PASKA QENË E THËNË ME NGELË, NE PA SHPIJA DHE JU PA KRENA.
Nga mesazhet në a_ashiku@yahoo,gr
Në se Lan Lura do të binte, kalimi nëpër Mirditë e Tirane për të arritur në Shkumbin do të ishte krejt i lehtë për armiqtë tanë, ata do të ishin pronarë të tokës e të detit tonë…
Të lumtë pena e njeri i mirë, o patriot, o vëlla.
Janë shqetësimet tua, të mijat dhe të ca të tjerëve nga ai takëm që po të kishin jetuan atë kohë do të ishin me siguri ushtarë të Elez Isufit, ndoshta edhe të rënë pas ndonjë guri, por me pushkën për syri.
Në të vërtetë kjo është lufta që ka zgjatur nja 9 vjet (jo disa ditë), ku një grusht malësorësh me zemër luani i gozhduan në vend e i lanë gërxheve nja 13 regjimente të ushtrisë së rregullt serbe, të pajisur me më se 100 topa e të komanduar nga oficerë madhorë të akademive ushtarake të kohës.
Triumfuan trimat e Dibrës, stërnipat e luftëtarëve që kishin luftuar krah Skënderbeut e kishin fituar me lavdi 18 herë vetëm në Dibër, por edhe jashtë saj. Fituan ata që shkollat dhe akademitë ushtarake i kryen këtu në Dibër në fushën e luftës. Fituan gjeneralët e veshur me shajak, të armatosur thjeshtë, por me zemër trimi që nuk u dhimbej fare jeta, që shkonin në luftë me këngë e daulle si në festë dhe me mendjen top siç do ti thoshte Elez Isufi një prijësi të lartë ushtarak serb në atë kohë: “Paska qenë e thënë me ngel ne pa shpija dhe ju pa krena”.
Njerëzit e sotëm dhe ata të nesërmit duhet ta dinë se ajo është lufta që shpëtoi Shqipërinë. Në se Lan Lura do të binte, kalimi nëpër Mirditë e Tiranë për të arritur në Shkumbin do të ishte krejt i lehtë për armiqtë tanë, ata do të ishin pronarë të tokës e të detit tonë…
Ajo luftë e ai heroizëm i pashoq e solli 9 nëntorin e 1921 dhe detyroi lidhjen e Kombeve që të mbante qëndrim.
Mesazhi i yt jo është i drejtë, por ulëritës. Ai duhet të ngrejë në këmbë çdo njeri që i thotë vetes dibran e shqiptar .
E ke bërë më mirë se ne të tjerët këtë punë, ke folur e ke shkruar mjaft dhe shpresoj të ju kenë dëgjuar të tjerët ashtu si unë.
Jemi treguar disi memecë deri sot.
Uroj të mos jemi edhe të shurdhët…
Të përqafoj si vëlla.
Nazmi Koçi
Tiranë, 5 tetor 2021