8.5 C
Tiranë
E premte, 27 Mars 2026

Me poeten “Dafina Roka”

Përtej largësisë

Yll fluturues
realizim ëndrrash
të mbetura përgjysmë.
Shikim largësie
buzëqeshje e vrarë
nga lakmia.
Gjëmim deti
pulëbardhat lajmëruan jetë.
E virgjëra rërë pret
takimin e premtuar.
Në zjarrin e zemrës
jehona mori një peng.
Përtej largësive
e groposur me fener
forcë sfilitëse ngre dheun
e zhytur në baltën
e mallkuar për gjak.
Shikoj përtej largësive
që të virgjëra mallkojnë,
psherëtijnë në ironi.
Toka pret buzëqeshur
dhuratë kurorë
për hirin e mirësisë!
Shpresë
Shkumë e kthjellët
Valëvitet ndër valët e detit.
Dallgët e magjishme
Sjellin margaritarin e ruajtur
Në guacën e shpresës.
Sjell fat menduan disa
Lumturia vrapoi
Mendoi të triumfojë.
U lodh dhe etja e mundoi
Dorën e zgjati
Margaritar rrëshqitur në baltë.
E harroi vlerën
Thellësia e mashtroi
Pika e ujit e shpëtoi.
Një falënderim
Kthimi është i bukur
Në thellësinë e detit të magjishëm
Fat në shpresën e humbur.
Ti u rrite biri im

Vitet ikën e ti u rrite

zemra e mallit tim!

Por, kjo është vërtet një çudi!

Përse syri im të shikon çdo herë si fëmijë?

Të ndjek me vrap me njëqind porosi

Më përgjigjesh: e di të njëjtat i thua ti!

Ti nuk e di biri im që bota sillet rreth stuhive

që duan të të përpijnë.

Botën engjëllore ruaje se të ka nëna shpirt!

Mos shkel njeri as mos e qesh askënd për ves.

Fal dashuri dhe mirësi

në rrugët që vetëm jeta di të të përcjellë!

Mos e kthe kurrë dorën që të afrohet për ndihmë

tek ti shikon mirësinë,

lumturoje, për hir të nënës

që të dhuroi një jetë me sakrificë.

“””””””””””””””””””””””

