vetmja dhe ndikimi i pushtetit të tij duhet të ketë qenë i madh sepse të gjith udhëheqësit e principatave të kësaj zone, sipas dokumentave, i qëndruan besnik deri në vdekje komandantit të tyre, Skënderbeut. Prandaj edhe kryerja e studimeve historike për këtë zonë ka interes të madh kombëtar për historinë e Shqipërisë. Nga të dhënat që kemi, studjuesi nga Austro-Hungaria, Karl Shtainmec (Carl Steinmetz), në vitin 1905 ka kryer disa gërmime të vogla në qytetin e rrënuar të Varkut dhe punimet e veta i ka publikuar në një libër të botuar në vitin 1916 në Sarajevë në gjuhën gjermane. Ky libër dhe këto punime deri tani nuk janë përkthyer. Mbas këtij, deri sot, asnjë arkelog ose kespeditë arkeologjike nuk ka bërë punime për zbulimin e të fshehtave që ruan nëntoka e kësaj zone. Mbas botimit të librit për dioqezën e Pultit, i kërkuam institucioneve shtetërore dhe fetare të na ndihmonin për të vazhduar kërkimet por askush nuk na ofroi asnjë lloj mbështetje ose ndihme. U detyruam të kërkojmë ndihmë nga shoqëria civile dhe ishte Top Chenel ai që na e zgjati dorën i pari për të na ndihmuar.

Me ndihmën e gazetarit të Top Chenell Marin Mema dhe të arkeologut të apasionuar Skënder Muça me datat 25 dhe 26 prill të vitit 2018 bëmë një kronikë për gjendjen aktuale të objekteve historike në këtë zonë. Pa patur mundësi të bëjmë gërmime, ne filmuam kështjellën e Pjetër Spanit në fshatin Geghysen dhe atë të Lek Dukagjinit në Shkëmbin e Rajës në fshatin Breg Lumi të komunës Fierzë. Ajo që mundëm të evidentonim ishin qindra varre të epokave të ndryshme historike të ruajtura pak a shum në gjendje të mirë, muret e kështjellave të cilat vende vende ishin deri 3 metra të pa shembura, rrënojat e disa kishave mesjetare me rëndësi shum të madhe historike, të dallueshme qartas. Ajo që ne nuk e kishim ditur dhe e “zbuloi” arkeologu ynë Z. Skënder, ishte prania e mureve gjigande, të ndërtuara para epokës tonë, dhe të ruajtura deri në disa metra lartësi. Për këto rrënoja nuk është shkruar asnjëherë ndonjë punim, bile nuk janë përmendur as shkarazi në ndonjë artikull gazete deri më sot.
Qyteza e Varkut ndodhet në lagjen Kotec të fshatit Palç të komunës Lekbibaj. Ajo është rrënuar nga turqit në vitin 1480 dhe rrënojat e sajë u fshinë nga faqja e dheut në vitin 1967, duke humbur pjesë me rëndësi të historisë sonë komëtare. Por nëse do të vinin ekspedita arkeologjike të specializuara dhe të bënin gërmime dhe kërkime të specializuara me siguri rezultatet nuk do të mungonin. Qyteti i Artivojës sot rezulton i zhdukur dhe, megjithse përmendet në shum punime të studjuesve të ndryshëm, deri sot nuk është përcaktuar saktësisht vendi se ku ndodhej. Nëse kryhen fare pak gërmime në fshatrat Brashtë, Sermë dhe në vendin që quhet Karron në fshatin Salcë të Lekbibajve, pa ndonjë vështërsi do të përcaktohej vend ndodhja e këtij qyteti. Në Karron rrënojat duken qartas edhe pa kryer gërmime por duhen kryer studime nga profesionistët dhe të arrihet në konkluzione shkencore. Rrënoje të dukshme edhe me sy të lirë ka edhe në fshatrat Curraj i Poshtëm, Curraj i Epërm dhe Mulaj. Ato quhen Lami i Qytetit, Qyteti i Grykës së Vogël, Qyteti i Grykës së Madhe, Rrahi i Shehrit, Qyteza, Shkami i Forcesë (Fortesës) etj por askush nuk është marrë me studimin e tyre. Në fshatin Dakaj të komunës së Shalës ndodhen rrënojat e qytetit të Mauriqit. Ky qytet ka qënë shum i zhvilluar dhe në shkrimet që kemi gjetur thuhet se ky është ndërtuar nga Maorët e ardhur nga Azia e Vogël dhe nga ata e ka marrë edhe këtë emër.
Rëndësia historike e studimit të së kaluarës së këtij qyteti për historikun e Shqipërisë është e madhe por asgjë nuk është bërë deri më sot.
Me mundësitë që kemi, me miqtë e apasionuar pas historisë së vendit tonë, ne do ta vazhdojmë punën për të bërë aq sa kemi mundësi për evidentimin e çdo vlere historike të kësaj treve. Ne i bëjmë thirrje së pari organeve të specializuar të Qeverisë Shqiptare siç janë Ministria e Kulturës, Akademia e Shkencave, Qendra e Studime Albanologjike dhe katedrave të historisë pranë Universiteteve tona që të merren edhe me historikun e kësaj treve sepse edhe kjo trevë i përket kombit dhe shtetit shqiptar. Zbardhja e të vërtetave që fshihen në nëntokën e kësaj treve do të jetë një kontribut i madh për historinë tonë dhe një provë e pa kundërshtueshme e përpjekjeve të historianëve në luftën e tyre kundër fallsifikatorëve të historisë në dëm të interesave të kombit shqiptar dhe të historisë së tij.
Mark Palnikaj, Tiranë 30 prill 2018