“””””””””””””””””
LAPIDARIT NË PRESHEVË
Në mes të dimrit sollët pranverë,
Furtuna nuk ua ndali heroizmin.
Lajmëtari solli lajmin aq të shtrenjtë
Kur për lirinë e bekuar bëtë flijimin.
Preshevë, lutemi për ty natë e ditë,
Lutjet tona bëhen udhë që s’ka kufi.
Dhimbja në buzëqeshjen tuaj plot dritë,
Në aromë lulebore marrin gjallëri.
Akoma nuk jetojmë me rreze të ngrohta lirie,
Merrni nga larg besën time për plagën tuaj;
Betohem për 28 dëshmorë – filiz lirie,
Plagët – lulëkuqe në heshtjen do t’ua shuaj!
Nëse dhimbja një ditë mund të më mundë
Amanetin do ta ruaj – relike të shpirtit shqiptar.
Betohem në testament që gjyshi ma la me luftë;
Fara e gjakut do të mbijë përjetë, o lapidar!
Nga porta e hapur kërkoj një çelës magjik
Tek të shoh gdhendur me valë krenarie.
Nuk është shkruar në një cep historie që harrohet,
Por në zemrën trime të kësaj Lugine..
M. ISMAILI
TORONTO JANAR 2022