E PËRJETSHME SI GJITHËSIA
O Zanë bjeshkëtare, më laj me ujë dëbore,
mbështillmë të tërën,me lule dorëzonje,
kur të zgjohen njerëzia agimeve,si përherë,
askujt mos i thuaj pse vdiqa këtë herë.
Mos ju thuaj pse shpirti është bërë thërrime,
pse jam mal i thatë me hidhërime,
thuaju ,fllad’ i bjeshkëve rrjedh në buzën time,
bashkë me ujëvarat e lartësive alpine.
Thuaju, zemra s’më fjeti,as syri s’fjeti kurrë,
në mjegullat e mortjes ëndrra s’u rrudh,
në djepin e përmbytur nga dallgët gjithkund,
plagët e shpresës fashova me mund.
Që të kthehem sërish në dejat e pranverës,
atje ku përrenjtë mbartin vrullin e jetës,
ku çdo fllad ka në thelb aromën e femrës,
ku s’më deshën sa i desha,me forcën e zemrës.
O Zanë bjeshkatare,më laj me ujë dëbore,
hirin shpërndaje nëpër lule bjeshkore,
që bleta e parajsës,ta çojë nektar në hoje,
për filizat e rrënjëzuar në të miat troje.
Se jam “toka e avulltë”,ku mbin fara e jetës,
jam rrezja diellore, në syrin e shpresës.
Mbështillmë,moj Zanë,me klorofilin e jetës,
të zgjohem në pranverë,si sythat e pemës.
©copyright reserved Mimoza Çobo
“””””””””””””””””””””””””
AI NUK ERDHI…
Sytë e saj mbetën derës ngujuar,
dorezës,ku kërciste ngrica fjollë,
gishtat e rrudhur dhe të sajat duar,
mbi të kishin mbetur qëkur njollë.
Priti nënëmjera, natën e shkuar,
natën kur vitet u përshëndetën,
ajo vetmuar jashtë kishte qëndruar
e lotët ndër sy nuk iu tretën.
Dhe priti gjersa yjet u fikën qetuar,
drejt së ëmblës folezë qiellore,
strukur nën jorgan shpirtdrithëruar,
si zogu,kur ndien stuhi dëbore.
Mbeti duke pritur të birin tek dera,
me mall në buzë e pret e mjera,
pret të vij qeshur siç vjen pranvera,
sa vite me lot ka larë nënëzeza…
Ai nuk erdhi,as kur kishte aguar,
as kur vesa nënën kishte lagur,
as kur rrezja e qetonte me duar ,
as kur pritja flokët ia kish zbardhur…
©copyright reserved Mimoza Çobo