12.5 C
Tiranë
E enjte, 23 Prill 2026

Mimoza Çobo

ZGJOMË QË PA GDHIRË!Fotografia e Mimoza Çobo

Nesër, nënë,zgjomë që pa gdhirë,
pa pikuar vesa e brymtë mbi bar,
pa çelur dielli sytë e zjarrtë mirë,
pa kënduar pullazeve gjeli i parë.

Zgjomë se presin zogj shtegëtarë,
presin përlotur me sytë përdhe,
rrotull vërtiten shpend grabitqarë,
ndaj,moj nënë,braktisën çdo çerdhe…

Një degë molle vendosma në gji,
flokëve të bjerë pjeshka e vjetër,
të bekuarën puthje lerma ballit,ti,
se udha e mërgimit është e egër.

Mbrëmjeve kur erë e veriut të fryjë
e gjethja e mollës me dhimbje të bjerë,
ti mos rri përmalluar që acari të ngrijë,
kur befas shfaqem baçes si njëherë.

Ah, moj nënoke,për ty,jam në merak,
për zemrën e vrarë e mallimet e tua,
syrin që derdh ndonjë lot fsheharak,
e fluturimthi vjen e më pushton mua!…

Ti mos ki derte,do të vij pa gdhirë,
pa pikuar vesa e brymtë mbi bar,
pa çelur syrin e zjarrtë dielli mirë,
pa kënduar pullazeve gjeli i parë.

©copyright reserved Mimoza Çobo

EVË ME ZEMËR TË GJYSMUAR

Fotografia e Mimoza Çobo

Gjumë për ty netëve s’kam fjetur,
si qiri nën yll jam tretur.
Ëndrrës nuk më ke kërkuar,
qysh pas natës së bekuar.

Qysh pas natës së bekuar,
mbeta plagë e pa mjekuar,
mollë e ngrënë,e përçmuar,
Evë me zemër të gjysmuar.

Evë me ëndërr të mërguar,
nëpër fllade e lënduar.
Evë e tretur,si asnjëherë,
muzgjeve vetëm nëpër erë.

Muzgjeve vetëm, si asnjëherë,
kërkoj shpirtin tim të mjerë ,
nëse një ditë vjen e më gjen,
‘’bukuroshe e fjetur ‘’do jem.

Të luash me mua,s’është e lehtë,
të turbulloj,sa të kesh jetë
dhe kur frymë më të mos kesh,
afshin tim në varr ta ndiesh.

Se nën tokë futem si dredhkë,
fijet shpirtit ia shpërdredh,
të ngjall me frymën e shenjtë,
që të vuash edhe një jetë…

©copyright reserved Mimoza Çobo

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.