Nga cikli – shihemi në vjeshtë
Në qytetin tim pallati i ndarë përgjysëm, ka akoma zhurmë!
Dëgjohet një e qarë fëmije, një e thyer gote, madje edhe një këmbanë ore.
Një vijë e trashë boshllëku, të tremb
Në ballkonin e ngushtë, tashmë dy pjesësh
Një djalë tymos cigaren, krejt i qetë.
Në qytetin tim askush nuk ka më frikë!
Jeta rrjedh ngushticave të shpirtit,
Në kërkim të një kënge për pak ndihmë.
Në qytetin tim të vjetër bregdetar,
Të gjithë mbajnë në xhep një biletë.
Trageti i radhës, nuk mbushet me të panjohur
Por dallgë fshehur thellë në det!
Në qytetin tim pallati klith nën heshtjen e tij!
Muret e çarë, nuk i shqetëson më asgjë,
Sa jetë ka aty brenda, ç’zhurmë, i tëri mërzi.
Mërzi, mërzi, mërzi…
E kush e tha?
Ndoshta gënjeu
Nuk është çudi!