10.5 C
Tiranë
E mërkurë, 1 Prill 2026

NDUE DEDAJ

Opinion
MALËSORI, AS MITIK, AS MALOK
Nuk është aspak për t’u habitur që malësori jo gjithëhere është kuptuar në thelbin e vet. “Lahuta e Malësisë” nuk është ndaluar vetëm se autori i saj ishte një poet “reaksionar”, por dhe se sillte për herë të parë në letërsinë shqipe, në ato përmasa, “kultin” e malësorit, përmes një vargu portretesh fishtiane gdhendur në relieve shkrepash dhe malesh, si Oso Kuka, Marash Uci, Pater Gjoni, Tringa etj., të papranueshëm për internacionalen socialiste që predikonte një botë të re.Mund të jetë një imazh i natyra, qiell dhe mal
Naimi shkroi himnin e përjetshëm të kësaj toke, që nis me vargun proverbial “O malet e Shqipërisë e ju o lisat e gjatë…” Dhe Koliqi do ta barte kultin e maleve dhe të malësorit në prozat e tij, pa folur për shkrimet e autorëve të huaj si Durham etj. Nuk ka reshtuar as më vonë qasja letrare ndaj arketipit të malësorit apo dukurive malësore si kanuni, në romanin “Prilli i thyer” të Kadaresë etj. Jusuf Buxhovi, në romanin “Shënimet e Gjon Nikollë Kazazit”, përmes plakut Mic Shpendi, shpalos palcën e jetës shqiptare te mesjetës së vonë dhe profilin autentik të malësorit, i cili i përcillte si një testament vlerat themelore të etnosit shqiptar nga ati te biri: “Im atë, gjithnjë më thoshte, malësorët kanë dy palë mend: nji palë për jashtë e nji palë për mbrenda. Kur vinë në sheher (qytet), sillen si sheherjanë, ndërsa në malësi si malësor… Nuk janë mashtrimtarë, por as nuk mashtrohen…” Se në ç’lartësi mund të ngjitet një malësor që prek qytetërimin europian, mjafton të kujtosh Gjon Gazullin, Pal Engjëllin apo Pjetër Bogdanin. Se çfarë mund të bëjë një malësor për flamurin, kombin dhe atdheun e dëshmon Dedë Gjo Luli që e shpalli Pavarësinë nga maja e Bratilës në Deçiç që në prill të vitit 1911. Në kohë moderne është po një malësor në origjinë, Anton Çeta, që më 1990 mbledh në vendin e quajtur Verrrat e Llukës në Deçan të Pejës 500 mijë kosovarë për pajtimin e gjaqeve. Malet kanë qenë jo vetëm logu i burrave, por dhe i “Zhan D’Arkave” shqiptare, si Nora e Hotit, Shotë Galica etj., krahas granisë që vuajti shtypjen patriarkale, mishëruar në personazhe femërore të dlira si Lula e Fabian Barkatës, Dija e Haki Stërmillit, Hajria e Nazmi Rahmanit etj. Kemi dy anë të medaljes sa i përket femrës malësore, ndrydhjen dhe lartësimin. Mis Bjeshka, që organizohet vit për vit në Kelmend, nuk është një dukuri e re, por traditë e hershme që flet shumë për pozitën nderuese të femrës në malësi. Malësorët ngjanin me kreshnikët, por nuk ishin të atillë, kështu që nuk ka vend për mitizim të tyre. Ata ishin si gjithë të tjerët, bujq, barinj, druvarë, por ajo që i dallon është se ishin edhe prijës, kuvendarë, pleqnarë në bashkësinë ku rronin, nga shtëpia e vet, katundi e deri te krahina, çka i bënte fisnikë të aristokracisë së maleve. Në këtë kuptim termi malësor ishte status social.
Shqiptari autentik i maleve
