Tregim shkëputur nga libri *Zarfi i pahapur*
që po botohet nga shtypshkronja
*Lena Graphik”
-Beni, o Beniii! Ngrihu se të vajti vonë për punën!
Si bubullimë iu duk zëri i Sofies të fejuarës kur e zgjoi nga gjumi.
-Ç’është? – tha Beni dhe u ngrit vërtik në këmbë nga krevati.
– Të zgjova! – iu përgjigj Sofia. As zilen e orës, as të telefonit dhe as thirrjen time nuk e dëgjove.
-O, sa gjumë të thellë paskam fjetur! – shtoi pas pak.
Kokën e ndiente të rëndë sikur të kishte mbi të një kazan me ujë.
-Ah, sa doja të shlodhesha sot e ta bëja pushim! – i tha të shoqes dhe u shtri përsëri në krevat.
-Shlodhu! – ia ktheu ajo. Mirë do bësh se ke kaq kohë që s’ke bërë pushim. Duhet të marrësh veten! – e këshillon duke e puthur lehtë në buzë.
Si mushti i verës iu duk puthja e saj. Nuk iu durua tundimit të ndjenjës që i vlonte si lavë vullkani në kraharor. Magjepsej në parfumin e lëkurës së saj të bardhë në aromën e trupit si magnet.
E mbulon me të puthura në sy, faqe, në gushë, në buzë dhe ne gjoksin e saj pa u përmbajtur.
Në afshin përvëlues e rrëmben të dashurën mes krahëve në kraharorin epshndjellës. Ia ndien të rrahurat e zemrës së saj dhe të tij njëkohësisht si zemreku i orës, tik-tak, tik-tak.
-Të dua! – i pëshpërit ngadalë i ndezur flakë dhe djersët e ftohta i pikonin pikë-pikë mbi trupin afshrrënqethës të Sofies. I dehur në bukurinë e epshit rinor, nën çarçafët e bardhë pupëlin notonin në dashuri. Ishin të dy të rinj.
Ngjanin si dy zogj në telat e korentit shumëvatësh duke u mbështetur tek njëri -tjetri. Si fushë magnetike që kërkonte busullën u shfaqej pasioni që pozonte orë e çast.
-Ti je jeta ime! -belbëzon Sofia, e dorëzuar si një pulëbardhë në gjirin e të dashurit të saj.
E donte edhe ajo marrëzisht.
Ashtu të përqafuar, si dy trëndafila
të porsaçelur në argëtim kënaqësie, i zuri gjumi. Kishin kohë që nuk kishin kaluar të tillë çasti lumturie si sot.
Që të dy punonin me orë të gjata. Sofia studionte në Universitet paradite për mjekësi. Beni kishte hapur një furrë buke dhe pastiçeri duke qënë pronar vetë. Mbas dite punonte dhe Sofia duke ndihmuar të shoqin.
Nga ankthi i punës së përditshme dhe stresi i ditës dashuria e tyre, ngjante si filmat dokumentarë pa zë.
Por interesin, përkujdesjen, adhurimin për njëri-tjetrin nuk e harronin asnjë çast. Edhe pse ndonjëherë ndodheshin në distancë, në çdo moment flisnin në telefon. Të dy, të dehur nga afshi joshës përfytyronin takimin e tyre të parë.
Si në ëndërr iu shfaq ajo ditë si ishin njohur.
Beni ishte ftuar nga miku i tij i ngushtë në ditëlindjen e vajzës së vogël, Irenës.
I bëhej qejfi që miku i tij kishte ndërtuar folenë familjare. Bashkë ishin shokë fëmijërie, duke ecur kalldrëmeve të mëhallës dhe përsëri fati i bashkoi në emigrim. Aty në ditëlindjen e Irenës së vogël njëvjeçare njohu Sofien, si mike e ftuar. Që me shikimin e parë ata kryqëzuan dëshirën kureshtare të afroheshin më shumë me njëri-tjetrin.
Dashuri e magjishme!
Po, po ashtu e quaj se me atë emër pagëzuan edhe të rinjtë.
Gjatë darkës në ditëlindjen e vogëlushes këmbyen fjalët e para të prezantimit.
E mbas mbarimit të festës, Beni e propozon ta shoqërojë për në shtëpinë e saj. Sofia pranoi. Ajo kishte një parandjenjë, sikur të ishte ortaku i fatit të saj që i trokiti aq shpejt çmendurisht. Në prag të shtëpisë, në mesin e natës në vezullimin e yjeve u puthën për herë të parë. Ashtu pa u njohur, pa ditur për jetën e mëparshme të secilit, pa komplimente të mëdha, pa filozofi fjalësh hyjnore, shprehën dashurinë e bukur. Si zjarri i oxhakut që bubullon xixat kur digjen shkarpat, ju lindi dëshira të bashkëjetonin të dy.
