7.5 C
Tiranë
E dielë, 10 Nëntor 2024

Murteza Osdautaj

MOÇALI I HELMUAR I URREJTJES POLITIKE NË KOSOVË

(Mësimet e nxjerra apo versioni i dytë i një shkrimi të fshirë)
Kur të shkruash për një temë, apo kur të diskutosh për një problem, dukuri apo fenomen, gjëja e parë që u dashka ta kesh parasysh është që, thjeshtë, njeriu u dashka të flasë për tema me terma përgjithësues ngase, edhe po shkrove me terma dashamirësie, dhimbjeje apo mirëkuptimi, po ndodhka që shkrimi të prodhuaka keqkuptime të cilat edhe mund të bëhen të pariparueshme.
Duke e marrë parasysh këtë element, sot po e shkruaj një shkrim i cili flet ndryshe për të njëjtin fenomen dhe, në këtë rast, për fenomenin e klimës së helmuar politike të formuar në Kosovë dhe për pasojat që kjo klimë, gati me përmasa armiqësore, mund të prodhojë në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve.
Një lexues i thjeshtë mjafton të shikojë rrjetet sociale për të kuptuar se sa i helmët është arsyetimi politik te njerëzit dhe, sidomos, te të rinjtë. Për të paraqitur pikëpamjet politike të tyre apo për t’i kundërshtuar pikëpamjet politike të të tjerëve, në rrjetet sociale dhe në rrjetet televizive nuk hezitohet të përdoren mjetet më të ashpra gjuhësore, fyerjet më të rënda, shpifjet dhe insinuatat më të paparashikueshme.
Për më shumë, debati politik i helmatisur ka shënuar shtirje edhe më të gjërë në shoqërinë tonë. Lufta për klikime në stacionet televizive apo për shikues në rrjete sociale (i quajnë vjuvsa nga anglishtja viewers-shikues ) është një fushatë pa të ndalur. Organizohen emisione dhe emisione nga të gjitha kanalet televizive në të cilët tentohet të ftohen debutues që herë janë analfabetë të vërtetë, herë kanë dije të mangëta, herë janë intelektual të indoktrinuar, herë akademike të njëanshëm dhe shpesh politikanë të degraduar moralisht dhe politikisht, qoftë për aktivitete e tyre në luftë, qoftë për aktivitete e tyre pas lufte dhe sa ishin në pushtet.
E tërë kjo situatë krijohet mbi premisa në të cilat mungon kujdesi njerëzor ndaj njeriut. Mungon premisa morale, mungon premisa humane dhe mungon etika themelore e cila ka qene bazamenti i krijimit edukativ, së paku, për ne gjenerata më të vjetra të edukuara brenda standardeve shume strikte etike.
E tërë kjo situatë është aq e keqe sa që eskalon shpesh në fushata me linçime morale, etike dhe deri në kërcënime për jetën. Është normale, pastaj që kjo situatë kundërshtimesh aq të rënda të prodhojë simpatizantë dhe kundërshtarë fanatikë dhe ekstremë sjelljet e të cilëve, pastaj, prodhojnë pasoja për njerëzit e thjeshte të cilët, me dashje apo pa dashje, bëhen pjesë e debateve të cilat nuk kanë fund dhe të cilat, të veshura me emocionin e urrejtjes, me smirën, me inatin dhe urrejtjen, dalin apo veç më kanë dalur nga kontrolli duke prodhuar armiqësi dhe jo tolerancë që gati ka marr edhe karaktere antikulturore dhe anticivilizuese.
Kjo situatë po krijon momente të cilat e sjellin në rrezik konflikti vëllain me vëllain, mikun me mikun, i vë në situata të pakëndshme, moskuptimi, keqkuptimi dhe, shpesh armiqësie, edhe njerëzit më të dashur. Këto anime politike që janë thjeshtë personale por që, sidomos të rinjtë, mundohen t’i imponojnë të rrethi i tyre shoqëror, shpesh sjellin situata irituese dhe të kundërshtimit dhe mospranimit me debate aspak të kulturuara dhe krijojnë gjendje të tilla emocionale të cilat, dikush-dikush, nuk mund t’i durojë apo t’i kontrollojë duke krijuar situata shumë serioze konfliktuoze.
