30.5 C
Tiranë
E dielë, 15 Qershor 2025

Mihallaq Qilleri

KRIMI I TJETRIT
-fragment nga novela “Gjeneralët”-
E di që proza mezi lexohet. Ndoshta për shkak të përtesës jo intelektuale
I kishte parashikuar të gjitha qysh pa u nisur nga shtëpia e saj. Dinte hotelin, sesa larg ishte ai, pat gjetur një taksi e cila do ta priste ndoshta gjatë te dera e spitalit. Biseda me mjekun e spitalit psikiatrik i përmbante gjithashtu të gjitha hollësitë; qetësimin e vështrimit të saj nga ankthi, habinë e infermieres, hapat e ndrojtura që do të hidhte Martini para se të hipte në makinë.. Të gjitha.! Ky qerthull mendimesh, parashikimesh deri edhe tek më e keqja, – dikush mund ta kishte ndjekur nga Tirana dhe të vinte në hotel, – e kishin bërë shumë të vetëdijshme. Synimi ishte të zbulonte përfundimisht një nga enigmat më të çuditshme të jetës së saj. Zhdukjen e Martin Çukës pikërisht disa ditë para fejesës së tyre..
Ja tek e kishte tani, aq afër. Aq afër! Një burrë i cili impononte dikur, në qytetin ku banonin, respektin dhe kureshtjen e grave. Jepte mësime matematike në gjimnaz, ndërsa Jonida qe maturante. Lidhja e tyre ndodhi krejt rastësisht, sikundër rastësitë zbulojnë mrekullitë e botës..Ata nisën të takoheshin fshehurazi, pastaj dikur ranë në sy të të afërmve të Jonidës. Martini qe emëruar aty pas fakultetit, ndërsa familja e tij, me sa tregonte, jetonte në Qytetin Verior.. Kjo qe një histori dashurie nga më të zakonshmet. Vajza ishte aq e dhënë pas tij, pas burrërisë, bukurisë, heshtjes, madje edhe druajtjes së tij sa e ndjente se kishte gjetur kalorësin më të mirë të jetës së saj. Por një ditë ndodhi diçka e papritur. Njëri nga vëllezërit e Jonidës e kishte ndalur në mes të rrugës profesorin e matematikës. Ia kishte thënë hapur se e dinte lidhjen me motrën e tij dhe se nuk mund të lejohej të vazhdonte kështu pa ardhur ai zyrtarisht në familjen e tyre.. Martinit i qe marrë goja. Kishte thënë shkurt se do të gjente kohën e përshtatshme..Ndoshta me të mbaruar shkolla e nisnin pushimet e verës..!
Takimet e tyre, megjithatë filluan të rralloheshin. Martini justifikohej se ishte kohë provimesh dhe se, as ai as ajo, nuk kishin mundësi të shiheshin si më parë. Ditën e dytë pas përfundimit të provimeve të maturës vajza mendoi se kishte ardhur dita ta shihte më shpesh njeriun që dashuronte. Por, nuk e gjeti më. Një mik i tij i tha se Martini qe nisur urgjentisht për në Qytetin Verior për shkak të një telegrami. Kaluan ditët, korriku mbathi flatrat e iku, ndërsa në gusht ata shkuan me pushime familjarisht në Durrës. Vajza ishte e tronditur nga zhdukja misterioze, por sidomos nga heshtja e njeriut të saj më të dashur…
Kjo qe një ikje pa kthim. Një ikje përvëluese, një ikje që asaj ngjante se çdo ditë i hiqnin diçka nga shpirti. Pastaj shkoi edhe viti, edhe vitet. Plaga u mbulua me një kore të trashë, jo aq të dhimbshme më, por gjithsesi e fshehur aty, brenda saj..Afro tridhjetë vjet! Askush nuk mund ta mendonte se jeta do të kryente ndryshimet e veta të bujshme, në fytyrë, në ndjenja, në tipare, në karaktere. Interesat e së përditshmet, por edhe hallet po shtonin tisin mbi plagën e përtharë, ndonëse herë pas here vetëtima kujtimesh i sulmonin mendjen me përvëlimin e një hekuri të nxehtë. Për fat, martesa i dha rastin të largohej nga qyteti ku kishte ndodhur ngjarja e bujshme, – zhdukja e tij e mistershme,- por edhe këndet që i ngjallnin kujtimet më të bukura.. Deri para disa muajsh..
