GRISHJA
(Poezi shkruar gjatë luftës tremujore në Kosovgë-1999)
Gjyshi më grishte
për dasmë të madhe
që trandë themelet e bëra keq.
Përqarjet ia dërmonin kurmin e tij
më shumë se shpata e bajlozit të zi.
Toka ime me etje të pashuara
për afri dhe ngrohtësi pranverash
një jetë të tërë në ngarendje
pas ngjyrave të ylberit
për këngën e mbetur peng
plasaritur
nga zjarmitë e kohëve të përdalta.
Rrëzëllimi përherë për pak na shpëtonte
nga komponimi final,
për një fije floku, siç thuhet
ngulfatej përthëkimi i dashurisë,
i hartave të lashtësisë,
amanetët s’pranin kurrë
për ruajtje të shpresës.
Në këtë mijëvjeçar të tretë të ri
dashuritë do t’i shtrëngojmë fortë në gji
himnizim zemre do t’i bëjmë
të gjithë tok,
atëherë themelet do të mbajnë
dhe hartat do të kenë tërësi,
atëherë do të kemi
frymim të plotë
në liri.
Poezi nga libri ”Kohë flakadanësh të lirisë”(i përkthyer edhe në anglisht)-Naxhije Doçi-Prishtinë-2012
NË SHTËPI GRUA E BURRË
Nënëmadhja – Gjyshja
e kujtimeve të mia të paharruara
portret i gëdhendur në etjen e dheut,
në shpirtin tim ikonë e adhurimit,
rini e pleqëri
nëpër pëllëmbën e flakëruar të frymimit.
Në shtëpi grua e burrë,
amanet në thellësi zemre stisur
nga bashkëudhëtari flakadan,
tërë barra e jetës mbi të.
Djemtë burgjeve të trishta ngujuar
vazhdimësi e trashëguar
për dritën e diellit
mjegulluar nga stuhitë e përdalta
të kohëve me shëmti sizifi mbarsur.
Deri te portat e avllisë
më përcolli
dhe më puthi në ballë
me këshillat fjalë-mjaltë:
Mos e harro premtimin e zotuar
për shkundje errësish të plagosura
dhe trasim shtigjesh të bardha
me vite ëndërruar!
Vallë!
Si mund ta them me fjalë
sa shumë për të kam mall?!
Poezi nga libri “Kohë flakadanësh të lirisë”(I pëekthyer edhe në anglisht) -Naxhije Doçi-Prishtinë-2012