Në bashkëbisedimet me njerëz kamë parë se ‘po shtyhen’ dhe po përkrahin krah të ndryshëm politikë edhe vëllezërit, edhe vëllezërit e motrat, edhe kushërinjtë, edhe shokët e shkollës e të studimeve, edhe miqtë e vjetër, edhe bashkëluftëtarët e luftës, edhe nxënësi e mësuesit, edhe studentët e profesorët.
Dhe e tërë kjo do të ishte krejt një fenomen normal po të zhvillohej si një kundërshti që nuk e prek sferën e marrëdhënieve ndërnjerëzore në mes të të gjithë atyre që i përmenda më lartë. Kjo është arsyeja pse e kam shkruar këtë shkrim. Dhe arsyeja konsiston në atë qe ne, në këto kushte aspak të mira, as ekonomike dhe as sociale, nuk kemi nevojë që ngarkesave tona ekzistenciale tua shtojmë, pa asnjë nevojë dhe pa asnjë dobi, edhe përkeqësimin e marrëdhënieve tona me njerëzit tanë të dashur. Ne duhet ta kuptojmë se politika është e përkohshme, politikanët janë të përkohshëm dhe shpesh nuk i përfaqësojnë dhe nuk do t’i përfaqësojnë interesat tona si individë dhe si komunitete.
Me anë të këtij shkrimi vetëm dua të potencoj se politika kosovare nuk përfaqëson dhe nuk ka përfaqësuar ndonjëherë interesin tonë të përgjithshëm. Kjo politikë nuk ka bërë të duhurën për mirëqenien tonë politike, ekonomike, sociale, arsimore e shëndetësore. Akterë të rrënimit politik, social, demografik, ekonomik, arsimor dhe kulturor kanë qenë të gjithë, pa përjashtim, politikanët, intelektualët, akademikët, njerëzit.
Dhe kjo politikë e paparspektivës, por e gllabërimin të mundësive dhe aseteve kombëtare nga një grup i vogël oligarkësh ekonomikë dhe politikë të të gjitha ngjyrave, ka bërë që të na ikin fëmijët, të na largohen vëllezërit e motrat, që nipat e mbesat tona të lindin në vendet e huaja dhe të kenë shtetësi të huaja, që këta fëmijë mos ta mësojnë kurrë apo ta harrojnë shpejt gjuhën shqipe, kulturën dhe origjinën e tyre. Kjo politikë ka bërë që destinacioni i të gjithë të rinjve të bëhet një vend i huaj ku ata do të kërkojnë një jetë më të mirë edhe me çmimin që, në këtë mënyrë, ta rrezikojnë zbrazjen e vendit, depopoullimin e tij, humbjen e identitetit kombëtar të pasardhësve të tyre dhe, në fund, edhe shuarjen e familjeve.
Kjo është frika që njerëzit e kanë brenda tyre e që pastaj e shprehin me anë të animeve ekstreme politike dhe armiqësive artificiale në mes njerëzisht të dashur. Prandaj qëllimi i shkrimit ishte thirrja për ndaljen e primitivizmave të tillë politikë në kohën kur në mënyra të ndryshme rrezikohet qenia jonë humane, kulturore dhe kombëtare.
Njerëzit dhe dashuria për ta është mbi të gjitha, edhe mbi çdo politikë.
Njerëzit e bëjnë atdheun, familjen dhe shoqërinë. Pa ta nuk e kemi as atdheun, as shoqërinë, as mirëqenien, as familjen e gjerë e të ngushtë.
Një shkrim mund të behët edhe për këtë lloj frike dhe për këtë lloj dashurie.
Pra për dashurinë për të ekzistuar dhe për të mbetur edhe në kohë kolere.
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

Kjo uebfaqe përdor Akismet, për të ulur spam. Mëso se si procesohen të dhënat e komentit tuaj.