13.5 C
Tiranë
E premte, 1 Maj 2026

Mihallaq Qilleri

DO TË TË MARR..
Do të të marr përdore, butë e qetë, mikja ime,
E do të të shpie në shtëpinë time të lindjes;
Një gërmadhë magjike e mbetur mes kaltërsive,
E, siç drithërohemi me kristalet e padukshme,
do të të them thjesht….
Këtu linda unë,
Pastaj ika për të të gjetur ty.
Ti do habitesh me gurët e kërleshur ,
Me tjegullat e copëtuara e,
Me sepetin e nënës time kapakthyer nën gërmadha.
Do drithërohesh një çast e pastaj,….
Pastaj do shohësh qiellin e larë me dritë.
Ti do mësosh se këtu kaltëria është magjepëse,
Se mirazhet e fushëkripores sajojnë përralla arabe,
Se petavrat e çatisë mërmërisin ende zërin e gjyshes,
Kur netëve për të fjetur më kujtonte çakejtë
që vinin dimrit nga Karabruni .
Në vend të mrekullisë aristokrate ti do gjendesh mes gurësh
Prej gipsit të rrëmuar thellë në Kodrën e Çifutit.
Dhe unë do ndihem i lumtur kur të të them,
Se sapo linda këtu mendova së pari për ty..
Dhe do të të marr përdore pastaj
Në gërmadhat e urisë sime për ëndrra të mëdha.
___________________Mund të jetë një imazh bardhezi i fëmijë dhe në këmbë

JETA E ARTISTIT PA MEKATE DO TE ISHTE TEPER E VARFER!
Anketa – A e shpëton arti shpirtin nga mëkati? (11)
Përgjigje nga Mihallaq QILLERI, shkrimtar, poet
Pyetja juaj eshte teper komplekse per shkak te interpretimeve qe sjell ne vetvete fjala MËKAT. Ne fjalorin e gjuhes shqipe mekati konsiderohet si shkelje e rregullave dhe porosive fetare, veprim i dhunshem a i turpshem e njëherësh i dënueshëm, sikunder nje gabim shoqëror, etj. Por mëkati ka te njeriu trajtën e vet biologjike dhe mund të trashëgohet, sikundër edhe mund të shërohet.
Ajo që e bën interesant mëkatin si term është kompleksiteti i kendvështrimit ndaj tij. Ka gabime e faje njerëzore që dikush i quan apo i konsideron të tilla, sikundër dikush tjetër i quan normale. Në këndvështrimin fetar këto kundërshti thellohen edhe me tepër. Nëse për një fe nje grua e zbuluar ( pa mandile, pa fustan të gjatë, etj) mëkaton, për të krishterët në përgjithësi kjo nuk përbën kurfarë mëkati.
Kur është i dhunshëm dhe kriminal mëkati dënohet nga ligji. Kur është pjesë përbërse e karakterit dhe nuk dëmton shoqërin, mëkati përgjithësisht është i lirë të bredh në mendjet njerëzore. Arti eshte nje shprehje superiore e mendjes njerëzore dhe si i tillë ka vetinë e vet tepër personale. Në të kaluarën edhe vet arti është quajtur mëkat, sikundër janë konsideruar veprat e piktorit të madh El Grecco në Spanjën e Mesjetës, apo Paganini me violinen e tij në Italinë e shek. XVIII.
Problemi tjetër është në se vet artisti ( shkrimtar, poet, piktor, muzikant, etj…) ndihet, apo gjykohet nga të tjerët si mëkatar. Nëse ai nuk ka kurfarë lidhje me këtë përcaktim, atëhere edhe krijimtaria e tij nuk ka lidhje me mëkatin.
Personalisht mendoj se qeniet njerëzore në kompleksitetin e gjykimeve të epokave të ndryshme shpërfaqet gjithmonë si mëkatare. Ky është një përcaktim jo aq i saktë, sidomos për ata që vuajnë, shqetësohen e përpiqen të korigjojnë diçka në jetën e të tjerëve. Nga këndvështrimi im mund të them lirisht se një jetë artisti pa mëkate të vogëla, ( i veçuam ato nga mëkatet e rënda), do të ishte tepër e varfër. Kontradikta midis moralit të publikuar e të quajtur shoqëror e mendimit mëkatar që gjëndet në trurin e çdo njeriu, krijon shkallën e lartë të brerjes së ndërgjegjes pa të cilën nuk mund të krijohet vet arti. Arti qëndron gjithmonë një hap më përpara grumbullit të kodeve morale të një kohe të caktuar dhe si i tillë shkakton keqkuptime, por edhe ndijime të mrekullueshme për njeriun.
Si i tillë arti as e shpëton as e mbron shpirtin e artistit nga kjo fryme mëkatare që rrethon qeniet njerëzore. Arti i vërtetë liron shpirtin jo nga mëkatet, ( domosdoshmërisht), por nga konflikti që ndjen artisti me botën ku jeton.
Përcaktimi im natyrisht u shmanget konteksteve fetare për mëkatin..
Intervistoii -Haxhi Muhaxheri
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.