13.5 C
Tiranë
E premte, 7 Nëntor 2025

Mr. Dibran Fylli

 

Ndahet nga jeta AKADEMIK AGRON FICO

Mr. Dibran Fylli

AKADEMIA SHQIPTARE-AMERIKANE E SHKENCAVE DHE ARTEVE DEGA NË PRISHTINË

LAJM PIKËLLIMI
Sot morëm lajmin e hidhur se në Tiranë ka ndërruar jetë Profesori, Studiuesi dhe Anëtari i Akademisë Shqiptare Amerikane e Shkencave dhe Arteve, Prof. dr. Agron Fico. Lamtumire miku ynë, bashkëpunëtori e intelektuali që një jetë ia kushtove dijes dhe shkencës. Ngushëllime familjes, miqve dhe shokëve, anëtarëve të Akademisë dhe të gjithë dashamirëve të shkencës, arsimit dhe kulturës kombëtare!
Te qofte i lehtë dheu i tokës mëmë!
Pushofsh ne paqe miku ynë i shtrenjtë!

AKADEMIK AGRON FICO

Prof. Dr. Agron Fico është lindur më 10 maj të vitit 1934, në qytetin e Gjirokastrës, ku edhe mbaroi gjimnazin “Asim Zeneli”, me medalje ari, si dhe më pas kreu studimet e larta në Universitetin e Tiranës. Prej disa kohësh ai gëzon titullin “Qytetar Nderi i Gjirokastrës”. Ai është shtetas amerikan dhe jeton në Nju Jork e Tiranë. Prof. Dr. Agron Fico albanolog, gjuhëtar, studiues i etnokulturës. Anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve e Artistëve të Shqipërisë. Nënkryetar i Akademisë Shqiptaro-Amerikane të Shkencave e Arteve në New York.

Ka publikuar;

“Profesor në tre kontinente”, SHBA 2004;

“Diaspora e Rilindur”, Tiranë 2006;

“Rilindja e Shqipërisë Etnike”, Tiranë 2009,

“Beautiful America – Mozaik shkrimesh”, Tiranë 2014;

“Zbulimi i Eposit shqiptar në Harvard”-Albert B. Lord” Tiranë 2016.

Ndërkohë që në këtë kontribut të tij përfshihen edhe shumë botime shkollore dhe universitare, mes të cilave:

Gjuha Shqipe (metodë për studentët amerikanë),

Unë flas Shqip (metodë e gjuhës shqipe për të huaj),

Metodë e Gjuhës Shqipe (tekst për studentët kinezë) katër vëllime, 1962-1965, Metodë e Gjuhës Shqipe (tekst për specialistët kinezë), 1963,

Historia e Shqipërisë (tekst për studentët amerikanë, anglisht), 1997, si dhe një mori studimesh tjera.

Me propozim të profesorëve të Universitetit të Gjirokastrës; Prof. dr. Gëzim Sala, Prof. dr. Gëzim Rredhi, Prof. as. dr. Merita Gjokutaj, Prof. as. dr. Spiridhulla Poçi dhe Prof. as. dr. Jaho Cana, dhe me miratim të Senatit Akademik, titulli “Doctor Honoris Causa” për albanologun Argon Fico, u akordua me motivacionin; “Intelektual me veprimtari kërkimore-shkencore e universitare mbi 50-vjeçare; me ndihmesa të njohura në disa disiplina të shkencës kombëtare shqiptare; që, me ngulmim profesional, vullnet dhe pasion të përhershëm dhe me vështrime bashkëkohore, ka shënuar prurje dhe arritje shkencore të vlerësuara ndër vite, veçmas në etnokulturë dhe folklor”.

Studimet e Profesor Agron Ficos përbëjnë një pasuri dhe një pikë referimi për të gjithë komunitetin shkencor shqiptar në fushën e gjuhësisë, etnokulturës shqiptare, kërkimeve për Eposin Shqiptar. Profesor Fico është një nga personalitetet më të spikatura të botës shkencore shqiptare, i cili prej disa dekadash ka dhënë e vazhdon të japë kontributin e vet të vyer në fushën e albanologjisë. Falë punës së tij profesionale, vullnetit, pasionit të vazhdueshëm, këmbënguljes dhe vizioneve bashkëkohore, ai ka arritur të realizojë prurje shkencore të rëndësishme ndër vite, kryesisht në studimin dhe interpretimin e etnokulturës, folklorit, gjuhësisë etj. Puna e këtij albanologu dhe studiuesi të palodhur është e lidhur ngushtë për disa dhjetëvjeçarë me disa fusha kërkimi e studimi si etnofolklori, traditat, kultura popullore, gjeneza e popullit shqiptar, gjuhësia, arti dhe kultura shqiptare, përhapja dhe vendi i tyre në botë.

Vlen të theksohet se me punën dhe këmbënguljen e tij të vazhdueshme, pasionin dhe përkushtimin e gjuhëtarit, Agron Fico ia doli të hap dy katedra të gjuhës shqipe jashtë Shqipërisë: në kryeqytetin kinez, Pekin, (1961-1965) dhe në Miçigan – Shtetet e Bashkuara të Amerikës (1996-2000). Diplomati Agron Fico njihet edhe si themeluesi i emisionit shqip të Radio Pekinit. Ai është eksperti i rrallë, krijues dhe hartues metodash, me anë të cilave u mundësoi për afro 40 vjet mësimin e shqipes dhjetëra të huajve: gazetarë, studiues, diplomatë, pedagogë e gjer tek qeveritarë. Ai është folkloristi dhe studiuesi i njohur i etnokulturës, që e nisi udhën me ekipin themelues të Institutit të Folklorit, 1958. Ai hyri në auditorët e të parit Universitet shqiptar si profesor dhe si i pari Sekretar Shkencor i Institutit të Gjuhës dhe Historisë, 1958-1962; Sekretar Shkencor i Institutit të Folklorit (1966-72); lektor i Folkloristikës në Akademinë e Arteve. Ka marrë pjesë si anëtar i jurive, në shumicën e Festivaleve Folklorike Kombëtare në Gjirokastër dhe Berat, ka qenë President nderi i “Aulona Interfolk Festival ” 2013, dhe anëtar i jurive ndërkombëtare të folklorit si në Minsk, Moldavi, etj.

Drejtoria për marrëdhënie me publikun
Prof. Dr. Flori Bruqi
Dibran Fylli, regjisor

Prishtinë, 02.06.2020

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.