Trofetë e moshës
Ia sollën nga Londra dy paruke të bukura speciale.
Në flokët e rënë e të djegur disa thinja mbuloi.
Një mjek specialist, i dalluar për transplante
Ia tha t’i hiqte falas mjaft rrudha në faqe e dorë.
Në spitalin e afërt bëri një kërkesë urgjente.
Të ndërronte zemrën e lodhur me një tjetër.
T’i jepte trupin e saj ethe të vrullshme rinimi.
Të dërgonte sa më larg në kohë marshin funebër.
Ia gjetën një punë të re me para të shumta
T’i fryhej kuleta e të mos kishte zbrazje.
Që mes baltës të mos ecte me paterica të drunjta.
I dhanë dhe një shofer të shetiste nëpër livadhe.
Asnjëherë nuk tregoi në tryezë vitet e moshës.
Në faqen e FB kishte zgjedhur një artiste filmi.
Dhe emri i saj kapërcente kufinjtë e botës.
Me reliket femërore që donin të mundin ditë dimri.
Dhe mbeti përjetë pa nostalgji vitesh tek vatra.
Dhe mbeti pa këngë, qoftë dhe me zë të ngjirur.
Dhe trupi i lodhur, i kërrusur u bë si petalja
Që mbulohet me thërrime dheu në ugarin e rilindur.
E shohin shpirtrrudhurën tek rrufit kafeneve.
Me cigare tymosur e fshehur në çantën me buzëkuqe.
Oo, mos na vini në grackën që ngrehet dhe përtej reve,
për të prekur të vërtetën si të ish trofe lufte…