U fejuan brenda javës. Ashtu shpejt, sikur koha do u rrëshqiste nga duart në pellgun e burimit drejt rrjedhës së saj.
-I riu si veriu! – nuk thuhet kot kjo proverbë e nxjerr nga gojëdhënat.
Të përhumbur në ëndrrat e pasionit, i zgjon zilja tinzare e telefonit.
-Ngrije! – i tha Sofia. -Duhen të jenë punëtorët e kushedi ç’problem do të kenë.
-Jo! – ia ktheu Beni dhe u kthye nga e dashura.
-Sot do rrimë bashkë e s’u bë kiameti se nuk vajta në furrë, – shtoi pas pak.
-Por, ti përgjigju njëherë se kushedi ç ‘ka ndodhur! – këmbënguli Sofia.
-Ata radhën e punës e dinë më mirë nga unë që jam mjeshtër! – foli me kërshëri.
-Mjeshtër si ti nuk ka! – e përgëzoi ajo duke qeshur.
Për çudi, dhe zilja e telefonit nuk pushonte. Zgjati dorën drejt komodinës dhe rrëmbeu receptorin si me inat.
-Sot e vendosa të bëj një ditë pushim dhe këtë do ma nxjerrin prej hunde! – vazhdoi bisedën duke folur në telefon.
-Alo! Ju lutem! – fjala i mbeti në grykë dhe u preh menjëherë në fytyrë.
– Ç’patë? – e pyet vajza
-Ç ‘ka ngjarë?
Beni u ngrit si shigjet nga krevati. E humbi torruan e s’dinte ç’të fliste. U hutua.
-Po fol të shkretën! – vazhdon Sofia duke iu afruar afër.
Ç’të shihte! Beni i kishte mbushur sytë me lot e dridhej.
– Çfarë ka ndodhur? – e pyet përsëri.
-Nëna është shtruar në spital, në gjendje të rëndë. -Kështu më tha dajua im! – i shpjegon pas pak.
-Vër nja dy ndërresa në çantë, se do iki! – i foli me gjysëm zëri.
-Jo vetëm, do ikim bashkë! – i tha Sofia.
-Jo! – ia ktheu Beni prerë.
-Ti nesër ke provimin e fundit e s’duhet të mungosh! Të shkon gjithë ky vit dëm, gjithë ai mundim që ti ke studiuar.
Ai mendonte sa me vështirësi e kishte fituar bursën ajo se në emigrim është shumë e vështirë të shkosh në Universitet në degën që do.
-Po, punë e madhe! – tha ajo.
-Do vazhdoj vitin tjetër përsëri tek përgatiste valixhen me rroba.
-Mos këmbëngul! – i tha ai.
Ashtu me nxitim veshi këpucët e pa lidhur lidhëset drejtohet tek porta si rrufe.
-Si do udhëtosh vetëm, o Beni? Është rrugë e gjatë dhe në këtë gjendje që je ti i shqetësuar! – i thotë duke e përqafuar.
– Nuk e kam për herë të parë! – ia ktheu të fejuarës duke e përshëndetur.
Mori çelsat e makinës dhe iku rrëmbimthi.
-Harrove telefonin! – i thirri Sofia nga pas.
Ai fluturoi si era që lajmëron shtrëngatë dhe nuk e dëgjoi zërin e saj.
-Sa keq që harroi telefonin! Po si do flas me të gjatë udhëtimit? Po sikur ta zërë gjumi në makinë?
Rruga ishte e gjatë deri në vendlindjen e tij.
-Po sikur ta zërë ankthi nga shqetësimi të bëjë ndonjë karambol?!
Torturonte veten Sofia me një duzinë pyetjesh që e turbullonin në kokë.
Beni, nga meraku që e brente, ngjante si rrufeja kur vetëtin papushim.
Me duart e tensionuara në timon nuk e kuptonte gazin e shpejtësisë që kishte shkuar në fund. Ndoshta kishte shkelur dhe rregullat e qarkullimit e ku ta ndiente. Rrotat e makinës rrëshqisnin në asfalt, ndërsa Beni përfytyronte kujtimet e së kaluarës. Numëronte me veten e tij sa herë kishte tentuar të kalonte kufirin për të hyrë në Greqi.
