16.5 C
Tiranë
E dielë, 22 Qershor 2025

Mimoza Meço

Kam patur kenaqesi te jem lexuesja e pare e ketij libri dhe padyshim kenaqesi dhe emocion i dyfishte kur e di qe je personazhi kryesor ne permbajtje te çdo poezie ne kete liber.

Pa qene e njeanshme them qe poezia lirike e Ndues vjen gjithmone e ngrohte, intriguese dhe ka thuajse gjithmone nje fare fabule ne thelbin e saj.May be an image of Ndue Lazri dhe text that says 'acer'

Mendoj se eshte nga ata autore qe i kendon me zemer dhe pa asnje shtirje dashurise.

PËRJETIME POETIKE – SEZONI 2

Në rrugëtimin e saj “ADA” ka patur fatin të ketë miq të shumtë në botimet e saj, emra të nderuar të letrave shqipe. Rubrikat e shumta që kemi hapur e do të hapim në të ardhmen kanë synimin të shërbejnë për njohje reciproke të krijimtarisë suaj.

Këtë herë një mik dhe një poet i mirë vjen nga Italia:

NDUE LAZRI

May be an image of 1 person dhe tekst
VJESHTË NË TIRANË
Kish rënë vjeshtë e bukur mbi Tiranë,
ne ecnim të shkujdesur si dy shokë,
gjethet fëshfërinin përmbi Lanë,
ndonjëra të ndalej si flutur mbi flokë.
Nuk e di sa ecëm atë mbrëmje ashtu,
ishte vjeshtë e ish takimi ynë i parë,
një çast vështrimin ndala në sytë e tu,
ku kishte nisur të digjej një zjarr.
Në heshtje u puthëm, ndërsa gjethet binin,
e Lana gurgullonte ngadalë në qetësi,
ndonëse rrugët e njerëzit nuk flinin,
ne u puthëm e u puthëm përsëri
Ashtu, si pa kuptuar, mbi Dajt zbardh agimi,
në sytë tanë më e bukur zgjohet Tirana,
vjeshta e ka shtruar shumëngjyrësh qilimin,
e çifte të reja pret mbrëmjesh buzëlana.
TË SHKRUAJ NGA LARG…
-Motiv Agollian-
E dashur,
do të të dua në stilin e vjetër,
e do t’i bie larg e larg nga Kina,
penë e bojë do marr të të shkruaj letër,
që do të të arrijë kur të ndërrohet stina.
Ndërkohë
rosat e egra do të kenë ikur larg
e zogjtë do kenë shtegëtuar në të tjera vende,
unë me ndrojtje do kem shkruar ndonjë varg,
për t’i kënduar, ah, bukurisë tënde.
E di,
do më quajnë tuaf e i prapambetur,
që nuk futem në chat, me femra të bëj hatanë,
po unë i gëzohem çastit që të kam gjetur,
e letrat për ty i mbaj fshehur mënjanë.
Më thonë:
sot dashuria fillon me një klik,
me një kompliment: Sa e bukur je, o yll!
Po unë në ndjenja mbetem arkaik,
femrën dua ta ndjek si sorkadhen në pyll.
E dashur,
unë dua të mbetem në kohët e vjetra,
të marr penë e bojë e të ulem të të shkruaj,
ndaj mos hezito, kur të të vije letra,
nëse kam rrjedhur, sinqerisht ma thuaj.
PRITJE
– Sipas një motivi rus-
Pritmë ti, e dashur, prit
siç di t’presësh ti,
krejt papritmas unë një ditë,
tek ti do të vij.
Në të thonë se t’kam tradhtuar,
ta thonë për zili,
veç me ty jam dashuruar,
ndaj do vij tek ti.
Në të thonë se jam zhdukur,
ti mos u mërzit,
vish fustanin më të bukur
e n’ballkon më prit.
Në të thonë se paskam vdekur,
jo, ti mos beso,
do gërryej baltë e hekur,
do vij domosdo.
Do vij me hov djaloshar,
herët në mëngjes,
të të puth me vrull, me zjarr,
pastaj le të vdes.
BASHKË TË DY
Gjashtëdhjetë herë dielli lindi mbi Dajt,
gjashtëdhjetë herë hëna ia ktheu faqen argjënd,
por asnjëherë mali nuk u përmbajt
e as dielli kur theu rrezet mbi qerpikun tënd.
Disa herë dielli xheloz seç u bë,
kur mbi sup të malit e nxirrte të zjarrtin sy,
e ne buzagaz ia përplasnim me zë,
nuk na zgjove ti , të zgjuam ne ty.
Disa herë hëna e bukur lozonjare,
që tej ballkonit na e bënte me dorë
e dukej që me yjet shkrihej për fare,
tek ndiqte netët tona në Dajt a në Vlorë.
Gjashtëdhjetë ditë me trokun e zemrës vrapuan,
në trajektoren e paprerë nga Bolonja në Tiranë,
ishte fillim vjeshte kur ndjenjat tona u zgjuan
e njëri – tjetrin e ndjejmë gjithnjë e më pranë.
Vjeshta e artë që na e solli dashurinë,
katër stinët i mbledh bashkë menjëherë,
