POEZIA SI AKT LETRAR I FEMRES
E shkruaj këtë parathënie mbasi poezitë e Trandafile Malshit më japin luksin dhe më krijojnë komfortin që të shprehem lirshëm ndaj letërsisë së saj të vargut, si dhe më sajdisin me qetësinë e mjaftueshme që të ndjehem rehat kur vlerësoj poezitë. Poezitë e natyrës së kësaj poeteje t’i japin energji pozitive fjalës. Trandafilja nuk vjen në lëndinën e poezisë shqiptare nga podium i egos apo dhe mikrofoni për të tërhequr pa meritë vëmendjen ndaj vetes, por vjen nga koridoret e talentit, dijes, kulturës letrare, gjendjeve dhe gjetjeve të saj fine dhe elegante.

Poezia ngado që ta sjellësh është akt letrar i femrës, është gjest dhe frymë femrore.
Safo e antikitetit me gishtërinjtë e trëndafiltë, Silvia Plat me “…pulëbardhat kanë ikur / Vetëm lumi plak kujton ende / Se sa të bardha qenë ato….”. Këtë na dëshon me poezinë e saj edhe kjo autore e talentuar, librin e së cilës kemi në dorë sot.
Poezia është magji grashë. Lexoni Lorkën për ninullat spanjolle dhe drithërimin e grave kur i këndojnë këto ninulla. Dhe këtë e vë re në çdo qelizë, në çdo matricë poetike, në çdo nukël energjie të letërsisë së Trandafile Malshit.

Stradivarët në shekullin e 16, kur matnin violinat, ndjenin nëpër duar magjinë e grave, mbasi që ne e dijmë se veglat akustike, Violonçeli, Violina, Kitarra kanë formën e torsit të një gruaje.
Të shohim pak Gertrudë Shtejnin kur flet për Pikason. E keni vënë re se, vepra e piktorit të madh bëhej shumë më e brishte, fine, delikate dhe elegante, atëherë kur Gertrudë ishte pranë Pikasos.
Trandafile Malshi ka një poezi strukturaliste, me sintaksë të qartë, me një leksik që e zotron mirë, ka aftësinë për ta mbajtur poezinë nën kontroll dhe nuk e le t’i dalë duarsh. Poetja përdor kadenca dhe creshendo të spikatura, që e bëjnë muzikale poezinë e saj.
Është poezi interesante, nganjëherë e brishtë dhe delikate, por që jo rrallë merr dhe vokacione të larta, (duke përdorur metaforën dhe nëntekstin pa rënë në grackën e retorikës dhe të patetizmit, dy nga rreziqet ku bien shpesh poetët që shkruajnë poezi të vokacioneve të larta). Volumi gjeografik nga shëtit fantasia e poetes dhe frymëzimi poetik i saj është i gjërë, i harlisur, çka tregon se poetja ka një diapazon të gjërë regjistrash që lidhen me natyrën, vendet, hapsirat, gjendjet.
Unë mendoj se lexuesit dhe dashamirësit e poezisë duhet ta përcjellin me kujdes dhe vemendje këtë vëllim poetik, si një akt serioz i të bërit letërsi.
E zhveshur nga emocionet fallse, nga frymëzimet kote dhe nga figurat e tepërta, Trandafile Malshi shpesh është e ftohtë dhe e vemendshme, dhe hyjnizon me koshiencë misionin e fjalës. E kujdesshme dhe racionale, e vetëdijshme për magjinë e fjalës, për mistikën dhe mitin e saj, pra për brendinë dhe të fshehtën që fjala ka, kjo autore operon nganjëherë jashtë ojnave dhe formave delikate të fjalës. Madje ka raste kur kjo autore merret me vrazhdësinë e fjalës, me thelbin substancial që ajo ka, me anën më ekzistenciale dhe skeletike që merr verbi.
Ky vëllim që na ofron imazhe impresionante, kumte ideshë, harmoni ngjyrash dhe dimensionesh të natyrës, që vë unin poetik në raport shumë të saktë me subjektet, atmosferen rrethuese, ia vlen vërtetë të lexohet.
Trandafile Malshi pasuron arealin dhe abitatin poetik të zonës ku jeton me zërin e saj krejt ndryshe. i jep një tingull ngjyre atij vendi, ku më parë kanë ardhur me letërsitë e tyre, Nikollë Njeçi dhe Viktor Vokrri. Këto dy autorë, tashmë të njohur, më përtej se rrafshi i Lezhës, janë një pasuri si dhe një trashëgimi dinjitoze e atyre poetëve që do formohen tashti e mbrapa nga kjo krahinë. Njeçi dhe Vokrri vazhdojnë ta pasurojnë bibliotekën e letërsisë lezhjane me veprat e tyre, çka është një pasuri për lidhjet letrare të atjeshme, por dhe një pasaportë e letërsisë së zonës së tyre, ku tashmë dhe Trandafile Malshi nis të ketë statusin e krenarisë si poete e vërtetë.