13.5 C
Tiranë
E shtunë, 26 Prill 2025

Namik Selmani

Edhe shkrimi ka psikologjinë e vet
Të gjithë ne që shkruajmë, të paktën edhe disa rreshta në ditë, në fletore ose në kompjuter, që në hapat e para të shkrimit jemi ndodhur përpara një situate të njëjtë.
Në klasën e parë të gjithë njerëzit e kohërave e vendeve kanë nisur të shkruajnë sipas një Modeli të bukurshkrimit. Jemi munduar edhe ne që me të gjithë forcat që na jepte mosha për të imituar me besnikëri atë Model. Kemi vënë në punë të gjithë aftësitë e shqisat tona. Duart. Sytë. Kur filloi të dobësohej imitimi, shkrimi ynë ka ndryshuar gjithmonë e më shumë nga Modeli drejtshkrimor.
Dhe fundi dihet për të gjithë. Edhe pse e kemi filluar nga e njëjta pikë, vjen një ditë që secili njeri në botë ka një shkrim të ndryshëm nga tjetri. Ashtu si mollëzat e gishtërinjve tanë janë krejt të veçanta nga tjetri.
A nuk është ky fakt objekti i rëndësishëm që mund të studiohet nga një psikologji e veçantë siç është ajo e shkrimit? Po, po, edhe shkrimi ka psikologjinë e vet. Në të vërtetë psikologjia e shkrimit ka qenë që në hapat e parë të tij, por duhej mesi i shekullit XX kur në Univerisitetin e Milanos në Itali të vihej një lëndë e veçantë si ishte ajo e Psikologjisë së Shkrimit. Ishte viti 1993, kur Rolando Marchesani, themelues i Shoqatës Ndërkombëtare të Psikologjisë së Shkrimit me qendër në Nju Jork e Milano botoi librin “Psikologjia e shkrimit”. Ai është autor i mbi 100 veprave të botuara në revistat shkencore italiane e të huaja. Këtë libër na e ka sjellë dy herë në shqip Shtëpia Botuese “Uegen” dhe përkthyesi tashmë i njohur Çlirim Mukli. Shumë interesant në informacionin që jep për mësuesët e gjuhës amtare dhe të huaj si dhe ata të letërsisë, ai duket si “një gur i lëmuar i përroit malor që vjen nga ujërat e shekujve”
Po të shikohet me kujdes auditori i librit është më i gjërë. Janë studiuesët e shkrimit në përgjithësi. Janë profesorët e Instituteve. Janë mjekët, psikologët, punonjësit socialë, por edhe prindërit e kulturuar që po shtohen edhe më shumë, të cilët mund të shfletojnë të menduar çdo rresht të tij.
Paksa i brishtë në trungun prej nga ka dalë, ai ende nuk e ka forcën e nevojshme për të qënë trung më vete. Kur të kemi nesër një psikologji të veçantë për pikturën, skulpturën, muzikën, mjeshtërinë e aktorit, nuk do ta kemi të vështirë që ta shohim më qartë.
Ndoshta më mirë këtë e ka thënë dhe studiuesi Uliliamn Canuing: “Në librat më të mirë njerëzit e mëdhenj na flasin, i ndajnë me ne mendimet e veta më të çmueshme dhe shpirtin e vet e derdhin në tonin.”
***
Besoj se të gjithë jemi në një mendjeje kur themi se shkrimi është një shprehi krejt vetjake. Një lloj “emri” që njëson individin. Çdo mësues me përvojë dhe me pasion në profesionin që ka, në kujtesën pamore të tij shumë herë vetëm duke parë shkrimin e secilit nxënës i dallon ata qartë. Asnjë ligj kombëtar e ndërkombëtar nuk e mohon vlerën e shkrimit individual, të një prove gjyqësore kur shkrimi përdoret si identitet për një person. Dokumentat e ardhur nga vitet e shekujve që shkuan, janë shumë të vlefshëm kur kanë në letrën e bardhë shkrimin origjinal të secilit prej individëve historikë.
Firmat e gjykatësve pas dënimeve të gjata duket se shkaktojnë një efekt psikologjik të paparë te secili njeri. Nuk dihet ende se çfarë roli luan shkrimi në punësimin e njerëzve. Por bota ka sot një praktikë të zakonshme që, kur punëson një personel, në kohën e provës së tyre para punësimit të plotë, e vëzhgojnë edhe në këtë drejtim. Vëzhgimi, në se do ta quajmë kështu, bëhet nga punonjësit drejtues. Vetë subjekti që do të punësohet e di këtë “provë’ dhe vë të gjitha aftësitë për të mos bërë asnjë gabim. Nëse ai e merr statusin e të punësuarit, ahere të metat lulëzojnë shpejt. Po qe se kërkohet të punësohen punonjës të mendjes si drejtorë, inspektorë, drejtorë administrativë, llogaritarë, psikologjia e shkrimit të ndihmon që të kalohet shumë mirë testi i provës për drejtuesit.
Inteligjenca, vullneti, ndjenja, morali, pjesë të psikologjisë së punës, të shoqëruara me kujtesën, vemendjen, gatishmërinë si refleksion, janë kritere që të ndihmojnë për saktësinë e vendimit. E të tëra këto cilësi i gjen shumë mirë në psikologjinë ë shkrimit.
Analiza e psiklogjisë së shkrimit në disa pamje e bën shumë intersant dhe domosdoshmërisht të lexueshëm librin “Psikologjia e shkrimit’ të profesorit milanez. Ai e jep shkrimin si histori, si dobi të madhe në edukimin e fëmijëve, në zbatimin e eksperimenteve në fushën shkollore, në zgjedhjen e vazhdimit të shkollës së lartë, Shkrimi jepet edhe si psikoterapi e zakonshme për mjaft njerëz me probleme psiqike, me fiksime, me neuroza të rënduara.
Ekspertët grafikë sot i gjen të pranishëm si zbulues të saktë të anonimatit të letrave, të shkrimeve të falsifikuara, Prej tyre psikologjia e shkrimit vendos saktësisht në vendime të pjekura e të sakta.
Futja e lëndës së Psikologjisë së shkrimit në fakultetet dhe shkollat tona të mesme sot për sot ende është një utopi. Njohja me elementët e kësaj psikologjie nuk është më thjesht një kureshtje në kulturën e secilit. Për mësimdhënësit e lëndës së gjuhës e letërsisë si dhe për disa sektorë të tjerë ajo është më se e domosdoshme. Në lëndinën e blertë të diturisë ku ka jo pak gjëmbaçë, le t’i gëzohemi këtij guri të lëmuar të ardhur nga ujërat dhe thellësitë e shekujve. Aq më tepër që na ka ardhur në shqip nga një firmë e njohur përkthimi si ajo e ish-mësuesit të letërsisë të shkollave më në zë të qytetit të Beratit, Çlirim Muklit
Syle Dobroshi
Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.