“””””””””””””
MË DËRGO…
Më sill një zarf të lagur me shqetësimin tënd,
Me lotët e tu thaje pastaj nën hijen e mëngjesit,
Vrite natën e egër, barbare të dyshimeve,
Klithmën mbyte në lëngëzimin e buzëve,
Dhe mos harro se jam në ajërin tënd të mendimeve.
Më dërgo një lutje përulëse të pashkruar askund,
Në brezin e rërës vizato format e trupit tënd të dëlirë,
Në bregun e valëve nis e përkëdhel trishtimin e butë,
Pushto qiellin me retë e mykura të keqkuptimit, durimit,
Shuaji pastaj të gjitha me rrezet e buzëqeshjes së urtë.
Më dërgo trupin tënd të mahnitshëm, ma dërgo,
Përmes një shtrati tingujsh prej lire të Apollonit,1)
Më gjallo frymëmarrjen e mekur e do dëgjosh,
Sesi dridhem prej ethe-pritjesh mëkatare,
Sesi vdes e ngjallem për ty në ekzistencën bosh.
Më sill një zarf të lagur me shqetësimin tënd,
Me lotët e tu thaje pastaj nën hijen e mëngjesit.
“”””””””””””””””””””
SA TË ÇMENDUR…!
Të kujtova ditën e lumturimit tonë të paharruar,
Diku në mesnatën e gjatë të 13.13.13 – tës,
Të thashë se dridhem kur mendoj se kaluan aq vite,
Ndërsa ti mërmërite…ishim të çmendurit e vetëvetes!
Të thashë se këto vite kam ngjizur shpirtin tënd
Në timin egoizëm, në vlerën time të së vërtetës,
Të thashë se mezi pres të mbërrish në të njejtin vend,
Ti më the,… sa të çmendur ishim atë çast të jetës!
U drithërova prej foljes barbare në kohën e shkuar,
Më gërvishte shpirtin sot më shumë se heshtja,
Më fshive shpresën befasisht, me gjethe mbuluar,
Ti më the sa e çmendur paskish qenë dikur.. fundvjeshta!
_____________