LISNAJA PLAKË
Vështrimin tres në lisnajën plakë
Kur era verzë gjurmonte rrugëve,
Më krihte këmbët e mija thatime,
Me ortekë gjethesh
E ngasje imtime.
Në shëtitjen e të Shtunës,
Gjer në perendimet e të Dielës,
Si postjer i dëshirave rinore
Lagur nga vesa,
Si djerrsitja e gjuhës të skenës,
Në lisnajën Plakë m’kthjellohej kujtesa.
Rikthehesha në shtëpi
Me telat akorduar të shpirtit violinë,
Me qenin luaja në vetmi,
Vrisja kohën me çifte në tavolinë,
Me lëpirjen e mëngëve,
Ngjeshjen fjalëve të një lajmësi.
Në qëndren drusore versnikëve të kamur,
Mes gjurmëhumburin pyll oshëtij
Kur shoh gjymtuar Lisnajën Plakë.
2019
“KËNGA E NËNËS”
(Kushtuar Sherif Merdanit)
Ka këngë ku shpirti dremit
Në tallavanë e jetës,
Në vetëkënaqësi,
Me pa vetëdije
Të futet në lobet e shpirtit;
Mbytesh në qerthullin tënd
Nga vetmija në vetmi,
Por ka këngë
Që lodron në timpanin e shpirtit
Si e vetmja kënaqësi;
Si “Kënga e Nënës”
Me zërin e Sherif Merdanit,
Zanafillë në përjetësi.
1997
GJER NË FUNDJETË
Do të mendoj gjer në fundjetë,
Ndoshta poreve të trupit tënd
Mendimi im do të flejë.
Në ëndrra paturpësisht do të prek
Ëmbëlsisht, lehtë,lehtë;
Si uji i kthjellët në lëfytin buronjë,
Gjersa të bëhesh muza ime,
Frymë të marrësh
Dhe në tjetër botë.