Mbi 10 herë ishte përpjekur, duke udhëtuar kilometra të tëra, por gjithmonë për fat të keq, kapej nga policia apo ushtria. Iu kujtua për herë të parë, kur e kapën afër Janinës, lart në mal ushtria. E kishin rrahur aq shumë sa dhe shenjat e plagëve, aty-këtu dukeshin si nëpër mjegull. Kur e pa nëna në atë gjendje, i bie të fikët.
-Ah, moj nënë, sa të kam lënduar shpirtin! – fliste me veten Beni.
Përveç jetës së vështirë, t’u shtua meraku dhe për mua.
-Oh, nëna ime e dashur!
Djalit i thërriste shpirti nga brenda, si të ishte një peshore, midis halleve të tija dhe vuajtjes së nënës. I kujtohej një ditë dimri e ftohtë kur ecte mes dëborës të kalonte kufirin. Nuk ishte e lehtë. Të zgjidhte rrugën e xhadesë, të kapte policia! Duhej të ecje nëpër male, por dhe ajo me frikë nga ushtria. Kishte kujtimin më të hidhur kur mendonte ngjarjet. Aty në mal të Janinës mbushur me borë shoku i tij ngriu nga të ftohtit. Oh, nuk e harronte atë skenë kur në duart e tij ndërroi jetë. Pas një jave në një funeral makabër pala greke përcjell në kufi trupin e tij bashkë me 40 patriotë që kishin pasur të tillë tragjedi. Tmerr! Kuje! Vajtim e ligjërim për nënat e shkreta.
E sa e sa bij nënash ikën në mënyrë çnjerëzore duke ëndërruar për një jetë më të mirë. Me përfytyrimet që i përcëllonin në shpirt mbërriti në doganë. Kur doganieri vinte vulën në pasaportë, trokitja e manivelit i turbulloI mëndjen. Ju kujtua një rast, kur ecte malit nëpër shi e rrëshqiste nga balta.
Akoma e kishte një gungallë në nyjen e këmbës kur u përplas me shkëmbin majëprehtë në terrin e natës. I dorëzuar nga dhimbja s’kishte fuqi të ecte. Më tutje nja 20 hapa dalloi një stan të vjetër e të braktisur. Strehohet aty duke u munduar të ndizte një zjarr me drutë e njoma. U ndërrua, hoqi teshat e qullura nga shiu dhe, ashtu i lodhur, e zuri gjumi. Veçse rehat nuk gjeti kur ndien shqelmat e ushtarëve që e zgjuan si të ishte kafshë. Nga hundët i rridhte gjak.
Ishin nga goditjet e grushtave. I vunë prangat si të ishte një kriminel ordiner. Pastaj e hodhën në një bodrum 20 metra katror me 25 refugjatë patriotë të kapur më parë. S’kishe ku të rrije as në këmbë e jo të shtriheshe. Në një ambjent të ndytë, nga fryma, djersa, rrobat dhe duhani dukej sikur vinte era hale. Aty nga të rrahurat e forta dhe goditja e shkëmbit në kockën e këmbës, që sa vinte i enjtej, për herë të parë humbet ndjenjat. Përmendet duke shikuar doktorin ushtarak me syze sipër tij.
Kë të kujtonte më pare Beni nga ato 10 herë e mundimet e rrugës për të hyrë në shtetin fqinjë? Kështu duke kujtuar fillin e ngjarjeve mbërriti tek porta e spitalit ku ishte nëna. Aty ishin mbledhur farefisi i tij. Nuk i pëlqeu kjo parandjenjë. Sa zbret nga makina, afrohen drejt tij duke e përqafuar e thonë “Ngushëllime”!
-Ah, moj Nënë! Do më ngelet peng që s’të dëgjova zërin.
Qante dhe ngashërimi dukej sikur i merrte frymën. -Ky është fati i të mërguarit kur je larg vatanit! – e qetësonte dajua i tij.
-T’u ketë lënë uratën! Bëhu i fortë se jeta i ka! – e ngushëllonin miqtë.
Ç’të ngushëllohej djali i gjorë, kjo plagë s’do i mbyllej tërë jetën. As dhëndërr nuk e pa nëna. Ashtu i vrarë shpirtërisht, pranë funeralit të nënës shpërthen në vaj. I numëronte hallet, vuajtjet, dertet, mundimet, punën e rëndë, mbrëtëreshës së shprtit që e solli në jetë dhe e rriti.
