
BABAGJYSHIT I LUTET FËMIJA
Babait në telefon i flet i vogli Alban,
E pyet, a do t’i vijë për Vit të Ri?
Papunësia në trishtim familjet përçan,
Mizori kusht i zhyt në varfëri.
S’ka fjalë t’i kthejë fëmijës i gjori atë,
Për familjen jeta në mërgim i shkoi.
Derti në shpirt si shiu mbi tokën e thatë
Por, grua e fëmijë kurrë s’i harroi!
Me padurim babanë pyet Albani.
Çdo natë sheh ëndrra sikur i vjen në gjumë.
Se imagjinon largësinë që i ndan oqeani,
Kur belbëzon prekshëm, se i mungon shumë!
Përditë i tregon si shkon në shkollë,
Shkëlqyeshëm notën 10-të merr në mësime,
Dëshira i flatron në mendjen e hollë,
Si spajdermani drejt babait nis fluturime.
Babagjyshit çdo vit i lutet fëmija,
Përfytyron të atin e qan netëve të gjata.
Pranë tij të ndiej se ç’është dashuria,
Një përqafim pret dhe fjalë të arta.
Kureshtar vëzhgon gjendjen kritike,
Në një pikë të globit ndodhet i ati.
Shpreson për të ardhmen mes ëndrrës relike,
Analizon idenë, kur do t’i qesh fati?!
Eh, sa baballarë ikën larg fëmijëve të detyruar!
T’u sigurojnë jetesën, punojnë në mërgim.
Për ta u rreh zemra si det i dallgëzuar,
Kur malli në buzë dridhet me rrëfim.
– Shkruani një hartim, thotë mësuesja në klasë!
– Çfarë dhurate t’u sjell Viti i Ri?
Albani me shkronjat dialog nis të përflasë,
Sikur babai e puth dhe e shtrëngon në gji.
Lutet fëmija bashkë me të dhe babai.
Të festojnë Krishtlindjet e Vitin e Ri.
Rreth sofrës urimi si xixa galdaji,
Në folenë e vatrës kërkon lumturi.
Dhimbje, lot, mall është mërgimi.
Me shpirtgjakosur e shkroi Migjeni.
Lëkurën as emrin nuk ndrron
mjerimi,
I madh e i vogël ikin s’i mban vendi.
Oh, sa shumë kërkon nga ti, o babagjysh!
Një shtëpi të ngrohtë për të pastrehët.
Jetimit dhuroji një pallto me pushë,
Shpik një terapi e shiroji gjithë të sëmurët.
Kur shikon lypsin në rrugë s’ka më keq,
Të zhduket padrejtësia duam një ndryshim.
Mbroji të paaftët që bota mos shkoj për dreq,
Të lutem, Vit i Ri, çdo njeriu dhuroji gëzim!
Jeta merr kuptim mes urimit të shenjtëruar,
Sa herë puth fëmijët darkave i lumtur.
Kur çugritin gotat e thonë, gëzuar!
Çdo ditë që përjeton është festë e bukur.
Mimoza Halili
ATHINË GREECE
“”””””””””””””””””””
Eja, vajzë çame!
Eja që të shtrojmë sofratë me klumushtorët e ëmbël
ku gishtat lëpihen nga shija si vogëlushët, pa droje
Ooo, për ty do të tregojmë çdo agim nga një ëndërr.
Për ato duar do marrim mjaltin më të mirë në hoje!
Eja, vajzë çame, do të thërrasim të gjithë dhiolitë!
Në gjoks do të të vëmë qëndisma nga duar vajzash
Në flokë do të të vëmë ca ojna nga gjyshja e mire.
Në sy do të japim nga Çamëria bulëza stërkalash.
Eja , motër çame, të të hedhim në sup ylbere!
Harroji reliket e minierat e botës pa fund
Dritëzohu këtu, si princeshë me hire të përjetshme
Thuaja botës atë këngë që ngjan si lumë.
Merr me vete ullinjtë të jesh si cicërone më e saktë!
Hidhi ca parfum portokallesh nga Çamëria e blertë!
Shihe, moj, se si do të rizgjosh vitet prapë
e do të kthehesh si një zanë antike në breg.
Harroji lumenjtë e shatërvanët e Botës që të prekin llërët
Në Kalamanë e lashtë bëj vetë një lumë të ri
Eja, vajzë çame, e vër në buzë urimet, këngët
Si të jesh dirigjente e zogjve në Filat e Paramithi.
Eja, vajzë, të derdhësh ca lotë për mungesën e trishtë
Për varret që i lamë atje lulembushur mes blerimit
Urimet për ty do ia japim diellit sydlirë një agim
Për të marrë me tej në zemër harkun e lumturimit.