Në mjediset e Agjencisë për Zbatimin e Gjuhës Shqipe, Shkup, sot u bë Përurimi i veprimtarisë shkencore të prof. dr. Begzad Baliut.
KONTRIBUTI I BEGZAD BALIUT NË STUDIMET ONOMASTIKE!
Shkup, 10.12.2021
Me rastin e përurimit të veprimtarisë shkencore të prof.dr. Begzad Baliut, u prezantova me kumtesën “Kontributi i Begzad Baliut në studimet onomastike”, duke u përqëndruar në veprat: Çështje të studimit të onomastikës në veprën e Eqrem Çabejt, 2000; Gjendja e toponimisë shqiptare në Ballkan, 2004, 2009;
Onomastika e Gallapit, 2004; Profesor Jup Kastrati për Kosovën (bashkautor), 2004; Mbi autorësinë e bibliografisë së Skënderbeut, 2005; Vepra bibliografike e profesor Jup Kastratit, 2005; Regjistri i standardizuar i emërvendeve të Kosovës (bashkautor), 2005; Demitizimi dhe standardizimi i onomastikës së Kosovës, 2006; Çabej I, 2006, “Onomastika e Kosovës (Ndërmjet miteve dhe identiteteve)”2008, si dhe disa vepra të tjera studimore e letrare, revista të përgatitura për shtyp, shumë artikuj të botuar në shtypin ditor dhe shkencor, përmbledhjen me studime, trajtesa, recensione etj.
Prof.dr. Begzad Baliu ngelet si një ndër themelvënësit e onomastikës dhe të shkencës albanologjike në Kosovë, por edhe onomastikës shqiptare në përgjithësi. Me të gjitha këto vepra të rëndësishme shkencore, profesor Baliu e pasuron gjuhësinë tonë në përgjithësi dhe onomastikën shqiptare dhe atë ballkanike në veçanti.