Malet u kanë dhënë emrin e tyre trevave të tëra, si Malësia e Gjakovës, Malësia e Madhe, ashtu siç kemi male të pagëzuara me emra figurash historike: Mali i Skënderbeut, Mali i Çajupit etj. Kurse “Nëntë Malet e Dibrës” nuk shënojnë vetëm gjeografinë por dhe përkatësinë etnografike dibrane. Një autor austriak, jo aq i përkthyer tek ne, Walter Peinsipp, që i ka njohur nga afër shqiptarët këtu dhe në Kosovë dhe librin e tij kushtuar të drejtës tonë zakonore e quan “Populli i shqipeve të malit” (Një kontribut në “arkeologjinë” e Drejtësisë dhe antropologjinë sociologjike të Ballkanit), duke bërë fjalë për malësitë shqiptare, shkruan se ato “janë zemra e një popullsie dhe ruajtëse të një etnie”. (Peinsipp, 2005, 25.) Malësori është banori tipologjik i trevave malore, bile dhe i fushës, pasi fushat shpesh janë populluar nga malësorët që bashkë me ngulimet e reja i kanë mbartur për aty dhe zakonet e veta. Ata kanë ditur të bëhen në çdo kohë pjesë e qytetërimit dhe e qyteteve. Mjafton të vështrosh mbiemrat familjarë të qytetit të Shkodrës, ku llagapë si Hoti, Shllaku, Shkreli, Temali, Kastrati, Kraja, Xhuxha, Paluca etj. flasin për familje fisnike që kishin zbritur nga malesitë. Malësori nuk kishte shkollë, por kishte krijuar “shkollën” e odës e kuvendimit. Tjetër është mungesa e shkollimit dhe tjetër të jeshë i paqytetëruar. Se ishin idhëtarë të diturisë hapën shkolla në male në shekullin XVII në kulmin e agresionit otoman. Malësorët e Mirditës, Dukagjinit, Dibrës, Lumës, Elbasanit, Laberisë etj. krijuan kode vetëqeverisëse, ashtu si qytetet Shkodra e Drishti statutet e tyre. Qytetet e kanë bërë jetën në marrëdhënie me fshatrat dhe nuk ka pasur kurrë dasi qytet – fshat, jo vetëm se disa qytete të moçme kanë qenë ngritur në male, si Dalmacja, Voskopoja, Kruja etj., por dhe se qendra si Sapa, Rubiku, Pulti, Lisi (Mat), Oroshi ishin seli dioqezane/ ipeshkëvore apo abaciale, teksa Ndërfanda do të ishte për do kohë dhe seli e Shtetit të Arbërit. Dëshmi të qytetërimit të maleve janë qytezat e shuara ilire e mesjetare, manastiret, kalatë, fortifikatat, kullat, rrugët e karvaneve, urat e gurta, ujësjellësit antikë, minierat e bakrit, panairet (pazaret) etj. Mali dhe fusha ishin si dy gjymtyrë të të njëjtit trup. Heroi Kombëtar i përdori malet si prapavijë të ushtrisë së tij skanderbegiane, ku njërën këmbë e kishte poshtë në Albulenë dhe tjerën në kreshtat e Kurbinit. Nuk duam ta teprojmë, por ka anë ku qyteti mund të marrë mesime prej fshatit.
Krenaria shqiptare si virtyt
Malësori kurrë nuk fliste për vete, flisnin të tjerët për të. At Konrad Gjolaj (Tom Marku), në librin e tij “Çinarët” (1996) shkruan: “A kam të drejtë me u krenue se jam malësor?” dhe e le që përgjigjën ta japë lexuesi pasi të ketë mbaruar së lexuari librin, por paraprakisht tërheq vëmendjen: “Ata që i kanë vizitue e pa me sytë e tyne Bjeshkët e Namuna, nuk don me thanë se i njofin banorët e atyne viseve”. Ky është problemi. Duhen njohur malësorët për t’i dashur ata dhe jo paragjykuar. Frati, ndër të tjera, argumenton: “Shpesh harrojmë se edhe fort janë la me gjak ato maja, krepa e shpate, ato stane e shpella, ato troje e ledhe, për idealin me të cilin ka lind e ka vdekë me te në gji malsori ynë”. Për më tepër, është e trishtueshme që shteti shqiptar atdhetarët e vet i mbyti për së