Vendbanimi shpellor i Dajçit, Has.
Hasi është një nga trevat mjaft të rëndësishme, në të cilën janë zbuluar qendra arkeologjike,që i përkasin një harku të gjerë kohor nga prehistoria gjer në mesjetë. Ndër ta është dhe Vendbanimi shpellor i Dajçit, që ndodhet në një lartësi 1250 m mbi nivelin e detit, në zonën me kullota të pasura malore, në distancë jo të largët nga mali Pashtrikut. Në vitet 1985-1987 në këtë vendbanim kryem ekspedita gërmimi, ku morën pjesë dhe kolegu, profesor Luan Përzhita dhe skicografi Bislim Nerguti.Shpella formohet nga katër ambiente, që lidhen njëri me tjetrin me koridore, nga të cilat tri kanë qenë të banuara, Gërmimet arkeologjike, të kryera në këtë vendbanim shpellor, kanë ofruar gjetje që i përkasin eneolitit; bronzit të hershëm; fundit të bronzit-fillimit të hekurit; periudhës antike të vonë e mesjetare. Në gjetjet e shtresës eneolitike dallohen vegla pune prej stralli e kocke, mjaft të ngjashme me ato të zbuluara në vendbanimin shumështresor shumë të pasur të Maliqit( Korçë ). Objektet prej qeramike janë të fragmentuara.Midis formave më tipike përmendim enë bikonike, tasa, kupa, të ngjashme me qeramikën eneolitike të Hisarit ( Kosovë), të Gradecit(Peshkopi), Vendbanimit shpellor të Nezirit ( Mat), në shpellën e Trenit dhe vendbanimin e Maliqit ( Korçë). Zbukurimi i enëve është i kufizuar dhe përfaqësohet vetëm nga kanelyrat, të përdorura kryesisht në enët bikonike, të njohura edhe në qeramikën eneolitike të Gradecit, Nezirit, si dhe Maliqit e Trenit. Afërsi të dukshme kanë me qeramikën e kësaj kohe të Hisarit të Kosovës..
Zbulimi i shtresës eneolitike në shpellën e Dajçit është me shumë interes, sepse ajo paraqet të parën kulturë eneolitike në Qarkun e Kukësit.Gjetjet e shtresës së bronzit të hershëm janë më të pasura në krahasim me ato të shtresës pararendëse eneolitike dhe kjo për shkak të depozitimeve të trasha të shtresës kulturore. Ato përfaqësohen tërësisht nga qeramika, e cila paraqitet mjaft e fragmentuar, gjë që ka vështirësuar riprodhimin e plotë të formave të enëve. Ndër format kryesore dallohen enët me qafë cilindrike, konike; tasa etj, të njohura në vendgjetje tjera të kulturës së tipit Maliqit IIIa, Nezirit III a,b. Enë me profil të veçantë të buzëve ka dhënë dhe qeramika e bronzit të hershëm të Adriatikut Qendror. Zbukurimi enëve është në reliev në trajtë shiritash të gropëzuar me mollëzën e gishtit; në formë të gërmës V; kanelyra; me thelllim etj. Në tërësi janë mjaft të ngjashme me vendgjetje tjera në Shqipëri, Kosovë dhe treva më të largëta. Në gjetjet e shtesës së fundit të bronzit – fillimit të hekurit formë më të shpeshtë të enëve kanë pjatancat e thella konike me buzë të zbukuruara me kanelyra, formë e njohur në Gradishtën e Pesjakës( Peshkopi), shpellën e Këputës( Mat), në një tumë në Barç (Korçë). Ky tip është mjaft i njohur sidomos në Ballkanin Qendror ( Moravë, Kosovë, Maqedoni) ku datohet në të njëjtën kohë. Gjetjet e antikitetit të vonë e mesjetës përbëhen kryesisht nga fragmente qeramike. Grafikisht ato riprodhojnë vorba që njihen në Kalanë e Bushatit ( Kukës ), qytezën e Rosujës( Tropojë) etj. Po kështu është zbuluar sopatë hekuri tipologjikisht e njohur në varrezat e kulturës arbërore të Kalasë së Dalmacies, Lezhës etj. Përmendim gjithashtu një togëz hekuri, që njihet gjerësisht në kulturën arbërore, në shek. VII-VIII. Siç cituam më sipër shpella ka qenë banuar gjatë disa periudhave. Përmasat e kufizuara të banimit në periudha të ndryshme, shtresat e holla kulturore, si dhe materiali i kufizuar arkeologjik që është gjetur në to, dëshmojnë për një banim jo intensiv, pa përjashtuar këtu edhe mundësinë e vendosjes aty, herë pas here, të barinjëve shtegtarë. Shpella në qershor të vitit 1986 u vizitua nga Drejtori Institutit të Arkeologjisë, Akademik, Prof.Dr. Muzafer Korkuti, Prof.Dr. Frano Prendi. Prof.Dr.Zhaneta Andrea.