MOS MË NGIT..!
Mos më ngit të lutem në kufijtë e së pamundurës,
Mos më tërbo si dallga në të sajnë 1) zemërim,
Unë dhe ti jemi horizontet e së humburës,
Shpresë që endet qiellit kot, pa asnjë vegim.
Dashuri kërkoj prej teje në diell, hënë, natë a ditë,
Të tretem mbi trupin tënd fatlumë, të begatë,
Të shkrihem në klithmën tënde qetë, pa frikë,
Të vdes mbi ty, thjesht, pa u penduar aspak.
Botën dyshuese në burgje çmendie ta mbyllim,
Nuk pendohem edhe sikur përjetë të mbytemi,
Nën klithmat e tua të gojës, të zemrës e epshit,
Dhe të vdesim përtej kohës banale ku rritemi.
Të shkrihem në klithmën tënde pa frikë,
Të vdes mbi ty, thjesht, pa u penduar aspak!
____________________________________
1- Sajnë – Shkulm i madh uji që kthehet me vrull, pasi përplaset në një pengesë.