31.5 C
Tiranë
E shtunë, 19 Korrik 2025

Meditim mbi kompozimin e piktorit kosovar Avni Behluli

Ilustrimi i shkrimit me foto u be nga botuesi Gjin Musa.

Dyert e hapura të vetvetes…

Ese nga Namik Selmani .

Meditim mbi kompozimin e piktorit kosovar Avni Behluli

Të gjithë jemi të një mendjeje se shumë mangësi në mirëqënien tonë, në mbrothësinë që e kemi ëndërruar e jo gjithmonë e kemi patur, në hapat historikë që ka hedhur kombi, të paktën në shekullin e fundit, kanë qenë edhe nga një lloj bashkëpunimi të munguar mes njëri-tjetrit si shqiptarë. Pse jo edhe te një kundërshtimi të fortë, shpesh edhe absurd, për njëri- tjetrin edhe në ato pika aq të rëndësishme dhe aq të thjeshta. Mbase na mungon një Arkitekt i Mendjeve të Hapura, aq shumë të munguara në historinë mderne shqiptare. Ishte një mesazh që mundn të përdoret dhe për atë BASHKIM aq të ëndërrruar të shqiptarëve.
Simbolika e Dyerve të Hapura ka qenë e mbetet për breza të tërë njerëzorë prijatarja e një jete ku ka shumë dashuri, harmoni, bashkëjetesë, shumë më tepër respekt të ndërsjellë, miqësi, bashkëpunim, natyrisht edhe besimin më të lartë te Zoti, te Mirësia, që mund të ketë një njeri si qënia më thelbësorja e jetës. Kufijtë e ndryshëm, muret, telat, kodet sekrete, trarët, policët, kamerat vëzhguese, doganat, flamujt me ngjyra të ndryshme në hapësirat e të cilëve ka kafshë, shpendë, lule, fletë, yje, diell, hënë, qiell, det. male, borë etj nuk e kanë penguar në të gjithë shekujt Dyert e hapura për të komunikuar.
Ky meditim sa moral social, por edhe filozofik mund të jetë fare mirë edhe Porta e parë e një libri që kërkon edhe rrëfime më të shumta më bëri që të kujtoj Malin e Tomorit. Një mal madhështor për nga lartësia, legjenda, bukuria.. Mali i Tomorit, ose si të thuash ndryshe dhe Olimpi shqiptar, shpesh herë në mendësinë popullore të krahinës apo edhe të të gjithë shqiptarëve është quajtur dhe quhet ende si një mal i shenjtë. Këtu gjen edhe sot e kësaj dite ca njerëz paganë modernë që betohen njëzëri: “Ja Tomor!”(Për Tomor!” Për Çukën e Tomorit!”). Gati një javë në vit, në atë zagushi gushtiane, me mijëra pelegrinë nga e gjithë Shqipëria, madje edhe nga Evropa dhe Amerika. Dhe është një udhëtim që nis në mënyrë figurative që një vit më parë, porsa ata i hedhin krahët malit, luginës, lutjes në ditët e mesgushtit. Njerëz që duan të jenë sa më lart mëkateve. Që nuk harrojnë të flijojnë edhe një dash, lëkurën e të cilit duhet ta dhurojnë në Teqenë e Kulmakut. Që duan të hapin dyert e besimit te zoti për të hapur më te dyert drejt një vetveteje më fisnike. Më të ndershëm. Një ndershmëri që sot duket si relikja më e vjetëruar në Muzeun e Kohës, në fletët e poezive apo edhe në skenat perderënda të teatrove të lashtë e modernë.
Në rrëzë të Tomorit këtej e matanë malit akoma gëlon jeta njerëzore me shumë fshatra që jetojnë edhe sot e kësaj dite jetën në hijen e tij legjendare aq edhe fizike. Ca fshatra që krijojnë gjeografinë njerëzore të një krahine që punon shumë, që pushton një treg qyteti e shumë më tepër me mallrat e duarve të tyre të arta e shumë më tepër se kaq por edhe nga bujaria e Zotit që i ka dhënë kaq shumë burime, kaq shumë begati tokës rrëzë malit këtej në perëndim e matanë në lindje të shpateve. Janë disa fshatra që mund të kenë edhe lëvizjen më të vogël demografike në Shqipëri drejt qyteteve të tjera të Shqipërisë për arsye ekonomike, si ka ndodhur në vitet e fundit.
