Mimoza Leskaj
Pse ta fsheh që librat më lumturojnë?
Me to jam rritur dhe për to kam frymuar, ndaj sot lumturohem që çdo vit i shtoj bibliotekës time një më shumë.
Një ditë kur të mos jem më, do të jetë dikush që do gërmoj mes germave që lashë pas. Dhe kjo lumturi ndahet me ju, lexuesit e mi të dashur!
Po të isha e vogël në këtë kohë të frikshme mbi njerëzimin që po jetojmë, pa dyshim do pyesja tim atë:
– O bà, çfarë është qytetërimi?
Dhe ai do më përgjigjej
– Të ndërtosh bijë, të ndërtosh!
Unë sot mbeta në udhëkryq dhe po pyes veten
-Mozë, çfarë është qytetërimi?
Po hesht e nuk më përgjigjet!
“””””””””””””””””””
Pak rregull
Kam nevojë për pak rregull
Pak nga ai rregulli që ndan shapin nga sheqeri, (siç thotë një fjalë e urtë)
T’i vë fre trishtimit, ta ndaj në pjesë
Ca t’i, ca unë, ca të hedhura diku.
Edhe pranvera dashka ndarë,
I duhen vënë rregulla të forta
Ç’dreq ndodhi kështu?
S’di ku të vësh rregull më parë.
E patëm të trashëguar, apo ne të njerëzishmit,
… deshëm dhe i vramë?
Po lëngoj për pak rregull,
Nuk është hera e parë që më ndodh
Ndodh qëkurse u këput kërthiza prej barkut të nënës,
Dhe kjo ka ndodhur, shuuumë kohë!
Gëzuar ditën poezi!
“””””””””””””
Kaos
Mbrëmja ra dhe errësira mbuloi heshtur
biseda jonë një kaos shpirtror
kërcitja e drurit nën oxhak ndezur
nuk ndihmon të qetësojë, as të ftohtin dimëror
as mendimet hedhur mbi letër,
që djegin shumë, në pak kohë.
E ç’është ky kaos mureve të lagshta
përhumbur flokëve të zjarrit, gjersa shuhet
dhe nata zgjat krahët e saj t’errësirtë?
Biseda u mbyll!
Sejcili në vendin e tij me thënien klasike të natës,
e dashur,… natën e mirë!
“”””””””””””””
Kur ngjallen xhindët!
Covid 19-të Coronë (quaje si të duash)
Nga mbive e dole si xhind i tërbuar?
Të dinim një hiç, qeshëm si një grip i thjeshtë
Një botë të tërë muresh ke ngujuar.
Kalendari nuk qëndron më varur në mur
E ç’më duhet t’a shoh kur ditët po vdesin?!
Është mbledhur dhe dhimbja, është bërë gur
Njerëzia trishtë ka ndalur gjithë ecjen.
Zihem e grihem dhe me veten time
Ç’të bëj me orët pas lëngut të kafesë?
Në një botë memece të mbushur plot krime
Nis numëroj ditët vetëm me përtesë.
Ç’më duhet ora që bën tik – tak e varur
Kur varur është jeta dhe s’ kam ku nxitoj?
Xhindet nga një dorë të gjithë qënkan ngjallur
E valles mbi njerëz ja kanë marë në tokë.
Botë e sëmurë që çalon e lodhur
Vjetëruar nga luftërat, e frikur nga ethet
Një ditë kur xhindet të ikin gjoja ” ndrojtur”
Lakuriq do ndjehesh, si një pemë pa gjethe!