Po nis një javë e veçantë për shumë studentë të Universitetit të Tiranës, të cilët do të mbrojnë diplomat. Ua njoh emocionet, pasi përballë kësaj sprove ndodhen edhe studentët e mi.
Uroj që t’ia dalin mbanë me sukses, tani, në këtë etapë të fundit të formimit të tyre në shkollë, e më tutje në sfidën e rradhës, atë të PUNËSIMIT, që mbetet shqetësim i madh për ta dhe familjet e tyre. Edhe Universiteti i Tiranës duhet e do ta ndiejë më fort këtë problem.
Në platformën time kam kërkuar që pranë çdo fakulteti të ngrihen qendra efikase të zhvillimit të karrierës, me kontributin e studentëve të nivelit master apo doktoratë. Do të vendoset një sistem lidhjeje e komunikimi me të diplomuarit tanë ndër vite, të cilët mund të informojnë, inkurajojnë dhe ndihmojnë njëri-tjetrin, si një aleancë funksionale në dobi të orientimit, këshillimit dhe punësimit të studentëve të sapodiplomuar.Do të punohet për krijimin e lidhjeve me institucionet shtetërore, organizatat jofitimprurëse, Shoqëritë Tregtare etj., që operojnë në fushat përkatëse të diplomimit, sidomos përmes realizimit të praktikave profesionale pranë tyre.
Çfarë mund të bëjë më tepër UNIVERSITETI PËR TË MBËSHTETUR TË DIPLOMUARIT E VET? Kushdo që ka një ide më shumë, është i ftuar ta ndajë me ne. Në veçanti, studentët shqiptarë jashtë vendit mund të na japin eksperiencë se si kjo çështje funksionon pranë universiteteve të tyre.
SUKSESE STUDENTËVE NË SPROVËN E DIPLOMIMIT!