Troket një portë shpirti, sa lart, sa poshtë,
Troket në ajërin e ndenjur të ndjenjës vet.
Troket në humnerën e ëndërrave bosh,
Troket, troket, e askush, nuk dëgjon, s’pyet.
Troket një ndjenjë dremitëse e lënë jetime,
E zhveshur, e lagur nën një shi të butë harrese,
Troket një natë e errët, e verbër në mendime
Një jetë që meket, përpëlitet, një jetë pendese.
Troket… Vetëtin një qiell që ndrin e shuhet,
Mbi ballin, trupin, zemrën, sytë, vetminë,
Nuk mbyllen kështu portat, o grua, o femër,
Mos e vrit aq thjesht jetën, i shuan bukurinë.
Troket një portë shpirti, sa lart, sa poshtë,
Troket në ajërin e ndenjur të ndjenjës vet…..
_________________