8.5 C
Tiranë
E martë, 21 Tetor 2025

Mehmet Rrema

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

FRAGMENT NGA ROMANI KËNGA E FUNDIT

****
Tek dera e oborrit pa një makinë. Paska ardhur Albani, mendoi me vete dhe u nis me gëzim se mos do të kishte sjellë ndonjë lajm të mirë. Një djalë rreth njëzet e pesë vjeç qëndronte i mbështetur në kofanin e makinës. Skënderi qëndroi. Nuk ishte Albani. Ishte një tjetër fytyrë. E panjohur. Edhe makina nuk ishte e Albanit. Ishte makinë me targa greke.
-Mos jeni ju zoti Skënder, pyeti djaloshi sapo ai u afrua.
-Po ju kush jeni? Në sytë e Skënderit kishte ankth, frikë e pavendosmëri.
-Jam Xhon Dhima nga fshati Ullishtë e Vogël. Kërkoj zotin Skënder.
-Unë jam, urdhëroni. U afrua dhe i zgjati dorën që i dridhej si një degë e thatë fiku, që ishte gati të binte në tokë edhe nën peshën e një harabeli.
-Më duhet të jap një lajm jo fort të mirë , zoti Skënder.
-Mos, të lutem, mos. Çfarë ka ndodhur? E kanë vrarë? Ku? Fol të lutem, fol. Kush e ka vrarë? Qetësohu, zoti Skënder, qetësohu. Nuk është ashtu. Gruaja jote ka pësuar një aksident.
-Jeton?
-Po. E kemi dërguar për mjekim në Fier sot në mëngjes.
-Në Fier? Ne kemi mjekë më të kualifikuar në Tiranë, tha Skënderi, duke harruar të falënderonte djaloshin që kishte ardhur t’i sillte lajmin dhe që kishte shpëtuar Gëzimen.
-Më parë qetësohuni dhe dijeni që ajo është gjallë e nuk ka rrezik për jetën.
-O Zot, mua Nuro më tha se nuk kishte pasur asnjë aksident në orët e fundit.
-Aksidenti ka ndodhur tek ura e Përroit të Zi, Skënder e jo në Fier.
-Si? Ç deshi ajo atje, xhanëm? Nuk është e mundur. Mos është ndonjë tjetër, vëlla. Eja, hip në makinë të çoj atje, tha Xhoni dhe u drejtua për tek makina. Skënderi e mblodhi pak veten. -Jo, më parë të pishë një kafe. Më fal djalë se jam i hutuar dhe nuk di se çfarë flas e bëj.
Xhoni i tregoi për ngjarjen sa kishte parë dhe thëniet e Gëzimes, duke i thënë se ndoshta do të kishte të tjera arsye që mund t’ia thoshte vetëm atij. Mendoj se duhet të jesh i kujdesshëm, pasi besoj se ajo ka shumë për të thënë. Sidoqoftë një gjë dua të them: askush nuk duhet të di se ku ndodhet ajo. Duhet të presësh deri sa të vijë ai gazetari. Kaq di unë. Këto m’i ka thënë babai të t’i them.
-Edhe policia nuk duhet ta dijë?, pyeti Skënderi.
-Pikërisht për tani ajo nuk duhet ta dijë. Është Nuro që do të prishë punë në se e merr vesh. Rruga për në Fier kaloi shumë shpejt, pasi për fatin e tyre të mirë atë orë të asaj ditë trafiku ishte i pakët.
&&&&&
-Më thuaj pse ke frikë nga policia, pyeti Jani, sapo hyri në dhomën ku qëndronte e shtrirë Gëzimja. Ai as nuk e kishte vënë re se ajo qëndronte me sy gati të mbyllur. Dëmtimet që kishte marrë ishin të rënda. Doktori, një mik i Janit, pasi i kishte bërë me shumë kujdes të gjithë kontrollet e nevojshme e kishte garantuar se do të shërohej shpejt. Problemi kryesorë do të ishte njëra këmbë që mund t’i mbetej me defekt e do të çalonte përgjithmonë.
-Të thashë pse ke frikë nga policia. Ata vetëm do të shpëtojnë. Kij besim tek ata. Në se ka një apo disa të këqij, kjo nuk përbën masën e madhe të policëve të ndershëm.