Ndoshta nuk do të zgjatesha shumë në këtë rrëfime cicëroni nëse nuk do të tregoja edhe qëllimin më të veçantë të tij. Për të dhënë një mesazh që duket shumë herë si një lodër dasme apo habertare që bie e bie vazhdimisht në skenën e madhe të jetës . Të një skene me aromën e fjalëve shekspiriane. Me jehonën e ndeshjeve homerike. Të një jete me penelatat danteske. Të shprehur edhe me vargjet hijerënda të folkut tonë që shumë herë ia kalon për nga bukuria dramatike e mesazhi edhe kyeveprave të mëdha botërore. Për të kërkuar një Çelës të ri të jetë dhe që Dyert e Mirëqënies të ishin sa më të hapura, këngëtari popullor me gojën e një gruaje që ndahet padrejtësht me burrin që po shkon në kurbet thotë me një duf që nuk mund të gjendet aq lehtë se nga vjen e ku shkon: “Ti, o Zot rri e mos ecë/të pashë ndë ëndërr të shkretë/t’u pengua kali mbë udhë/dyfeku të ra ndë lumë/ngjata dorën e ta dhashë/udhë mbarë dot s’të thashë….”
Në shumë takime që kam bërë me fshatarë të kësaj krahine kam dëgjuar për njerëz të një fshati që nuk kishte kyça. Dikush e kishte quajtur “Fshati i Dyerve të Hapura”. E me dorën në zemër, unë nuk mund të vë dorën në zjarr apo të betohem në një formë që mund të besohem nga lëçitësit e nga ata që mund të më dëgjojnë në një tavolinë se sot mund të ketë edhe ende fshatra të tilla që do të ishin reliket më të veçanta të jetës sociale të një populli. Po, po, jo shumë kohë më parë, asnjë kyç nuk kishte për të mbyllur shtëpitë, odat, kuzhinat, stallat, hangarët, kotecët e pulave. Natyrisht duke mos patur as edhe një xhandar dikur apo sot policë për të lëshuar hijen e frikës dhe të gjykimit mbi ata që mund të merrnin për arsye të ndryshme statusin e vjedhësit, të kriminelit, të prishësit të qetësisë publike. ka një njeri me statusin e një gardiani për këtë zakon të pashkruar, të këtij riti më idealist se idealizmi vetë. Ndërkohë që diku, në një krahinë tjetër të vendit tonë ende dhe sot e kësaj dite thonë se djemtë e saj nuk mund të marrin nuse, ose edhe nuk iu japin nuse, po qe se nuk janë të aftë që të vjedhin, ose të marrin një gjë pa u vënë re. Jo thjesht për të dëmtuar tjetrin, por që të tregohet si ai djalë është i shkathët, se nuk ia marrin dot bukën nga dora, se ata duhet të jenë trima, guximtarë, në pamundësi që këto pjesë të karakterit të provohen në ndonjë luftë të mundshme.
Kjo simbolikë Dyersh të Hapura më sjell ndërmend edhe atë udhë të bukur të nënave çame që dërgonin në një dasëm bakllavatë më të mira që mund të bënin ato në jetën e tyre. Në të kundërtën, është shteti që ka drejtuar njerëz, policë, prokurorë, gjykatës që gjykojnë krimin apo edhe baballarë autoritarë që kërkojnë të gjykojnë fëmijët në pafajësinë e tyre të pafajshme. Njeriu ka menduar si test të gjykimit për fajet e vegjël e ato më të mëdhenj dyert e mbyllura, qelinë, kyçin, izolimin, ndërprerjen e komunikimit me njerëzit e tjerë të zakonshëm, ishullin ku nuk ka anije njësoj si të ishte një derë shpëtimi për botën që ishte pas tij. Apo vetë izolimi në ato shtëpi që quhen ndryshe edhe Kullat e Ngujimit. Ende në Dukagjin të Shkodrës ka Kulla të tilla që janë muzetë më të çuditshëm të botës. A nuk ishte kjo Kullë një lloj dere të mbyllur për të nesërmen e të gjithëve?
Jashtë dyerve të rëndë të gjykatave ne jemi bërë dëshmitarë të qepenave që mbushën sot të gjithë dyqanet e këtij vendi sidomos pas viteve 90. Në fshat e në qytet. Në secilin qytet dhe fshat sot gati lulëzon tregu i dyerve të blinduara, i kasafortave, që duket se nuk janë një objekt luksi, por shenja e një izolimi që i bëjmë vetes. I atij mosbesimi që kemi në secilin hap që hedhim, në atë sinor shtëpie apo dyqani që na takon.
