20.5 C
Tiranë
E shtunë, 4 Prill 2026

Mihallaq Qilleri

A N O N I M

DETI I NJË PIKE LOTI

-letra e një gruaje të mirë-

____________________________

Jeta më ka çuar në shumë shtigje, poeti im, më ka njohur me shumë njerëz, me ka falur trishtime dhe gëzime. Me ka marr në krah që në vajzërinë time të largët, diku atje, te një skaj i thellë i Ballkanit. Më ka bërë të dashuroj dhe të më dashurojnë, më ka falur instiktin e të qenit grua, më ka falur mrekullinë t’i jepem dikujt dhe, pas kësaj, të mbys brenda vetes klithmën e rikrijimit të vet botës, nën peshën rëndore e patriarkale të një burri.

Sigurisht po ajo jetë më ka detyruar të ëndërroj blafsemi të ndaluara dhe, pas kësaj, të ndihem me faj. Në zgrip të rrëzimit të nxitoj t’i hedh sytë tek ai qe fle tashmë pranë meje, ndoshta pafajësisht, a ndoshta edhe ai si unë, në ato çaste të jetës duke u përkedhelur në lëndina livadhesh me ëndrra të ndaluara.

Ky mendim i fundit më ka bërë disa herë të guxoj t’i jepem shpesh më shumë kujtimit tim të fshehur e mëkatar, jo duke rishkuar në krahët e një burri tjetër realisht, jo jo, kjo kurrë nuk ka qenë në ëndrrat e mia, por duke guxuar si në një lojë. Pas kësaj i kam hedhur sytë sërish tek ai që fle pranë meje dhe ndoshta, poeti im, në ato çaste unë jam kthyer në një nënë të dhembshur për ‘të, dhe e kam marre në gji. E kam marrë në gji dhe i jam ridhënë atij me një mall më të madh, por me një mall edhe të trishtë.

Po sonte, duke folur me ty poet, duke e ditur se ti di ta lexosh shpirtin e një gruaje, edhe në këto çaste, po të them se jam duke ikur atij shtrati, atij qe fle pafajësisht në krahun tim dhe ndihem diku….ku….?…Nuk e di …Një çast me atë që jam në ëndërr, ndoshta bëhem grua, po sërish hedh sytë tek ai që fle pranë meje dhe i them..Jam jotja..ndërsa ai i ëndrrës mbetet veç një mall i largët. Ndoshta kjo është jeta,…Si një vallëzim i bukur, magjik; si një vals midis dy burrave; mes atij që frymon pranë trupit tënd dhe burrit të ëndrrës…

Dhe, befas, hap sytë..dhe bëhem përsëri po ajo gruaja e përditshme, ajo që gatuan, që shkon në punë, që pi kafe në një lokal diku ndërsa në mbrëmje shndërohem thjesht në bashkëshorte me një ëndërr brenda saj, a edhe një si nënë e dhëmbshur për atë qe ka pranë.

Nata është e imja, e imja e gjitha, ndërsa unë tashmë gruaja jepem dy herë… Mua më pëlqen shumë kjo! Ështe merita jote, poet i dashur, që më bëre të ndihem aq e lirshme e të flas me dikë për tema të tilla.

I dashur poet, unë të falenderoj që më fton shpesh herë të lexoj krijimet e tua, letërsinë tënde. Kjo është një ftesë që qartazi më thotë gjithashtu… më kupto mua dhe, nëse shikon tek sytë e mi mirësi, më vlerëso dhe ndoshta me duaj nga pak.

Këto nuk janë gjëra kaq të thjeshta, po unë me ty flas seriozisht dhe mundohem të lexoj në imazhin që kam para vetes, imazhin tënd prej poeti dhe burri. Mundohem që veten ta vendos në raport të drejtpërdrejt me ty, si adhuruese e poezisë dhe si grua.

Dua të filozoj pak, poeti im i dashur. Dua të flas lirisht duke e ditur se burri qe kam pranë vetes është po aq i emacipuar, madje deri në skaje. Dhe këtë e bëj para se të kem lexuar librin tënd të fundit për t’i provuar vetes se sa e saktë jam në gjykimin tim. Shpesh meditoj, meditoj me vete dhe më duket se magjia e një krijuesi është fakti se ai është bukur i mirë, sepse krijon një ishull të vetmuar dhe po atje ndërton një strehë për shpirtra të ndjeshëm. Në atë Ishull çon edhe një grua, një grua qe e do kaq shumë poezinë e letersinë në përgjithësi. Nëse këtë gjë do ta bënte një burrë i zakonshëm, pra, nëse ftesën për në ishull do ta bënte dikush tjetër dhe jo poeti, kjo grua do të mendohej gjatë per t’u nisur për në atë Ishull sepse, së pari do të besonte se ky burrë do ta donte vetem si femër ate. Do mendohej gjate në se po shkonte atje thjesht për të kryer ritin e lashtë sa bota mes një gruaje dhe një burri. Por kur të fton poeti në Ishull unë them se nuk duhet hezituar. Duhet shkuar urgjent! Unë them se i duhet thënë atij pa u menduar më tej, po vij me ty! Po vij me avionin e parë që të gjej. Veç ti me prit atje,.. në Ishullin tend Poetik.

