Jemi bërë për t’u qarë
Për t’u qeshur jo më pak
Kalë në lëmë vimë vërdallë
Shkelim veten me revan
Me revanin e pandalshëm
Sikur bëjmë histori
Veten bëjmë më të famshëm
Qysh kur ishim Pellazgi
Pellazgi dhe Iliri
Më pas arbër dhe shqiptarë
Në të voglën Shqipëri
Çajmë historinë me pallë
Me pallë drurësh edhe gurësh
Me pallë hekuri edhe fjalësh
Të pabesë murosur urës
Dhe në muret e Rozafës
Gruan e vëllait të vogël
Pabesisht nga dy vëllezër
Mburravecë para botës
Filozofë të gënjeshtrës
Të gënjeshtrës dhe mashtrimit
Ndaj vetvetes, përtej saj
Qysh nga çasti i krijimit
I vazhdimit dhe më pas
Dhe më pas, kur të tjerët
Na lanë pas dhjetra shekuj
Shqipëtarët mbetur vetëm
Lumturohen duke vdekur
Duke vdekur shpirtërisht
Në çdo gjë e për gjithçka
Pellazgisht e shqiptarisht
Nga kurbani në kurban
Për ca plehra, për ca horra
Vënë majës së Olimpit
Xhuxhmaxhuxhë kthyer në Zotra
Trup e shpirt të shkurtabiqit
Ç’të vazhdoj të them më tepër
Dhe pse kam shum’ për të thënë
Shqiptarkali po e mbyll jetën
Duke u vërtitur nëpër lëmë
“”””””””””””””””””””””””””””””
Po të erdhi keq për mua
Për të keqen e gjithë njerëzve
Bëmë më të njerëzuar
Se po vuaj qindra shekujve.
Kthehu prapa në Eden
Apo grimcës së krijimit
Nëse veten aty s’gjen
Kthehu kohës së shpërthimit.
Asaj kohe të fillesës
Kur materia mori formë
Kur veç engjëjve lindën njerëz
Me selinë këtu në Tokë.
Kape çastin tënd fatal
Kur mëkatin njerëzove
Ishte kurthi më i madh
Lojë mes djajve edhe zotërve.
Kur t’ia kthesh Evës mollën
Ta largosh nga ajo pemë
Zerja veshët mos dëgjojë
Se ç’i thotë djalli vetë.
Lidhe veten edhe ti
Me litarë pas një peme
Duro joshjet që të vijn’
Aq tërbuese prej sirene.
Po i bëre gjithë këto
Gjithë këto e shumë të tjera
Zoti vete do t’japë një moll’
Sepse është e dijes pema.
Po të pres shekuj me radhë
Vetë Zoti po të pret
Njerëzuar siç ke dalë
Pa mëkatin në Eden.
Kaq shkrojta sot për ty, o Njeri
Nga dhoma e spitalit, Çmenduri.
Cikli “Letër njeriut” është në librin me poezi të zgjedhura, vëllimi i tretë, i cili botohet dhe shpërndahet nga AMAZON