Ajo i mendoi të gjitha këto duke qëndruar ashtu në këmbë në dritaren e vetme të dhomës së hotelit duke parë shtëpitë e ulta të lagjes së vjetër. Në ato minuta e harroi pacientin e saj të trishtuar dhe u habit kur e gjeti të ulur po aty, në buzë të krevatit, sikur të ishte ngulur në atë vend prej vitesh. Kjo harresë e bëri Jonidën të mallkonte veten.
– Sikur të mund të bëje një dush këtu, – tha ajo me këmbngulje.
Martini ngriti sytë e mëdhenj dhe e pa me vëmendje.
– Si të thuash ti,- tha si fëmijë i bindur.
Ajo e la ujin e dushit të rridhte nëpër vaskë sikur të donte të ngrohte disi mjedisin, pastaj u vu të zhvishte Martinin. Ai thuajse nuk lëvizte. Ndjente se nga rrobat e tij vinte një farë thartire dhe kjo e bënte të ishte më e vendosur në atë që bënte. Me vete i kishte sjellë ndërresa të reja, por edhe një kostum. Ja tek zbuloi edhe shtatin e tij.! Për herë të parë e shihte nga afër këtë trup, për herë të parë mund ta prekte siç kishte ëndërruar dikur, për herë të parë mund të mbështetej tek ai dhe… të qante. Pastaj e mori për dore, e futi nën shiun e dushit dhe nisi t’i fërkonte trupin. E prekte butë dhe qetë, sikur të kishte frikë se mos thyente diçka të brishtë, ndërsa shihej se ai nuk qe plakur aspak. I hipi një dëshirë e marrë të zhvishej edhe vet e të puthiste trupin e saj me të tijën. Sepse tanimë qe bërë qull dhe nuk kishte rëndësi në se..Ashtu bëri! Drithërima të ftohta përshkuan gjithë qenien e saj. Nisi ta përkëdhelte këtë burrë sa të panjohur, po aq edhe të afërt, një mister që nuk zbulohej gjëkundi. E puthi disa herë në buzë, në sy, në ballë.. Ashtu i lagur ai ngjante me të vërtetë sa një mashkull i pjekur, po aq edhe një fëmijë i rritur pakuptim. Veç.. Befas, vërejti se sytë e tij u mbushën me lot dhe e kuptoi se kjo nuk qe aspak mirënjohje. Vuajtja e tij shihej hapur. Ishte ndoshta çasti që nga humnerat e vetëdijes buronte një brengë shkretëtire e paprovuar ndonjëherë, një brengë që e mundonte shumë. Mund të sëmurej dhe..
Jonida Gosnishti doli me shpejtësi nga dushi. Hodhi diçka supeve, pastaj e tërhoqi jashtë vaskës së banjos edhe njeriun e saj. U vu ta fshinte me kujdes, pastaj t’i vishte ndërresat e reja, një palë pizhame gjithashtu dhe, së fundi, e luti të shtrihej në krevat. Sytë e tij po qetësoheshin dhe ajo e ndjente se frika dhe ndroja po largoheshin ngadalë si re shtrëngate në udhëtim. I buzëqeshi ngrohtë dhe u fut me shpejtësi në krevat. Ja tek e kishte përsëri të qetë, të ndrojtur, mirënjohës.
– Mart, ti mund të flesh, ndërsa unë nuk do të largohem asnjë çast së këtejmi, – tha ajo me sigurinë më të madhe.
– Nuk mund të fle, – ia ktheu ai me logjikën e një të shëndoshi. – Sepse nuk e di në se gjeneralët ikën nga shtëpia jote. – —
– Gjeneralët?,- u largua një pëllëmbë më tej ajo, – Cilët gjeneralë?
– Ata që vijnë e ikin tek ju..Dhe yt vëlla më ftoi të kërkoja dorën tënde mes gjeneralëve..
– O, zot, ç’po thua tani, Mart?
– Më mirë të ikësh, – tha ai shkoqur.- Unë nuk vij dot te shtëpia juaj..
Jonida Gosnishti heshti. E gjithë mjegulla e mbivendosur në trurin e saj edhe ashtu të tronditur, sikur e fshiu një erë e shpejtë. Iu kujtua se me të vërtetë te shtëpia e tyre ato kohë të dashurisë së tyre hynin e dilnin oficerë madhorë me lidhje të afërta me familjen, sikundër edhe vëllezërit e saj mbanin grada të larta. Këto qenë vizita të zakonshme dhe askush nuk mund t’i paragjykonte. Po ç’lidhje kishte kjo me dashurinë e tyre, me zhdukjen e tij? Si duhej ta zhbironte këtë të fshehtë që zbulohej aq me vështirësi, ndërsa pafajësia dhe naiviteti kishin mbushur sytë e Martin Çukës?
