14.5 C
Tiranë
E martë, 13 Maj 2025

Marsela Neni Haxhimusai

Nuk rrëzohen mitet duke hedhur baltë
Pa hyrje të gjata desha të them se mua, ky shkrimi i Tares ( Auron Tares) që përpiqet të hedhi baltë mbi personalitete të rëndësishme të kombit si Ernest Koliqi e Martin Camaj “nuk më bën fresk fare”.
E lexova sigurisht, por për mua nuk ndryshon as edhe një fije vlerësimi i lartë që kam si për Camajn dhe për Koliqin.Imazhi mund të përmbajë: tekst
Ta shohësh në prizmin e një teksti argumentues, ky tekst as të bind, as nuk arrin të ngrejë polemika mbi baza të shëndosha logjike e të bazuara mbi fakte të pakundërshtueshme.
1. Teza, ose qëndrimi i vetë shkruesit, kuptohet që është subjektiv dhe dashakeq që në fillim, mos them që në titull, që në foton e përzgjedhur për të shoqëruar shkrimin. Nëse vetë Tare është i bindur nga hulumtimet virtuale se ato dokumente të shpien te filan shteg, pse nuk mjaftohet thjesht duke i paraqitur? Koha, kërkimet më shteruese e të plota do ta verifikonin më mirë se cilat prej tyre qëndrojnë dhe cilat jo.
2. Vetë shkrimi më jep ndjesinë e të qenit ” gjysmak”, sepse përpiqet të hetojë e të zbulojë të kaluarën e një personaliteti kompleks njerëzor e veprimtar ( disa personaliteteve) duke lënë mënjanë aspektet më të rëndësishme të jetës e qenësisë së këtij personaliteti, si: të shkruarit letrar, puna albanologjike apo veprimtari të tjera që s’kanë veç synim patriotik, pasi ka vepra që dëshmojnë për këtë synim.
3. Nuk kam asgjë me atë që guxon të ngrejë pyetje, por pse t’u japësh më poshtë përgjigje bazuar në hamendësime, në thashë e thëna, në interpretime selektive. Lëre lexuesin të vetëqartësohet, “mos e hidh me vrap gurin, sikur të mos e dish që të gjithë jemi mëkatarë”. Unë s’ arrij ta kuptoj se si dikush të përpiqet një ditë “të zhbirilojë” të dhëna historike mbi jetën time e të dalë në konkluzione “të forta” duke përdorur të dhëna nga facebook-u apo instagrami?! Se kështu sikur i bie të jetë metoda hulumtuese.
4. Si mund të përjashtohet nga vlerësimi aspekti i rëndësishëm i veprave të një shkrimtari ( ku ai shkrin shpirtin e tij) nga vetë shkrimtari? Si mund t’i ndash dy Camajt, dy Koliqët? E aq më tepër, pse duhet të përdoren vetëm dylbitë e amerikanit për të hetuar rrugëtimin e vëllait tënd?! A s’janë vetë të dyshimta dylbitë e CIA-s?!
Të isha unë kaq e kufizuar në burime do mendohesha mirë para se të shkruaja diçka të keqe për dikë.
5. Madje, të jem e sinqertë, më neverit ky hulumtim “inatçor” dhe në disa raste m’u duk si ai i komshijes time që mendon se di gjithçka për fqinjën tjetër time dhe habitet me habi të madhe, kur, bie fjala, bën pushime më të shtrenjta seç” ia mban xhepi” dhe pa një pa dy, del në përfundimin ” ka dashnor”.
Duke jetuar gjithë jetën time në Shqipëri, duke lexuar me drithërimë shpirti gjithë torturat e mostruozitetet e kryera nga regjimi komunist, ky shkrim më shtiu dhe drithmat. Mendja më shkoi se si ky Tare ka pasur shumë Tarasë ( ta rrasë) që ta qëndisnin biografinë si t’ua donte qejfi. Dhe… fatkeqësisht këto “kërpudha të kuqe” helmuese ( siç i quante dikush që i ishte kundërpërgjigjur shkrimit në rrjet) rrinë – rrinë dhe e nxjerrin kokën në këtë sistem të mykur që vazhdon t’i favorizojë…
Për Camajn, gjuhën, fjalën e tij kam aq njohuri sa ta gjykoj e ta shijoj edhe vetë pa kontekstin e ngushtë të tarasëve. Edhe sikur Camaj të ishte Fausti që shpirtin ia shiti djallit, më mjafton të dijë që në fund Fausti arriti ta vërë Mefistofelin në urdhrat e tij e diti ta përdorë fuqinë mefistofeliane për të arritur dritën me punën e dobishme e me vlerë për shoqërinë. Edhe sikur…
@m.n.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.