Mbas të shtatave, sipas zakonit, mori rrugën përsëri drejt kufirit. Por këtë herë kishte dhimbjen më të madhe që e mundonte. Kur doganieri vendosi vulën për kalimin, Benit iu kujtua rasti i fundit i përpjekjes për të hyrë në shtetin fqinjë. Kjo ishta radha e numrave që i mbante mend. Aq ishin se ditarin e kujtimeve e kishte rregistruar në shpirt.
Megjithëse ishte munduar të mos e lëndonte, por ato si për djall, zgjoheshin vetë. Si t’i hartonte kur kishte ecur një javë në këmbë dhe ushqimet që ia kishte futur nëna në çantë ju mbaruan.
Ujë pinte ku të gjente, në përrejntë që rridhnin nga mali. Kur e merrte uria, këpuste sythet e degëve dhe lakra të egra, ato që njihte, ashtu të gjalla duke i shtypur me dorë. I vinte në gojë e të ngjallnin neveri, por donte të shuante urinë. Mbas udhëtimit të lodhshëm i këputur, i këputur në malet e Kapshticës më në fund mbërriti në fshatin e parë. Aty trokiti në shtëpinë që ishte në fillim të fshatit duke kërkuar bukë. Si gjuhë komunikimi përdorte shenjat e duarve drejtuar në gojë e bark. I zoti i shtëpisë qëlloi njeri i mirë e fut brënda, i jep për të ngrënë dhe ndërresa për t’u ndërruar. Oh, nga temperatura e zjarrit me dru u ngroh duke falenderuar fshatarin e huaj. Ai e mbajti një javë në shtëpi duke e punësuar. Paga ishte tepër e ulët, por gjetkë e kishte syrin. Me lekët që mblodhi preu biletën për në Athinë.
Sa zbriti nga stacioni i Larisës, (kështu quhej) për fatin e tij gjeti dy patriotë që kishin ardhur këtu dhe punonin. I dhanë një adresë për punë dhe shtëpi sa të ambjentohej vetë më vonë. Aty gjeti punë në furrën e bukës. Duke vështruar të zotin e furrës, pronarin mjeshtër, i lindi dëshira të ushtronte zanatin e furrtarit. Punoi shumë kohë në furrë, pothuajse me vite. Sa mblodhi të ardhura që i duheshin dhe me kalimin e kohës hapi furrën e tij. Ishte pronar në punën e tij. I lindi dëshira të studionte dhe ashtu bëri. U regjistrua në shkollën profesionale natën për të përvetësuar akoma më shumë zanatin dhe dijet.
Beni ishte djalë për kokë të djalit!
E dinte ç’ishte vuajtja, ndaj lekun nuk e shpërdoronte dëm. Ishte i ri. Ndonjëherë i lindëte dëshira të shkonte në buzuqe, në tarverna dëfrimi, po jo, ëndërr i kishte. Zgjodhi rrugën e drejtë, punën që të arrinte një ditë dëshirat e tij
Njohja me Sofien ishte një fat për të që i erdhi papritur në jetë. Kështu e quante të fejuarën e tij fatmirë! Pavarësisht se ajo e kishte emrin e bukur Sofia që në lashtësinë dhe historinë greke ky emër ishte dita e hyjnive të gëzimit. Dhe vërtet burim gëzimi e lumturie ishte ajo për të. Por edhe Sofia ishte një vajzë me shumë virtyte të larta Me prindër emigrantë kishte lindur dhe rritur në Greqi. Zakonet dhe gjuhën ia kishin transmetuar prindërit si pasuri të çmuar bashkë me dashurinë për të mësuar e për të folur shqip. Ajo nuk lodhej përveç lëndëve të arsimit bazë njëkohësisht mbronte doktoraturën e gjuhës shqipe. Ndryshe nga Beni që kishte gjuhën e shpirtit dhe diplomën e jetës. Që të dy kishin ëndrra për jetën. Beni nuk mjaftonte me kaq. Ishte mësuar të luftonte me forcat e tij e ishte gjithmonë ishte kërkues ndaj së panjohurës.
Si në një galeri tërheqëse ashtu synonte në dëshirat e tij. Një ditë të dy bashkë me Sofien hedhin llotari për në shkuar në Amerikë. Pas tre muajësh kërkesa e tyre u pranua nga stafi i ambasadës. Aty dha intervistë dhe e fitoi të drejtën për të vajtur në Amerikë.