gjalli në shpellat e bjeshkëve, Bajram Currin më 1925 qeveria e Zogut, Dom Nikollë Gazullin më 1946 qeveria komuniste, vetëm se këta malësorë të iluminuar kishin idealin e përjetshëm të lirisë. Malësorët, siç shkruan Marin Bici më 1610, ishin mësuar të qëndronin në liri, të vetëqeverisur, në malet e veta përkundrejt sulmeve sllave, turke etj. Kjo është një krenari e ligjshme e gjithë shqiptarëve, edhe e krasniqasve, edhe e mirditorëve, edhe e vlonjatëve, edhe e skraparlinjve, edhe e suliotëve etj. Askush nuk i ka vënë në dyshim tiparet themelore të karakterit dhe ekzistencës së malësorit, si trimëria, nderi dhe besa, një trini vlerash e mjaftushme për të ndërtuar një shtet, jo më një individ apo një familje. Jemi kundër glorifikimit të figurës së malësorit, mitizimit, ashtu si dhe ndaj linçimit të tij si “malok”, çka shpreh mendësinë e një dore njerëzish që nuk e njohin botën e maleve në larminë dhe diversitetin e vet kulturor, pa ndodh që e përçmojnë atë. Kjo është e papranueshme dhe në rrugë, le pastaj në zyrat e shtetit. Malësorët nuk kanë nevojë për apologji në këtë rast, pasi ata e kanë mbartur mbiemrin Maloku dhe kur kanë shkuar me banim në Prishtinë e Tiranë. Në një studim gjuhësor për Gjakovën thuhet se “mbiemri Maloku është shumë i vjetër dhe familjet që mbajnë këtë mbiemër kanë prejardhje nga zonat e rrethit të Shkodrës dhe Ulqin-Tivarit. Fiset shqiptare të cilët shtriheshin në këto zona e quanin veten “malok”, gjë që na bën të kuptojmë se nuk ishte aspak emërtim ofendues”. Përndryshe, studiuesi i njohur i letërsisë Krist Maloki, profesor në Graz të Austrisë, do ta kishte ndryshuar së paku mbiemrin e tij. Migjeni mbetet poeti emblematik i maleve tona, me “Recital i malësorit” etj. Ai “mali që s’bëzan” (shteti) është shkaktari herët e vonë i varfërisë dhe mos-zhvillimit të malësive. Është mbase i vetmi rast që mali përdoret si një metaforë me konotacion negativ, duke nënkuptuar me të qeverinë. Martin Camaj është poeti i “përpajnimit” të bjeshkës, njerëzve, breshkës e gjarpërit në modernitetin poetik. Pa malin dhe tërmalen e teposhten e tij nuk do të kishim as “Mitin e Sizifit” si filozofi, që mund të jetë ngjizur në vetëdijen e Kamysë bash prej mundimeve të malësorëve të kësaj bote, që ndryshe nga ne që i kemi lëshuar malet gjatë këtij tranzicioni, ata i kanë prirë qytetërimit drejt maleve. Thoshte një ditë një bujkeshë në një ekran, nuk mund të ketë qytet modern pa fshat të zhvilluar dhe se Europa nuk na pranon pa i “punuar” dhe malet. Mali është vërtet rezervat të mirash materiale për qytetin, ama kur dhe ky i fundit i jep atij.
Malësorët, jo mikpritës të komunizmit
Ka ardhur koha që t’iu iket disa “tabuve” politike, kinse Lufta Nacionalçlirimtare ngadhnjeu kudo, ku do të mjaftonte vetëm masakra e Buzëmadhes (Kukës) për të thënë jo. Në vitin 1944 partizanët në malësitë e Veriut u mirëpritën si antifashistë e çlirimtarë, por jo si sjellës të komunizmit dhe kjo i bëri të padëshirueshëm për regjimin që erdhi, që u shpalli luftë me farë e me fis shtëpive të para, Kapidanit, bajraktarëve etj. Shumë figura atdhetare që kishin luajtur rol në shpalljen e