– Tani dua të fle dhe kur të zgjohem,.. – premtoi ai dhe vërtetë uli kapakët e syve.
Nuk mund t’i kërkonte asgjë më tepër. A nuk do të ishte e gjithë dita dhe nata e saj? Madje do të bënte mirë të ngrihej. Burri atje tej i ngjante një fëmije. U ngrit ngadalë, nuk ishte fort e sigurt se atë e zuri gjumi vërtetë dhe nisi të sillej nëpër dhomë..Befas, u shuan dritat. Jonida Gosnishti ishte përgatitur edhe për këtë çast. Nxori nga çanta pesë qirinj të trashë dhe i vendosi ku mundi nëpër dhomë. Tani mjedisi i ngjante një kishëze, ndërsa i shtriri në krevat si një i vdekur.
Ishte një dhomë aq e vogël hoteli sa nuk kishe ku të përplasje kohën. Dhe as dinte se sa zgjaste gjumi i tij. Preu një kokërr mollë dhe hëngri diçka. Atje ishin edhe ushqimet që pat sjellë me vete. Sepse nëpër restorante nuk mund të shkonte me një të sëmurë të nxjerrë me leje nga spitali psikiatrik. Pastaj u shtri përsëri në krah të tij dhe u mundua të mos i afrohej. Kur ja, befas, ai hapi sytë..
– U zgjova, – tha duke buzëqeshur.- Oh, sa bukur!,- shtoj kur vërejti qirinjtë e ndezur.- Tani mund të flas pa pasur frikë se gjeneralët e tu mund të më arrestojnë.
– Aspak, – i dha kurajë ajo – pastaj ti e di se ata kanë vdekur..
– Po, e di..- Rënkoi. – Unë kisha ardhur në qytetin tënd i fshehur pas një vrasjeje.
– Ti, ke vrarë njeri?! – pyeti ajo gjithë makth.
– Jo unë, babai. Por ai vdiq në fund të Luftës dhe ne u shpërndamë për të mos mësuar njeri vrasjen e tij..
– Cilin vrau? Për gjakmarrje?
– Jo, për Luftën..Ishte nënprefekt aso kohe dhe nuk i donte partizanët. Ndaj firmosi një urdhër. U vranë pesë veta. Edhe mbiemri im nuk është aspak Çuka..Ç’rëndësi ka tani se si ishte! E kam harruar edhe vet..Po të fejohesha me ty gjeneralët do të zbulonin mbiemrin, kupton? – pyeti me ankthin dhe vështrimin e të çmendurit.- Dhe ti nuk do të bëheshe kurrë e imja. Dhe motrat e vëllezërit e mi do t’i mblidhnin nga arratisja e do t’i futnin në burg. Për shkakun tim. Për shkakun tënd..
O, zot!, lëvizi ajo nga vendi. U ngrit nga krevati sikur aty të ishte vendi i krimit. Djali i një vrasësi, djali i një armiku, i një.. Me urdhër të tij qenë vrarë.. Po ç’faj kishte ky nëse babai i tij? Apo kishte lidhje?
Dhe kishte ndodhur e pabesueshme! Nuk mund të gjeje një sqarim më të saktë, më gjakftohtë e, njëherësh, më të lemerishëm se sa kjo që zbulonte pas tridhjetë vjetësh Martin Çuka, apo.. si e kishte mbiemrin! Truri i tij kishte funksionuar si një mekanizëm perfekt kujtese. Ndoshta kushedi sa herë i pat menduar këto fraza për t’i thënë në një çast amorf si ky..Si mund të ndodhte që njerëzit të ndaheshin aq tragjikisht për faj të të tjerëve?
Koha pat sharruar përbindshëm ndjenjën e saj të brishtë, ndjenjën e saj të njomë, aq sa e pat bërë të lemerisej ky njeri që jetonte me krimin e tjetrit brenda vetes. Mbështeti duart mbi shtrat dhe iu afrua më tepër vështrimit të tij. Martini ngjante aq i qetë, aq i pafajshëm dhe në vend që e vërteta ta trembte, sikundër pritej, e kishte lehtësuar.
Jonida Gosnishti hodhi tej rrobëdëshambrin e saj dhe u fut në krevat e u ngjit pas tij..
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.