-Ju lutem bëmëni çfarë të doni, mund edhe të më vrisni dhe do t’jua di për nderë, por mos më dorëzoni në polici. Mos më pyesni për asgjë se nuk do t’ju përgjigjem, tha ajo me zë të mekur. Sytë i mbante të mbyllur. Dukej shumë e lodhur. Lere të marri pak veten, tha doktori. Në këtë gjendje që është kjo nuk mund të thotë asgjë.
-Nuro Gjondeda na ka ardhur për të kërkuar në tërë fshatin. Ka hyrë në çdo ahur e në çdo nevojtore. Edhe gjermanët në atë kohë nuk na kanë kontrolluar e trajtuar kaq keq sa ai. Mos mendo se një ditë ai mund të mos vijë edhe këtu. Trego më mirë si është puna që të marrim masat tona për të shpëtuar, tha Jani. Ajo hapi sytë e frikësuar. Jani iu afrua. E di, zonjë se ai është me ata shokët e tij të trafikut. I njeh ti ata?
-Çfarë të tha? Gëzimja u mundua të hapi sytë. Buzët i kishte të thara e të plasaritura. Njëra faqe i qe nxirë, mavijosur dhe ënjtur. Njërën dorë të ndrydhur dhe tjetrën të thyer në parakrah të fashuar me shumë kujdes nga ana e doktorit, që kishte thirrur në ndihmë edhe dy shokë të tij të besës.
-Nuro të do ty, tha Jani. Sigurisht që do të vrasi. I kam dëgjuar një ditë që flisnin me shokët e tij. Ta dëgjoje se si i kërcënonte sepse nuk të kishin vrarë para se të hidhnin në humnerë. Fol çfarë kanë me ty, çfarë kërkojnë nga ti zonjë?
-Nuk e di.
-Je pjesëtarë e grupit?
Ajo heshti.
-Të bie më mirë të flasësh. Dije se je në rrezik. Ata të torturojnë e pastaj të vrasin, e di këtë apo jo?
-Nuk di asgjë, tha ajo. Zonjë, dije se nuk ke për të shpëtuar nga burgu. E mira jote është të tregosh shokët.
-Aman, vritëm këtu. Nuk dua të jetoj më. Nga sytë i dolën lot. Vritmëni ju e mos më dorëzoni asgjëkund. Varrosmëni ku të doni, aman, ma bëni këtë nderë. Jo, zonjë, ne duhet dhe do të shërojmë. Të kam sjellë këtu për të shëruar. E vrarë ishe atje në humnerë. E ke parë si ishte? E ke parë veten më keq ndonjëherë? Ke qenë jetëgjatë se në atë vend edhe hekur po të kishë qenë do të ishe bërë copë, copë. Të ka ndihmuar vetë Djalli apo, ndoshta Zoti, megjithëse nuk e besoj se Zoti i ndihmon ata që bëjnë keq. Trego si je lidhur dhe kush është i pari juaj. Jani këmbëngulte që të mund të nxirrte ndonjë fjalë e t’ia thoshte Albanit, por ajo heshtte.
-Jo, nuk kam asgjë për të treguar. Nuk di kush më ka hedhur. Nuk i njoh. Në se doni jetën time, ja ku më kini. Merrmani se do t’ua bëj hallall, vetëm mos më torturoni me pyetje. Nuk di asgjë, ju thashë, çfarë doni më shumë nga unë?
-Gënjej, zonjë, gënjej se për të zezën tënde e ke. Mua nuk ma hedh dot ti se unë i kam dëgjuar shokët tuaj që bisedonin. Ishin atje në kodër tek ullinjtë e mi. Unë isha ulur tek ulliri më i vjetër. E ka mbjellë gjyshi ima atë. Pesë rrënjë kanë mbetur nga të gjyshit. Të tjerët janë të babait. Kam mbjellë edhe unë. Do të mbjellë edhe djali im. E duam ullirin ne. Ulliri dhe deti na ka mbajtur dhe do të na mbajë. Tani ca të qelbur na e kanë ndotur zonën duke e përdorur për trafiqe, por shpejt do t’u vijë fundi edhe atyre. E di, zonjë se ata do të kenë një fund të zi. E njeh atë gazetarin? Alban, i thonë. Ai do t’ua nxjerrë të palarat atyre. Ndoshta edhe ty bashkë me ta. Ai do ta zbulojë rrjetin e Alqiviadh Libokës. Tani është në Itali se po kërkon një vajzë që mesa duket ju e keni shpënë atje për ta përdorur… I di këto ti zonjë. Gëzimja kishte mbyllur sytë. I shtrëngonte shumë se nuk donte të dëgjonte asgjë nga ata që thoshte ai plak i mallkuar.