që ndjenja jonë të ruajë veç rininë,
e dy zemrat tona të kenë pranverë.
HESHTJA E DETIT
Ç’pati deti që i heshtur mbeti sonte
kësaj mbrëmje të bukur vjeshte në Vlorë?
Ndoshta valëza për ty xhelozonte,
për rënkimin tënd të lehtë dashuror.
Sazanit çfarë i pëshpëriti Karaburuni,
e me dallgë ledhatare fjalën ia çonte?
Mes përqafimesh ishte trembur gjumi,
sëbashku me ne dhe bregu dashuronte.
Ç’pati dielli në mëngjes që u vonua
të dilte mbi brezaret me ullinj e limon?
Ndoshta u mahnit prej hireve të tua,
tek kishe dalë si sirenë në ballkon.
Ç’pati deti që buzëqeshi kaltërsisht,
Sazani e Karaburuni pse na bënin me dorë?
Asgjë, e dashur, na përshëndesnin miqësisht,
e pyesnin:- Kur do vini sërish në Vlorë.
ROZAFA E INTRIGUAR…
Ndërsa shetitim buzë liqenit në Shirokë,
prej kështjellës çmuroset Rozafa legjendare,
të afrohet e krehrin kalon lehtë ndër flokë,
ndërsa ti luan me valëzat lozonjare.
Mijëra vjet Rozafa flokët s’i ka krehur,
mijëra vjet liqenin nga kalaja ka vështruar,
por sot këmbëzbathur vjen bregut e qeshur,
do ta ndjejë veten vajzë e dashuruar.
Të afrohet, po e intrigon portreti yt,
e të flet Rozafë e dalë prej historie:
-Vogëlushe e lumtur, po ta lexoj tek sytë
se ç’do të thotë magjepsje dashurie.
Mijëra vjet më parë qeshë e dashuruar,
dashurinë flijova e kështjella qëndroi,
muret po i lë, lumturinë për të provuar,
vogëlushe e lumtur, mësomë të dashuroj.
KOHË PËR DASHURI
Dhe Dajti e hapi krahërorin në shpat,
e shtratin e ngrohtë na e shtroi përsëri,
prapë ne nuk fjetëm kësaj nate të gjatë,
ti më pëshpëritje: është kohë për dashuri.
Kur mëngjesi mbi Tiranë po binte ngadalë,
nga ballkoni po sodisja qytetin ngjyrë gri,
ti erdhe e për dore më tërhoqe pa fjalë,
me puthje më the: është kohë për dashuri.
E ndërsa zbrisnim ngadalë për në qytet
e ti më puthje përsëri e përsëri,
mali na foli përmes pemësh me fletë:
-këtu është gjithmonë kohë për dashuri.
MBRËMJE NË DAJT
Pas lodhjes së ditës në kryeqytetin me zhurmë
i ngjitemi ngadalë Dajtit këtë mbrëmje,
këtu smogu dhe rrëmuja nuk kanë asnjë gjurmë
nga ballkoni vështrojmë pejsazhin me ëndje.
Sa paqe ofron ky mal hijerëndë,
me hotele, lokale, muzikë aty-këtu,
poshtë Tirana nën hënën e argjëndtë
azdiset si një cigane e mbytur në bizhu’.
MIMOZË E VOGËL QË ÇEL NË VJESHTË
Ma ka ënda të shetis këtij parku të bukur
ku vjeshta ka derdhur gjithë arin e saj,
përmbi lule vërtitet ende ndonjë flutur,
paska ka ngatërruar tetorin me maj.
Më tërheq vëmendjen një mimozë e vogël,
polenin e verdhë lehtë ja merr era,
ajo ka zgjedhur të lulëzojë pa u ndrojtur
kur tashmë janë zhveshur pemët e tjera.
Mengadalë këpus një bistak të njomë,
e përkëdhel e me mall i marr erë,
përjashtim i parkut kjo e vogla mimozë,
edhe në vjeshtë di të sjellë pranverë.
KUR MË FLET NGA LARG
Nuk e di pse gjumë nuk paskam sonte,
ndonëse orët ikin me nxitim,
ndoshta pse në tel, moj sykaprolle
më flet që tej detit gjer n’ agim.
Me magjinë e zërit femëror
detin e shterron si t’ish një gurrë,
me buzëqeshjen shkrin akull e borë,
meridianin e kthen në një urë.
Dhe nuk je ti magjistarja Circè
që i magjepsi grekërit e lashtë,
veç kur buzët hap si orkidè
m’i sjell pranë të gjitha stinët bashkë.
DITA PA ZËRIN TËND
Sa e gjatë dita pa zërin tënd,
është festë e ti festës i jep hijeshi,
me një gotë vere unë ulem në një kënd,
e ndjej si më deh imazhi yt përsëri.
Nimfë detrash a magjistare je vallë?
Circenë e sfidova më lehtë se Odiseu,
po ti paske një aftësi shumë të rrallë,
bën që nën këmbë të më shkasë dheu.
Unë tërmeteve nuk iu tremba kurrë,
Vezuvit iu ngjita pa pyetur për vullkan,
po s’e dija që mund të tronditet një burrë,
nga një vajzë çapkëne me fustan…
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.