Pavarësisë dhe mbrojtjen e trojeve nga fqinjët u ekzekutuan apo dënuan me burgime të gjata, si qytetari elbasanas Lef Nosi, si malësori kelmendas Prek Cali, si frati i njohur Anton Harapi, ngaqë ata nuk ishin me regjimin e ri. Kjo i keqësoi marrëdhëniet e qeverisë së Tiranës me malësorët. Mësuesit, mjekët, inxhinierët, agronomët dhe specialistë të tjerë që erdhën me shumicë nga viset jugore në ato veriore, u pritën si s’ka më mirë dhe kjo tregon mikpritjen e malësorëve, e cila qe refuzuar vetëm për ideologjinë komuniste dhe përhapësit e saj, natyrisht dhe nën ndikimin e klerit katolik që kishte propaganduar në popull mbi të këqiat e bolshevizmit. Malësorët nuk qenë dakord as me hyrjen në kooperativë. Ka individë që qenë vetëflijuar për këtë, pasi e dinin se po humbisnin pronën. Kjo kundërshti ka prodhuar kulakë dhe në malësi e jo vetëm në fusha. Po ashtu ata nuk ishin dakord me heqjen e institucioneve fetare, ndaj partia u hakmor ndaj tyre duke i quajtur traditat e vjetra “zakone prapanike dhe mbeturina fetare”?! Doemos, kishte plot gjera që duheshin ndryshuar në jetesën malësore, por kjo nuk mund të bëhej me revolucion ideologjik “me prerje kokash” të atyre që vazhdonin me qenë konservatorë, pa dashur të shndërroheshin në “njeriun e ri”. Prapambetja në jetën e malësive kishte të bënte me mungesën e infrastrukturës, ndalimin e pronës private dhe mospërfitimin ekonomik të fshatarit nga pasuritë e tij natyrore, të cilat dhe sot e kësaj dite i bën lesh e li shteti me myshtërinjtë e tij. Dihet që në male nuk kishte opera, teatër, kinema, biblioteka. Me shfaqje folklorike njëherë në katër vjet dhe me ca radio “Iliria” që iu dhuroheshin barinjve të dalluar në Malin e Thatë apo në Malin e Hekurave nuk mund të kishte progres të vërtetë kulturor. Kurse sot, falë teknologjisë digjitale nuk ka më dallim mes qytetit dhe fashtit, pasi ekrani i madh (televizioni) apo i vogël (ajfoni) ka shkuar dhe në stanin më të largët, ndonëse kultura masive e televizioneve në fundjavë e ka eklipsuar jo pak teatrin dhe artin e mirëfilltë. Mbyllja për gjysmë shekulli e malësorëve në rrethinën e tyre malore, pa i lejuar të lëviznin drejt qyteteve i dha “frytet” e veta shkatërruese, mbinë ferrat në çdo derë. “Keqkuptimi” me malet ka qenë dhe i vetë malësorëve, me kullat, trojet, bashtinat, që i braktisën masivisht në tre dekadat e fundit. Por duhet thënë se ka filluar të ketë një shikim tjetër të malësive, përherë e më shumë po vemi drejt maleve për investime në turizëm, hiking etj., ku mikpritja e malësorëve nuk është bjerrë. “Mali dhe deti” është sot formula e turizmit në Lezhë, Vlorë etj.
Malësori e lëshoi malin e vet për qytetin, se shkrepat i kishin mundësuar vetëm mbijetesën, sot ka njëfarë hutese të tij me u kthye prap atje (sigurisht jo më me pendën e qeve), kurse nesër prania e njeriut në male do të jetë luks, po që, sipas gjasëve, ato do t’i kenë fituar pasanikët e do t’i kenë humbur të zotët! Sot nuk mund ta prekësh “metrin katror” të banesave as në Kashar, nesër për qytetarin e thjeshtë ai do të jetë i pamundur në Theth e Lurë, Sotirë e Progonat…
NDUE DEDAJ
“””””””””””””””””””””””