-Mjaft, lëshoi një klithëm të çjerrë. Ju lutem mos më torturoni më. Mirë, mirë, si të duash. Ne po të lëmë të qetë, por ai do të vijë. Ai di se si t’i nxjerrë fjalët ty, se ne nuk jemi të zanatit, por desha të ndihmoj ty, moj mjerane. Unë di të mbjell dhe të rris ullirin e ky di të shërojë plagë. Fjalët t’i nxjerr ai. Do të kthehet sot apo nesër. E ka gjetur vajzën dhe po vjen. Për këtë edhe zoti Nuro është tërbuar. E di, unë e di. Nuk i dhemb shumë barku Nuros për ty, por ka hallin e saj. Ndoshta edhe ti ke lidhje me të. Unë dyshoj, po meqë do që të lëmë të qetë ashtu po bëjmë edhe ne. Gëzimja filloi të qajë. Doktori dhe Jani e panë efektin që bëri emri i Albanit tek ajo. -Ju përgjërohem vritmëni ju. Nuk e dua jetën më. Unë nuk do të pranoj as edhe mjekimin. Do të bëj grevë urie.
-Jo, moj! Si moj do të bëke grevë ti, pse ku kujton se je këtu, në parlament, hajde mendje hajde. Pranon apo jo të mjekohesh apo të hashë, ne nuk na vjen shumë keq. Po nuk hëngre bukë do të të ushqejë me serum doktori sa për të mbajtur në jetë derisa të vijë Albani. Bëj si të duash, por para atij djali do të nxjerrim. Aty nuk ke se nga luan, do të rrëfehesh si para priftit. Siç po shikoj dhe po përgjigjesh ti, na le përshtypjen se bën pjesë në grupin e trafikut. Kjo do të rëndojë shumë mbi ty. Ee, shteti nuk i fal trafikantët. E di unë e di. E di unë se ju të trafiqeve hani shumë koka, por në fund nisni e hani kokat e njëri tjetrit. Kështu ka ndodhur edhe me ty. Kjo do të ndodhë edhe me atë Nuron. Ke për të pa. E di unë e di se Libokët janë pasuruar me gjakun dhe nderin e vajzave shqiptare e të vendeve të tjera. I rripni, i vidhni, i shisni, ca i hidhni në det se nuk u binden, të tjerat i çoni atje në Itali dhe i bëni ashtu si i quani ju, po, i quani prostituta. Ç ‘emër i pështirë. Po, po, vilni shumë para ju. Pasuroheni, majmeni, po një ditë do t’i villni. Një ditë nuk do të ma ndotnin ullishtën time.
-Mjaft të lutem. Më lerë rehat. Vritmë të lutem e mos më torturo kështu. Kij mëshirë në ke Perëndi. Kam unë kam, Perëndi, po ju nuk dini ç ‘është Perëndia. Të zbulova moj shtrigë, të zbulova. Qenke e grupit t’i që nuk do të flasësh. Ja pse zoti Nuro deshi të vriste djemtë e tij. Deshi t’i vriste pse ata nuk të kishin vrarë ty. Ja kështu fillon ajo që e quani larje hesapesh ju. Ti do të kesh dijeni edhe për atë vajzën që kërkonte miku im. Tani i rashë në fije unë. E kam parë fotografinë e saj. Të betohem doktor, nuk kam parë vajzë më të bukur. Yll, ore yll i bukur ishte. E kanë gënjyer të shkretën. Prit, më duket se e quanin Hatije. Po, po Hatije. E bukur, e re, por fatzezë. Si nuk ju vjen gjynah që i lëshoni në dorën e të huajt? I vrisni, i digjni, i përdhunoni, i shisni e çfarë nuk bëni. Gëzimja qante me ngashërim. E vetmja fjalë që mundej të thoshte ishte “mjaft” “Ju lutem më vrisni” “Nuk di gjë”.
***
Nuro Gjondeda u la porosi “djemve”.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.