Udhëtuan të dy me Sofien në një nga aeroplanët modernë që i shihte për herë të parë. Duke zbritur nga aeroplani me adresën e dhënë nga juria kërkonin saktësinë e qytetit të madh të Nju Jorkut. Si ëndërr ishin dritat verbuese të vitrinave. Në gradaçielat gjigande atyre iu dukej vetja si në përrallë, se vetëm në televizor i shihnin. Dhe këtë imagjinatë ai tashmë e jetonte me të vërtetë me të dashurën e fatit.
Sofia filloi studimet për mjekësi nga e para, pasi në Greqi nuk kishte mbaruar kursin pasuniversitar si master.
Ajo studionte dhe njëkohësisht punonte dy tre ditë në javë për të nxjerrë shpenzimet e veta. Nuk donte ta rëndonte të shoqin e saj, pasi i vinte keq për të ç’kishte hequr në jetë. E përfundoi me sukses shkollën e lartë dhe e emërojnë doktoreshë si kirurge e përgjithshme në spital. Beni filloi punë në një nga restorantet luksoze. Fati këtë radhë ishte në anën e tij.
Pronari i restorantit shikonte punën e tij dhe kënaqej me rezultatet e gatimeve speciale. -Po ku kishte mësuar! – pyeste veten se Benit nuk i shprehej në sy.
Ku ta dinte se Beni kishte punuar në jetën e tij çdo lloj pune. Kishte përvetësuar zanatin e furrtarit dhe të ëmbëlsirave nga më të ndryshmet.
Pronari e lavdëronte herë pas here për cilësinë e punës. E shikonte
që ishte djalë punëtor. Edhe pse lodhej nga ora e gjatë e punës, nuk ankohej.
Kështu një ditë ai e vendos Benin si ekonomist, si kryekuzhinier.
Aty gjatë kohës Beni përvetësoi zanatin akoma dhe më shumë dhe i lindi ideja të hapte lokalin e tij.
Si bombë i erdhi fjala kur Beni i shpreh dëshirën e tij. Megjithatë dukej që ishte njeri i mirë në shpirt. Ishte i vetmi person që Benin e kishte ndihmuar dhe i qëndronte afër. Gjatë bisedave, përveç biznesit të punës Beni i kishte treguar për jeten e tij dhe ai qe habitur. I dukej historia e djalit si ato filmat që jepte Hollivudi, por që kishin përfundim pozitiv. Kështu mbase i dukej. Ai e ndihmon Benin dhe të dy kërkonin një lokal të përshtatshëm sipas dëshirës dhe ëndrrave të thurura. Me shumë mundim, me lekët e fituara dhe ato që kishte vënë mënjanë nga shitja e furrës e blenë lokalin. Beni e zgjeron dhe e përpunoi sipas gustos së tij shqiptarçe.
Aty në lokalin e tij ku ishte tashmë pronar pas kaq kohe bëjnë dasmën e tyre me Sofien. Me kalimin e kohës taverna e tij u bë një nga lokalet më të preferuara të zonës dhe për të gjithë njyorkezët që i vinin si klientë. Qëllonte që lokali të mbushej plot dhe të mos gjeje dhe tavolina bosh. Ia pëlqenin gatimet speciale, plus bukën që e bënte vetë, servire si qerasje ëmbëlsirat e tij të përkryera. Nga jeta duke punuar donte t’u fitonte zëmrën klientëve për t’u plotësuar dëshirën që ata të vinin tek ai edhe kur kishin festat apo mbrëmje familjare. Madje aty kaluan dhe u ulën si klientë edhe figurat e shquara të Hollivudit që i shihte për herë të parë.
Kur iknin të kënaqur, Benit i linin jo vetëm bakshish, por edhe një autograf, që ai i kishte vendosur si një portret në mur të lokalit, si një medalje për punën e tij. Ai krenohej, jo vetëm për ç’ka kishte arritur me forcat e tij, por për mundimet, përpjekjet, punën, pikësynimet, këmbëngulja që ia kishte vënë vetes si një njeri i palodhur, punëtor me shpirt të mrekullueshëm.
E pra, kështu më ngjajti historia e tij bashkë ne Sofien kur unë i njoha nga afër. Fat dhe llotari.
Fati i tij i ëndërruar prej kohësh dhe jeta i dhuron një grua të bukur nga shpirti, një doktoreshë me firmën e emrit të saj. Llotari nga njëra anë quaj dëshirën e tij duke shkuar përtej labirinteve të dritës, të zbulojë talentin e tij e ta bëjë realitet, se në jetë çdo gjë është e mundur. Mjafton të kesh vullnet dhe dashuri!!
Autore
Mimoza Halili
Athine Greece
ALBANIA