“”””””””””””””””””””””””
Unë jam Shota majeni men
Unë jam Shota majeni men
që luftova për këtë ven.
Kapa pushkën para vëllaut
në lulë të ballit ja njeha shkaut.
Jo, nuk deshta me u ngujue
gratë nuk janë veq me gatue,
pushka s’vet, je burrë a grue.
Pushka don kush nuk ka frigë
s’ka ranësi je djalë a qikë.
Unë luftova bashk me burrin
shkaut athere ja nalëm turrin.
Tash po rrini nëpër kolltuqe
pa livritë si pulat klluqe.
Kurr karrika nuk ju ftof
po ju kqyri e s’po ju njoh.
A ju thoni burra veti
merrni rroga për lezeti.
Pik e pes krejt jeni ba
njani tjetrin s’doni me pa.
Dy vet s’ecni për t’njatën udhë
po shkon veni veq tu u rrudhë.
Kur pe shoh vatanin tem
dheu mrena rahat s’po më len.
Po ju lutna mlidhni men
gurët e megjës mi leni në ven.
Krejt rinin mi keni çkepë
kur të kthehen nuk mi nxen.
Foton e mora nga një postim i Shukrije Gashit
“””””””””””””””””””””””””””””””””
Macja e Nolit
Noli i vogël
ka një macë
i xixëllon
syri si gacë.
Mjau, mjau
mjaullitë,
macë moj
mos je uritë?
Jo ushqimin
nuk e don,
u ndal Noli
po mendon.
Përse macja
mjaullitë?
po më duket
është mërzitë.
Noli thot
fajtor jam unë,
macja don
përkdhelje shumë.
E kam lënë
vetëm në shtëpi,
kam shetit
me shokët e mijë.
E pushtoj
me ledhatime
të më falësh
o macja ime!
Nga libri im i radhës për fëmijë