Parathënie
Vëllimi poetik “Kohë e përgjumur” është vëllimi i dytë poetik i autores Dafina Mamusha-Roka. Në këtë vëllim poetik, autorja e përforcon stilin tashmë të formësuar të saj, sidomos me përdorimin unik të pjesores, i cili tashmë shtrihet në gjerësi më të madhe tematike e pasurohet me më shumë mjete të shprehjes artistike; mendimi bëhet më i thellë, më filozofik e vargu merr më shumë trajta, elemente këto që bëhen përcaktuese në diferencën mes “Fjalë zemre”, vëllimit të parë poetik të autores dhe vëllimit poetik në fjalë.
Në “Kohë e përgjumur” aktivizohen e shkuara dhe e tashmja e poetes e herë – herë projektohet edhe e ardhmja; realiteti e imagjinata e saj e herë – herë edhe një vijë thuajse e tejdukshme që sa i bashkon aq edhe i largon ato.
Në vargjet e këtij vëllimi ndodh që autorja i referohet së keqes që mund të interpretohet si refuzim e në kërkim të zhbërjes së saj autorja i referohet së mirës, por jo thjesht si dekoracion pa vlerë.
Vëllimi poetik “Kohë e përgjumur” hapet me një poezi shpirti, një poezi që shpërfaq raportin më harmonik në univers nënë- fëmijë nëpërmjet një kushtimi që merr karakter këshillues, pa trajta të tepruara moralizuese:
“Ti nuk e di biri im që bota sillet rreth stuhive që duan të të përpijnë.
Botën engjëllore ruaje se të ka nëna shpirt!
Mos shkel njeri as mos e qesh askënd për ves.
Fal dashuri dhe mirësi në rrugët që vetëm jeta di të të përcjellë!”
(“Ti u rrite biri im”)
Thuajse në çdo varg të vëllimit poetik “Kohë e përgjumur” shohim se autoren e bren koha e absurdit, zhveshja e njeriut nga njerëzorja, prandaj herë direkt nëpërmjet tekstit e herë nëpërmjet nëntekstit niset në kërkim të ndryshimit, në kërkim të së mirës që merr përmasa mbiindividuale. E, sa herë që zymtësia e shpeshtë e realitetit e merr në krahët e saj:
“Kurth është vetë
Qëllimi i jetës
Mijëra shpresa
Kthehen në hi”
(“Kurth”)
autorja kuptimëson shpresën duke i dhënë pushtetin absolut të ndryshimit:
“Pendimi bëhet shpresë
Kthimi më i bukur
Nga larg
Deti më i thellë”
(“Peng”)
Në përforcim të elementit ideor të ndryshimit, në poezitë e këtij vëllimi poetik vihet koha në tri dimensione të ndryshme: koha si kujtim, koha si mungesë, koha si shpresë. Ajo vjen në perspektiva të ndryshme duke e shtuar dendësinë e shprehjes artistike:
“Një ditë plagët do të shërohen
Do të mbeten shenjë
Vetëm për ta kujtuar”
(“Lumturi”)
“Nëpër rrugët e magjepsura
Shpesh kam harruar kohën
Aty ku mungesa ime kishte filluar
Të shkatërronte çdo kujtim”
(“Jetoj”)
“E mbyllur në katër mure
Asgjë nuk kthehet prapa
Koha mbret i përjetësisë”
(“Arsye”)
“E ulur para portës
Së shtëpisë së vjetër
Mundohem ta kthej
Kohën.”
(“Kohë e vjetër”)
Një tjetër element karakteristik që haset në këtë vëllim poetik është edhe elipsimi i titujve (“Ti”, “Unë”, “Fat”, “Pse”) që manifeston tendencën e dendësimit të shprehjes dhe po ashtu gjetjen e një shtegu të ri në rrugëtimin personal artistik të autores.
Në gjashtëdhjetenëntë poezitë e këtij vëllimi poetik gjejmë një figuracion të pasur që shkrihet natyrshëm me ngjyrën e vargjeve duke rrezatuar kështu edhe mirësinë e autores, e cila natyrshëm, në sinkron me botën e saj, po depërton në magjinë e poezisë. Figurshmëria e këtij vëllimi në krye të konstruktit ka metaforën me të gjitha nuancat e saj që sintetizohet me tërë pjesën tjetër të spektrit figurativ duke e çuar në nivel rritës kreativitetin artistik të autores.
Duke lexuar vargjet e këtij vëllimi poetik, lexuesi mund të identifikojë situata reale jetësore që janë refleksione të çekuilibrimit mes të jashtmes dhe së brendshmes, mes pritjes dhe realitetit të njeriut –njeri, që autorja Dafina Mamusha – Roka ka ditur t’i shkrijë bukur në art. E për ta përmbyllur bukur, ja disa vargje nga ky vëllim poetik:

“Nëse dikush të flet për mua

ti buzëqesh, lotin falja shiut

Nëse emrin tim e kërkojnë

si të humbur në radion e vjetër

ti gëzohu se ndodhem aty ku

pritja ëndrrat thërret”

(“Nëse”)

“””””””””””””Mund të jetë një imazh i 2 persona

PA FAJ

Mjegullim rrënimesh
Një yll bie për fat
Shkëlqim drithërues
Mos më gjuaj PA FAJ
Fuqi e një tërmeti
Lëkund botën
Kush ka faj?
Luten për shpëtim
Ylli kërkoi realizim
Shkëndi ndriçuese
Në piramidën e Keopsit
Shumë fshehtësi mbanë
Dhomë fantazish
Mbyllur për fat
Nata tregon
Dëshminë e parë!

Autore. Dafina Roka.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.