Sytë.
Furtunë panë sytë
Hënë e diell në perëndim
Sfilitje e ngritje në çdo agim
E asnjë lot në tokë s’e lanë
Sytë e mi…
Me mëngë fshiva gjurmën
E zë nuk nxorra
Dritat e neonit e dalldisur përcolla
Në kujtimet e janarit pa borë në përrallë
Matanë qelqit të bardhë
Panë sytë e mi…
Rrugën ku gjarpri më kafshoi
E lot nuk nxorra
Melhem plage vura mbi dashurinë
E fjalë s’thamë se besë patëm marrē
Unë e sytë…
Drerin e plagosur bashkë e pamë
Plagën i lidhëm me gurgullimë kroi
Me ylber pas rrebeshit ninulat i kënduam
Me fluturën pikaloshe çerdhet nusëruam.
Unë e sytë bashkë…
Furtunë e stuhi panë këta sy
Palosën qepallat mbi yllin zjarr
Falën lot e falën zjarr
Me gotë kristali në oqean
Sytë e mi…
M.M.M.
“””””””””””
Sot
Sot eca pa cak
E rrugën s’e gjeta
Kërkova matanë bjeshke
Mos gjurmën kam lënë
Eca shtegut të rrëpirë
E cakun me gjetë kërkova
Aromë fusharre gjeta
E gjethin e tharrë palova
Kroit matanë sukës i fola
Per hënën e dashuruar në Yllin Polar
Murmurimë bjeshke mora
Ahishtet me vesë mëngjesi më panë
Eca sot me vitet e jetës
Horizontit i kërkova bekim
Miklim nga buza fala
Vetes i dhash guxim
Majë bjeshke thirra djalërinë
E çupat e heshtura kërkova
Lahurinë e bardhë shpalosa
Qiellit ylber i mora
Eca sot majë bjeshke
Buzën i fala kroit
Ofshamë nga gjoksi nxorra
Se gjurma më tradhtoi.
M.M.M.
“”””””””””””
IKE ME VERËN
Ike me diellin lulet e verën
Kur për të parën herë pata zënë laryshynë
E sot të ftohtat re sillen çuditërisht
Kërkojnë fjongon e humbur atë ditë.
Trishtimin mbi shpatulla sodis
Ftohtësinë gjer në palcë e ndiej
Bardhësinë s’e dua kur shtrohet mbi dhe
Kallkan i shton parathënies e jetës trishtim.
Trëndafilë të argjenttë më fale atë ditë
Kur verës i morëm dashurinë
Me shiun idhnak të vjeshtës së vonë
Fshimë lotin e ndrydhur në arkën e vetmisë.
Në kalendarin e jetës shoh në pasqyrë
Në largësi sodis emrin e humbur
Kureshtjes së gushtit i fali lumturinë
Në ëndrrën e drithërimave mora mrekullinë.
Pse ike me verën atë ditë
E lodhur pa kujtime kam mbetë
Përpëlis sytë t’më sjellin miklim
E bardhësisë t’i marrim bekim.