Nga Dibran Fylli, regjisor/aktor
Vështrim për librin poetik “PËRFLAKJE E STUHI” të autores Flora Brovina

Vepra poetike e autores Flora Brovina “Përflakje e stuhi”, është libër i shkruar me përkushtim, dashuri e pëflakje për stuhitë e atdheut, për shumë figura emblematike dhe për vuajtje e sakrifica nëpër shekuj e etapa. Poetët, të cilët pjesë të jetës, të gjakut dhe të etjes e kanë dashurinë për atdhe, ata vargun e kanë këngë madhështie, me të cilën, sado mirë që e shkruajnë, prapëseprapë mbeten të etur për të thënë e për të rrëfyer edhe diçka, dhe atë, duke filluar nga vetvetja e deri tek rrugëtimi nëpër udhët e jetës që kanë lënë gjurmë për të thënë shumë e më shumë së kaq…
Për këtë, vargjet në veprën poetike “Përflakje e stuhi” të autores Flora Brovina, nuk janë rrëfim vetëm për këtë periudhë dhembjesh e krenarish por janë edhe rrëfime historike të stolisura në vargje. Andaj, çdo varg i shkruar nga autorja, e ka vulën e ndijimit të veçantë e specifike, që poezinë e shndërron në histori mbase edhe në baladë. Këtu qëndron edhe pesha e vargëzimit të Flora Brovines, e cila për një periudhë ka punuar që këto poezi e vargje t’i kapërthejë e përjetësojë në libër.
Shenjtëria e vargut poetik për shtigjet e jetës
Libri poetik “Përflakje e stuhi”, i cili fillon me poezitë për atdheun, vargëzimi shndërrohet në rrëfim e histori, e cila pastaj, tërë kohën e ngacmon lexuesin i cila mbi vete ka të ngarkuar aq ngjarje historike bashkë me vargun përcjellës, dhe se, autorja, përmes vargut në poezinë “Komandant”, shprehet sikur vërtet është duke biseduar me te sy me sy:
Para Komandantit nuk derdhen lot
Bëhet nderim
Edhe kur buzët dridhen…
Dhe autorja duke u përplasur me situata të ndryshme mbase edhe shpirtërore, vargu i saj merr terrnak dhe nganjëherë e zhvesh autoren nga vetvetja, sepse, në gjendje të tillë, asgjë nuk ka kuptim kur liria u ngjanë prangave. Për këtë, ajo, e trembur nga ecjet, nuk heziton që në shenjë revolte të ligjërojë gjithnjë plotë pezëm:
Unë erdha vetëm, të bisedojë sy me sy,
U plaka duke kërkuar falje
Nuk erdha kur duhej të isha aty…
Më fal, Komandant,
Të lash vetëm kur këndoje
Këngë kushtrimi…
Sa herë vi të ti, me shtohen rrudhat, zvogëlohem…
Kjo formë e të shkruarit e bën poezinë pasqyrë të situatës në të cilën gjendet njerëzimi, kështu që, përmes vargjeve mbërthehen e tingëllojnë mesazhet qortuese. Me këtë, poetja Flora Brovina, sikur do të na thotë se gjeneratat e reja dhe ato të tjera që do vijnë, do të mishërohen me vargjet e saj poetike në mënyra e forma të ndryshme. Dhe, përmes vargut hapë zemrën dhe shpirtin, por shpalos edhe të kaluarën…
Fati i njeriut në zërin poetik
Në të gjitha poezitë e saj, autorja sikur mediton, jo vetëm për fatin e vet, por edhe për fatin e të tjerëve përgjithësisht. Megjithatë, ajo, prapëseprapë na reflekton shpresën dhe qëndrimin e pathyeshëm për vargëzimin e saj, duke u shprehur në vargjet e poezisë “Në shtëpinë e Mendelës”:
Në shtëpinë e Mandelës
Bacë, nuk shkohet këmbë
Edhe kur të thërrasin…
Si gjithmonë dhe tek secili individ që nganjëherë së tepërmi ngushtohet shpirti, kjo ndodhë edhe tek autorja e këtyre vargjeve, jo pse dëshiron të na reflektojë të padukshmen, por ngase, gjithnjë ka etje për të rrëfyer dhe për të treguar edhe për të tjerët, se jeta dhe njeriu, jo rrallë, janë vetëm kuptim fjale.
Ku i ke këpucët Bacë Adem Demaçi,
Ti a kishe këpucë
Shtëpinë ku e ke,
Ta mori harrimi.
Të kësaj natyre janë edhe shumë poezi, gjë që është e kuptueshme ngase kanë dalë nga shpirti poetik i autores, dhe Flora Brovina, sikur ka etje për t’i rregulluar dhe për t’i flakëruar binarët e jetës. Megjithatë, poetja gjithnjë përmes vargut të saj paraqet realitetin shoqëror, dhe mjeshtërisht ligjëron (si me lutje të fshehtë) për ta rregulluar treguesin e orës që dikton ditën dhe për ta bërë ndërgjegjen pjesë detyrimi të jetës.
Duke u mbështetur në një vargëzim të tillë dhe karakteristik, libri poetik “Përflakje e stuhi”, i Flora Brovines, është një vepër e rrëfimit të sinqertë shpirtëror, e cila i ngjanë edhe pikturës, edhe hartës, edhe madhështisë dhe lumturisë, por edhe dhembjes. Kjo vepër e ka mesazhin dhe cilësinë esteto-letrare, e cila begaton vlerat letrare dhe kulturore tonë kombëtare…
Prishtinë, 2022