Në këtë çast m’u kujtua një aplikacion i skulptorit nga Gjilani i Kosovës Avni Behluli në një nga ekspozitat e tij të piktures dhe të skulpturës në Galerinë e Arteve “Eduard Lear” në Berat. Në të vërtetë ishin një dyzinë kyçash. Të mëdhenj. Të vegjël. Të ndryshkur. Të prodhimit të fabrikave të ndryshme. Të këtij vendi, por edhe të ardhuar nga shtete e kontinente. Të rregullt. Me e pa çelësa për të hapur qoftë edhe një prej tyre. Një tufë kyçash që të bënte të mendoje gjatë e të merrje jo një, por disa mesazhe njëherësh.
Dyer të hapura, do të thotë edhe mendje të hapura. Dëshirë për të dëgjuar e për t’u dëgjuar. Të ketë sa më pak ose aspak duar lypësish. Lypësa që nuk duan vetëm një copë bukë, disa qindarka, por disa lypësa të një lloji të veçantë. Duan një semafor të saj të që të kapërcejnë udhëkryqet ku jo rrallë ndodhen. Ai dhe shumë të tjerë pas tij.
Të ketë sa më shumë buzëqeshje që hapin më tej dyer të tjerë mirëkuptimi, përqafime vëllazërore. Mbase nuk gaboj kur dua të them se simbolika e dyerve të hapura për ne ka qenë e mbetet edhe me një copë të nesërme brenda jetës sonë. Kur doganierët na ndalnin edhe zogjtë të ngrinin çerdhet në të dy anët e kufirit ku kishte shqiptarë, ku kishte një gjuhë, një trase kënge, një tupan të njëjtë që drejtonte vallen epike, ku kishte të njëjtën dashuri. Na ndanë mortet, sofrat ku priste luga e pjata, shtretërit ku ishte shtruar jorgani dhe nuk kishte njeri për të fjetur. Arën ku brazdonim të zgjatur pas një hosteni mbi trupin e qeve të lodhura e të djersitura. Na ndanë dyert e hapura për të na memecëruar secilin hap që kemi hedhur apo edhe që do të hedhim ne drejt një rruge që akoma nuk e njohim se si do të jetë.
Pjesë e këtyre Dyerve jemi të gjithë. Herë bëhemi viktima e herë heronj të heshtur që jemi përleshur qoftë edhe me heshtjen tonë vrastare, me atë grusht që gjakosej dhe gjakoset ende për njëmijë e një arsye me gishtërinjtë e tij. Herë duke monologuar si Migjeni, herë si Hamleti e herë duke ia kërkuar qiellit që po bëhej kështu një derë tjetër shumë e hapur se kanatet e një porte hijerëndë. Herë marrim ca thërrime prometejane për atë që na pret, pa ditur se edhe në kohët tona kjo sakrificë njerëzore idealiste drejt dyerve të hapura të mençurisë na bën që të ndëshkohemi fort, fort, dhimbshëm, pa dyshim edhe tragjikshëm.
Shikoni një çast vetrinat e muzeve tona! Natyrisht atje ku ka, se edhe Muzetë janë kthyer në ca ndërtesa ku nostalgjia i pushton të tërë. Duke harruar se bota e qytetëruar e vlerëson hartën e një qyteti apo të një krahine me numrin e madh të Muzeve me një garë se kush është më i ndryshëm se tjetri.
. Në ballin e tyre janë vënë abetaret e rrudhosura nga duar njerëzish të kombit tonë. Janë vënë pranga që kanë dashur të mbyllin shtigjet e rrugëve të së nesërmes. Dyer ëndrash Dyert e asaj që nuk ishte një hartë e re mageliane pas një zbulimi të ri, por një jetë që duhet të bëhej edhe më e begatë.
Të hapeshin dyert e këngëve për të dalë kanat më kanat zogu i shpirtit të shqiptarit. Të hapeshin dyert e shkollave e të cicërinin pambarim nxënësit e moshave të ndryshme. Qoftë edhe pak të moshuar që nuk donin të iknin nga kjo jetë pa parë dritën e ëmbël të diturisë.
