Pesha e fjalës së Ibrahim Rugovës
Kërkoj, në shitore Peshën e fjalës
Teksa më gjëmojnë veshët nga klithma
E ti, bacë, më vjen mes tymnajës
E më ndrin udhët me sa e sa drita.
Kërkoj Peshën e saktë në fjalë mentarësh
Po shitoret i kishin të ndryshkura të tërë kupat
Aty, më shfaqeshe ti, me duar lavërtarësh
Me buzëqeshjen që çel me mijëra lulëkuqe.
Istogu të ngrohte me një triko të leshtë
E vinte në oda mes bardhësisë së Plisit
E Vallja e Shpatave jehonte në Bjeshkë
E ugari gazmonte në rilindjen e filizit
Në djepe gdhendej lulja, pëllumbi, shqiponja
S’po rrinë të heshtur asnjë vit pa ninulla
“ U bafsh , o bir, si mentari Ibrahim Rugova!”
Uron Lokja me urimin që e përcjell kulla.
E krojet ta çurgojnë currilin e kaltër
E sofrat ta dhanë kafshatën e fundit të bukës
Në hapin e hedhur në ugarin e tokës së Bacës
Merrte bekimin gryka e vajosur e pushkës.
Kërkoj kërkoj ende me durim peshën e saktë
Kur ditët më ftojnë në festa e gaze pa fund
E ti vjen mes nesh me hapin tënd fitimtar
Kur gurgullojnë në gjokse ëndrra pa fund.