Dhe te mendosh se poeti është edhe burrë, dhe te mendosh se ti je edhe grua. Sepse ndërsa je duke lexuar atje në ishull poezitë e tij, mund te ndodh që të flakësh tej librin dhe befas t’i ngulësh sytë mbi sytë e atij tjetri. Pastaj të ngazellehesh, dhe t’i pëshpëritësh me afsh se, po, ti qënke burrë!

Ky eshte një çast sa magjik aq dhe i sikletshëm për një grua.

Unë besoj se një herë në jete kjo grua dhe mund t’u thotë të shkojnë në djall rregullat dogmatike të moralit të kësaj bote, në djall vet bota që kam lenë atje pas në Tokë dhe ta pohoj këtë afsh para atij burri me fjalët më magjike.

– Dua t’i shikoj yjet përmes syve të tu!

Pas kësaj do të ndodh e mrekullueshmja. Mes duarve të tij, përmes frymës se tij, mes puthjeve te tij, mes pshertimave të tij, mes klithmave të saj, e ndjen se si rikthehet e gjitha në grua. Po, në një grua të vërtetë që me poetin- burrë nuk e lidhin ende lakmi jetësore. Le të themi përgatitja e drekes, po diçka tjetër. Ne ishull nuk ka kush te te shikoj, ne ishull nuk ka kush të degjoj veç natës. Në ishullin e tij nuk ka kush të përgojon. Njerëzimi është larg. Larg është po ashtu dhe shtrati i saj e, po aq, dhe shtrati i tij bashkëshortor. Tani ata janë shtrirë në shtratin e hënës…

Kjo ndodh në një çast mes dyzimit të gruas dhe burrit, mes poetit dhe adhurueses së tij. Pas kësaj, pas kesaj, ndoshta sytë e saj do të lundrojnë në detin e një pike loti, ndoshta po atje do të ketë edhe trishtim. Por ajo,.. ajo beson se do heq dikur nga vetja lëkurën e hënës, qe veshi kur ishte në krahet e tij dhe do vesh përsëri rrobat e saj të zakonshme..Ku ta dish, ndonjë ditë mund edhe do të të lutet me ankth përsëri.

– Të lutem, më dërgo serish atje ku isha!

Dhe ajo do udhëtoj përsëri për në Ishull sepse me poetin e vërtetë e të ndjeshëm nuk ka kurrfarë lidhje poshtërsie..E përsëri pas një ndërkohë atje do të zbres në shtratin shekullor, ku e prêt një burrë, ku e prêt edhe malli i tij. E kur të bjerë nata, – nuk e di në se do të ishte me hënë apo jo, – ajo do t’i jepet burrit te saj siç kishte ndodhur një jetë të tërë. Sigurisht do të ndihet keq. Por pasi të përpëlitet nga njeri skaj i shtatit te tjetri, më në fund mes klithma do të mund të pohoj..

– Po une ika poetikisht, burri im, ndoshta ika duke mos ikur! Ti tashmë më ndjej pranë, burri im..Më duaj si gjithmonë dhe unë do të të dua si përherë, pa fund…!

Pas këtij çasti, më e etur se kurrë, ndoshta ajo do të kryej me burrin e saj..ritin e lashtë…

Kjo është magjia qe të bën arti yt, poeti im i dashur.

Të falenderoj ty që më bën të flas e të mendoj kështu, ta vështroj botën kështu!

“””””””””””””””””””””

N E S Ë R
Në dhomën time të punës hyj në mesditën
E dielltë, të zakonshme, përkëtej perdeve.
Stivat e librave rëndojnë si copa kristalesh
Të qëmtuara nga minierat e çmuara të botës.
Fotografitë e prindërve të vdekur vështrojnë,
Sikur më kërkojne ndjesë që nuk mund të ulen
Edhe ata në tavolinën e përbashkët të drekës.
Por ja, thonë, shpejt do rikthehemi nga udhëtimi
Prej varrezave të lagështa të Nartës sonë.
Nuk e di se si do të jetë nesër ajëri i Tiranës,
Mineralet e ndryshkura të librave të mia,
Të panjohura do të mbeten sepse,
Minierat e mbyllura, të shembura, do ngjajnë
Si gropa humnerash të mbushura me ujë të turbullt,

Heshtja e personazheve të larguar edhe ata,

Cerga merimangash do pushtojë cepat e ankthit.

Siç do ndodh, pyes, kur në murin përballë do të jetë

vendosur fotografia e pasvdekjes sime?

____________________
______________________________
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.