Profesor Liman Varoshi, njeriu dhe historiani

Marsi i këtij viti mblodhi në bibliotekën e Universitetit të Elbasanit pedagogë, studiues dhe miq të profesor Liman Varoshit, pasi do të flitej rreth librit të tij “Dukuri dhe personalitete në albanologji”, me bashkautor Mustafa Kadzadej, botuar nga “Naimi” Tiranë. Promovimi ishte njëherësh dhe homazh në njëvjetorin e ndarjes nga jeta të profesor Limanit, historian dhe ish-rektor i këtij Universiteti. Jetëshkrimi i Liman Varoshit është i pasur dhe të kujton elitën e hershme elbasanase me plot dijetarë në zë, që patën krijuar “Normalen” e Elbasanit në vitin 1909, ku me të drejtë ai si rektor i pati njësuar fillimet Universitetit me ato të kësaj shkolle historike. Limani u lind në 15 nëntor 1958 në Elbasan, qytetin që e bënte “poet” kur fliste për të gjithë pasion e dashuri. Në vitin 1983 u diplomua për Histori-Gjeografi në Universitetin e Tiranës dhe punoi mësues në Mirditë, pastaj në shkollën e mesme të Belshit, metodist në Kabinetin Pedagogjik Elbasan deri në vitin 1991 kur do të emërohej drejtor i Muzeut Historik të rrethit. Në këtë periudhë nis dhe përfshirja e tij në jetën akademike si pedagog në Departamentin e Historisë të Universitetit “Aleksandër Xhuvani”. Në biografinë e tij shkruhet se fusha kërkimeve shkencore të profesor Limanit ishte historia e Ballkanit, historia bashkëkohore, historia e diasporës, duke qenë njëherësh edhe titullar i kurseve universitare të këtyre fushave. Ai ishte veçanërisht një studiues i zellshëm i historisë së Elbasanit dhe një nga njohësit më të mirë të kontributeve historike, politike dhe arsimore në dy shekujt e fundit të këtij qyteti. Fryt i punës së tij studimore është botimi i disa veprave në lëmë të historisë. Profesor Limani ligjëroi në disa universitete të vendit dhe të huaja, si atë të Tiranës, Tetovës, Pavia-s (Itali), Ludvig-Maximilian të Mynihut (Gjermani), Univerisitetin e Veliko Tërnovo-s (Bullgari) etj.

Profesor Liman Varoshi i përket elitës së re diturore elbasanase, vijuese e plejadës së ndritur që nis me Kristoforidhin e Dhaskal Todrin, për të vijuar me Lef Nosin e Et’hem Haxhiademin, Aleksandër Xhuvanin e Aleks Budën, Dhimitër Shuteriqin e Mahir Domin, Bedri Dedjen e Shaban Baxhakun, Kol Popën e Kol Papariston, Dhimitër Xhuvanin e Fatos Kongolin etj.