Kam qenë këtë verë në Trojet amtare. Në Shkup i gëzoheshin një gazete që kishte emrin e qytetit ku do të dilte “SHKUP”. 100 vjet gazetë. 100 vjet shkronja shqipe. Gaz i madh qenka shkronja e gdhendur në fletë të bardha si të qe një mulli që asnjëherë nuk e ndalon trokashkën e bluarjes ku asnjë herë nuk iu mungonte uji që do ta lëvizte në dimër e në behar.
Në Preshevë i gëzoheshin librave që kishin shkruar e po shkruanin ende autorët e këtij qyteti e të rrethinave të tij për të hapur dyer të rinj të mençurisë. Në Prishtinë akoma flitej për abetare të njëjta. Për dyer që hapeshnin për të trokitur shqiptarisht gjithkund. Dyer kulture që të hap një këngë që mendohet kudo njëlloj të paktën në vargjet e saj dritëfanari.
E mbase do të jenë të rrallë kombet në tërë botën e stërmadhe që do të kenë kaq shumë vargje poezish e tinguj këngësh që t’iu jenë kushtuar gjuhës së kombit si te shqiptarët. Në këtë LLOGORE ku jemi futur të gjithë kush më shumë e kush më parë janë rreshtuar poetët më të mëdhenj si Budi, Naimi, Mjeda, Fishta, Agolli, Poradeci, Kadareja, pa folur për këngët anonime të popullit.
Ndërkohë që shumë para të mbledhuar me aq sakrificë u bënë gazeta e revista për lëçitëit e vegjël.Mos vallë kjo ishte dhe është një shenjë e “pushtimit” të të tjerëve?
Jo, ishte ëndrra që për shekuj e kishin mbyllur dyert e nuk e kishin lënë të fluturonte si zog i lirë në shpirtërat e në duart e njerëzve të një toke me Moshën e Diellit.
Dyert e hapura të Evropës i kemi patur sa e sa herë në këngë, në libra, në esetë e gjata të studentëve. Më tepër se në fjalimet diplomatike e në ekranet e televizorëve.
Po edhe në qëndismat e shumta të nënave e motrave tona ku ku kishte shumë pëllumba që e nisnin dhe e mbaronin fluturimin në një degë peme të tharë pa patur mundësi që të kishin një qiell të paanë. Në fjalimet retorike të politikanëve të të gjithë trojeve. Madje edhe të atyre që sot e vënë kokën në jastëkët me lule të Amerikës, Italisë, të Gjermanisë, Greqisë, Australisë, kudo. Dyert e vetvetes i kemi hapur në dasmat tona ku mbizotëron kryerurimi ”Të trashëgohet” njëlloj si të thuash “T’ju qëndrojë përherë e hapur dera e fisit!” Ashtu si mund edhe të mallkonim me të gjithë dufin e fjalës “Të mbetë dera pa miq! T’u mbuloftë dera me ferrë!” kemi patur të hapur edhe në mortet tona që nuk kanë qenë të pakët edhe nga zoti, por edhe nga luftrat që ngatërrohen me tespihet e një dore që i rrotullon pambarimisht. Në këtë ceremoni hyjnore të respektit për ata që do t’i mbulonte dheu (ku është dheu më i ëmbël se mjalta) kishim dhe kemi ezanet e këmbanat e kishave dhe një betim a të paktën një premtim për të mos i lënë kurrën e kurrës të mbyllur dyert e shtëpive dhe dyert e shpirtit tonë të sfilitur dhe fort të lodhur. Dyert e Hapura do të na ndjekin shumë kohë në përditshmërinë tonë. Atje ku djersisim dhe atje ku argëtohemi. Ku punojmë e ku pushojmë. Ku hapim dyert e shkollave dhe hipim shkallët e avionëve për të shkuar drejt botës së madhe. Se ende nuk kemi hapur dyert e bashkëpunimit. Shikoni tavolinat e lokaleve tona të panumërta! Sa debate ka, por ne nuk dimë ende se e tërë kjo energji na ikën kot, na ikën dëm ashtu si uji i një vije që ikën në rrugë të tjera. iqtë i trishton kjo derë e Mbyllur e vetvetes sonë. Fëmijët tanë ua mjegullon shikimin drejt rrugës që kanë nisur. Zilet e shkollave e venitin ëmbëlsinë e tringëllimës së tyre.
Urtia e kuvendeve bash si ajo Simbolika e Fshatit të Dyerve të Hapura duket se duhet të na vijë si zonja e Konakut tonë. Le ta mirëpresim këtë URTI e kurrë të mos zemërohemi me të.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.