Kur vjen një çast
Vjen një çast si borë me diell,
shkon si dhimtë e vjen si gëzim,
e ndjen në asht,
se qielli yt do të rilindë
ndërmend e pavetëdije.

BROZI (NIKOLLI) Marie(29.09.1954), mësuese, drejtuese e arsimit, studiuese dhe veprimtare e shquar shoqërore.
Marie Brozi ka lindur në qytetin e Rrëshenit dhe banon familjarisht po aty. Arsimin tetëvjeçar dhe të mesëm i mbaroi në vendlindje. Në vitin 1977 përfundoi studimet e larta për histori-gjeografi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Shkodrës dhe në vitin 1991 specializimin njëvjeçar pasuniversitar me shkëputje nga puna në degën e Historisë pranë Universitetit të Tiranës.
Maria ka punuar dyzet vjet rrjesht në fushën e arsimit në disa shkolla të rrethit të Mirditës: Kaçinar, Gëziq, Klos-Fanë dhe Rrëshen. Ka kryer detyra në drejtimin e arsimit si Inspektore e lëndëve Histori dhe Gjeografi në Drejtorinë Arsimore Mirditë, zevendësdrejtoreshë dhe drejtoreshë e gjimnazit Rrëshen deri kur doli në pension në vitin 2015. Në vitet 1998-2002 ka punuar si lehtësuese rajonale e Fondacionit Soros për Mirditën.
Si specialiste arsimi, Maria ka kryer disa kualifikime brenda dhe jashtë vendit, në mes të cilave përmendim seminaret kualifikuese në Kopenhagen të Danimarkës, Shkup, Ohër të Maqedonisë dhe në Bullgari. Ka marrë pjesë dhe referuar në Seminarin Ndërkombëtar të organizuar nga Këshilli i Europës për njohjen dhe mësimdhënien e historisë së Ballkanit në Sofie(Bullgari), Shkup dhe Ohër (Maqedoni) në vitet 1999, 2000 dhe 2001, për të cilën është çertifikuar nga Euro – Clio (Shoqata Ndërkombëtare e Mësuesve të Historisë) si eksperte për mësimdhënien e lëndës së Historisë. Eshtë bashkautore e librave : Metodika “Aspekte të mësimdhënies të lëndës Edukatë Qytetare”(1997); Drejtuese e Programit për metodikën “Mësimdhënia me klasa të bashkuara për shkollat 8 vjeçare”(1999); “Mirdita- Njohuri për vendlindjen”(2000); “Të kuptojmë të kaluarën e përbashkët për të ndërtuar të ardhmen (Jeta e përditshme në Shqipëri, Bullgari dhe Maqedoni(1945 – 2000)(2003). Është autore e disa zërave në “Fjalorin Enciklopedik të Mirditës”. Maria njeh dhe përdor në studimet e saj gjuhën angleze dhe disa programe kompiuteri. Veprimtare e shquar shoqërore, antare e Këshillit Bashkiak(1992-1996) dhe në zgjedhjet vendore të 30 qershorit 2019. Këshilli Bashkiak i Mirditës e zgjodhi Nënkryetare të Këshillit. Për rezultatet e larta në proçesin mësimor dhe si veprimtare shoqërore është dekoruar nga Presidiumi i Kuvendit Popullor 2 herë me medaljen “Për shërbime të shquara shtetërore dhe shoqërore” me motivacion: “Për punë të mirë si veprimtare shoqërore dhe për plotësimin e detyrave që i janë ngarkuar nga organizata e Gruas(1983), Medaljen ”Naim Frashëri” me motivacionin “Për arritje të mira në proçesin mësimor – edukativ dhe për zbatimin e metodave të reja pedagogjike”(1986); Çertifikatë mirënjohje nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë(2015): Çertifikatë mirënjohje nga Shoqata e Arsimtarëve të Shqipërisë(2017). I është dhënë titulli “Ambasadore për Paqen” nga Federata Universale e Paqes.©Nikollë Loka
