4.5 C
Tiranë
E shtunë, 22 Mars 2025

Mimoza Çobo

Gëzuar Ditën e bekuar të Pavarësisë !

“Ne jemi shqiptarë dhe e kemi për detyrë të mbetemi siç qemë prej kohe, stoli e maleve të larta dhe e qiellit.”( Noli )

BASHKË ME TY,MËMËZONJA SHQIPËRI

Dridhmë je, e imja Mëmëzonjë,
psherëtimë vale,që më gjunjëzon,
aromë bjeshke,me hap të lashtë,
fllad magjik,që rrjedh në asht.
Ke moshën e gurit,o Mëmëzonjë,
tempull lashtësie me shqiponjë,
vallen shekujve,ke hequr rëndë,
kur buza rridhte gjak në këngë.
E hijshmja ime, Mëmëzonja,
perëndeshë bukurie në shqota,
kush të njohu e s’i dhe muzë,
kujt s’i mbete fllad ndër buzë.
E ç’janë, yjësitë e Perseut,
kur ndrin qiellit të Mesdheut,
fiken galaktikës, pa u ndjerë,
se ti yllëzon, mbi yjet e tjerë.
Ti derdh argjend netëve të vona,
shpërgënjve qëndisur me ojna,
tek pret foshnje ngjarë prej teje,
se kanë gjakun tënd ndër deje.
Kur mbi ty bien re të errëta,
syri yt u hedh shigjeta,
ti s’duron dot, t’i prekin trojet,
as livadhet,malet, krojet.
Shpirtit të mundon një brengë,
brengë e kthyer tashmë peng;
Kur ul bijtë të gjithë në sofër,
Çamërisë s’ia mbanë dot lotët.
Kosovës s’ia shuan dot mallin,
ndonëse ia ke puthur ballin.
Si duron,e mira ime,Mëmëzonjë
pa i vënë Shën Naumit qiri mbi kokë.
Baca Isë, ia merr këngës i pari,
tinguj lahute nxjerr nga varri,
mos derdh lotë,imja Mëmëzonjë,
ison ia mbanë Ismaili në Vlorë.
Klithmë e Ulqinit dhe e Gucisë,
ballit të lidhi sharpin e zisë.
Oh,Mëmëzonjë, kjo dhimbja jote,
kullon gjak dhe lotë ndër mote.
Dhe në brengë,imja ,Mëmëzonjë,
buzëve pjalmon,si dorëzonjë,
shëron plagë e shëron derte,
gjirit mbanë shumë amanete.
Unë dhe ti,e mira ime Mëmëzonjë,
bashkë derisa këto troje të rrojnë,
piskamë e heshtur jemi në këtë botë,
jemi klithma dhe bukuria e planetit Tokë.

©copyright reserved Mimoza Çobo

“””””””””””””””””””””””””””””””””””””””””

DHE PËR SA KOHË…
Dhe për sa kohë do ma prisni trupin në copa,
nën klithma korbash do më murosni të gjallë,
dhe për sa kohë do më gremisni nëpër gropa,
bashkë me foshnjën që përpëlitet në bark ?!…
Dhe për sa kohë do më lidhni me zinxhirë
dhe për sa kohë do më shisni në treg të zi
dhe për sa kohë do më qani nën qiell të hirtë,
oh,dhe sa kohë do mbaj në qafë një lak si ky?!…
Dhe për sa kohë do jem një kukull manikini,
një lodër që e përdorë, si të dojë burri,
një klithmë llahtarë,që ju ndjek kudo që vini
dhe për sa kohë do thyhet mbi mua druri ?!…
Dhe për sa kohë do më tretet plumbi në zemër,
dhe lastarët e gjakut do kuqëlojnë dheun e zi,
dhe për sa kohë do më përbaltet i bukuri emër,
nga lindin e përtërihen rrënjët e vendit tim ?!…
E ç’rëndësi ka se nga vij dhe kush jam,
jam thjeshtë një grua ,një hyjni ,ja ç’jam !…

(Shkëputur nga vëllimi poetik “Ah,sikur ta dije !”)

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.