Gëzuar Ditën e bekuar të Pavarësisë !
“Ne jemi shqiptarë dhe e kemi për detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe, stoli e maleve të larta dhe e qiellit.”( Noli )
BASHKË ME TY,MËMËZONJA SHQIPËRI
Dridhmë je, e imja Mëmëzonjë,
psherëtimë vale,që më gjunjëzon,
aromë bjeshke,me hap të lashtë,
fllad magjik,që rrjedh në asht.
Ke moshën e gurit,o Mëmëzonjë,
tempull lashtësie me shqiponjë,
vallen shekujve,ke hequr rëndë,
kur buza rridhte gjak në këngë.
E hijshmja ime, Mëmëzonja,
perëndeshë bukurie në shqota,
kush të njohu e s’i dhe muzë,
kujt s’i mbete fllad ndër buzë.
E ç’janë, yjësitë e Perseut,
kur ndrin qiellit të Mesdheut,
fiken galaktikës, pa u ndjerë,
se ti yllëzon, mbi yjet e tjerë.
Ti derdh argjend netëve të vona,
shpërgënjve qëndisur me ojna,
tek pret foshnje ngjarë prej teje,
se kanë gjakun tënd ndër deje.
Kur mbi ty bien re të errëta,
syri yt u hedh shigjeta,
ti s’duron dot, t’i prekin trojet,
as livadhet,malet, krojet.
Shpirtit të mundon një brengë,
brengë e kthyer tashmë peng;
Kur ul bijtë të gjithë në sofër,
Çamërisë s’ia mbanë dot lotët.
Kosovës s’ia shuan dot mallin,
ndonëse ia ke puthur ballin.
Si duron,e mira ime,Mëmëzonjë
pa i vënë Shën Naumit qiri mbi kokë.
Baca Isë, ia merr këngës i pari,
tinguj lahute nxjerr nga varri,
mos derdh lotë,imja Mëmëzonjë,
ison ia mbanë Ismaili në Vlorë.
Klithmë e Ulqinit dhe e Gucisë,
ballit të lidhi sharpin e zisë.
Oh,Mëmëzonjë, kjo dhimbja jote,
kullon gjak dhe lotë ndër mote.
Dhe në brengë,imja ,Mëmëzonjë,
buzëve pjalmon,si dorëzonjë,
shëron plagë e shëron derte,
gjirit mbanë shumë amanete.
Unë dhe ti,e mira ime Mëmëzonjë,
bashkë derisa këto troje të rrojnë,
piskamë e heshtur jemi në këtë botë,
jemi klithma dhe bukuria e planetit Tokë.
©copyright reserved Mimoza Çobo