Në gjurmë të Lef Nosit dhe traditës elbasanase

Libri i fundit “Dukuri dhe personalitete në albanologji”, ndër të tjera, ndriçon veprimtarinë e rilindasve elbasanas dhe rolin e tyre në krijimin e shtetit shqiptar. Aty shkruhet se pavarësisht nga situatat, “elita politike e Elbasanit e kryesuar nga Aqif Pasha dhe rrethi i tij, Lef Nosi, Qemal Karaosmani, vëllezërit Dakli dhe shumë të tjerë në rezultanten e përgjithshme i qënduran konseguentë linjës së bashkëpunimit dhe mbështetjes së Ismail Qemalit dhe qeverisë së kryesuar prej tij”. (f. 105.) Në këtë monografi del mjaft mirë personaliteti i Lef Nosit, si intelektual i rendit të parë, sipas autorëve: “bartësi më autentik i treguesve qytetërues që ky mjedis (ai elbasanas – shënimi ynë) kishte krijuar përgjatë gjithë historisë së ngritjes dhe zhvillimit”, figura komplekse e të cilit trajtohet gjerësisht në kreun “Mbi trashëgiminë intelektuale dhe politike të Lef Nosit”, trashëgimi e pashoqe “në të gjitha fushat e kulturës kombëtare”, si koleksionist i fondeve dhe burimeve dokumentare, si fondkrijues i një thesaurus-i të arkivave të Shqipërisë, si personalitet me ndihmesa të vlefshme në etnologji, foklor, histori, arkeologji, orientalistikë, besim, arte pamore, letërsi, numizmatike, filateli etj. (f.155). Autorët, gjithashtu, e kanë rrokur figurën e Nosit edhe në rrafshin politik, duke sjellë në trajtë sintetike disa nga treguesit themelorë, të cilët përcjellin imazhin real të tij, një shqyrtim për mendimin tonë me mjaft interes. Veprimtaria politike e Lef Nosit, shkruajnë ata, nuk mund të shkëputet nga ajo e personaliteteve të tilla sikurse ishin Ismail Qemal Vlora, Aqif Pashë Elbasani, Luigj Bumçi, Luigj Gurakuqi, Mehdi Frashëri, Mit’hat Frashëri etj. (f. 170). Përmes kësaj përmbledhjeje me studime historike, lexuesi njihet me kontribute të vyera shkrimore, studimore të Margaret Hasluck, Mitrush Kutelit, Mehdi Frashërit, Xhafer Belegu etj. Meritë e autorëve Varoshi dhe Kadzadej është se ngjarjet historike të periudhës së Pavarësisë, Luftës së Dytë etj. dhe rolin e disa prej protagonistëve në to i vështrojnë në mënyrë kritike, duke e pasuruar mendimin historiografik rreth tyre.

Dhjetë vjet më parë më 2012, Liman Varoshi i kushtoi një monografi europeizmit si mënyrë të menduari dhe lëvizje politike. Sa dimë ishte hera e parë që një temë e tillë rrokej gjerësisht dhe thellë nga një autor shqiptar, çka e bëri dyfish të mirëpritur këtë botim, me shpresën se tashmë librat e kësaj natyre do të ndikonin edhe në kultivimin e një tjetër sjelljeje politike te ne. Asokohe, në njërën nga të përditshmet, patëm shkruar: “Ky studiues i përkushtuar, që vjen nga bota akademike, i ka bërë një skaner zhvillimit politik, ekonomik dhe demokratik të Europës e Amerikës, qysh nga Lufta e Dytë Botërore, duke u ndalur në idetë, nismat, lëvizjet dhe projektet e realizuara përgjatë gjithë epokës së Luftës së Ftohtë. Ai shkoqit në mënyrë të veçantë rolin e Detantës si përshpejtuese e zhvillimeve pozitive në marrëdhëniet ndërkombëtare, “shkrirjen e akujve” ndërmjet shteteve etj… Liman Varoshi është tashmë një specialist për çështjet e Ballkanit, Europës, pasi në pak vite ka botuar edhe librat studimorë: “Ballkanet mes tri perandorive” dhe “Lufta e Ftohtë në Europën e Lindjes”, duke e çuar në tre numrin e monografive kushtuar zhvillimeve historike dhe bashkëkohore europiane. Në veprat e tij spikat stili i drejtpërdrejtë dhe analitik i të shkruarit, i parënduar me “akademizma”, duke i bërë ato sa shkencore për studentët dhe rrethet akademike, aq dhe të lexueshme nga publiku”.

Veprimtaria e tij akademike u ndërpre në kulmin e karrierës dhe tashmë për botimet, dorëshkrimet dhe arkivin e tij kujdesen kolegët e Departamentit të Historisë dhe bashkëshorja Ela, gjithashtu pedagoge në Univesritetin e Elbasanit.

Dy vitet e Limanit në Mirditë dhe një intervistë e tij

Qemë njohur herët me Limanin, kur sapo kishte mbaruar studimet dhe ende nuk i peshonin gradat universitare, por shihej nga rezultatet e larta dhe bisedat me të se e ardhmja e tij ishte historiografia, krahas mësimdhënies, dhe pse rruga nuk do të ishte pa pengesa. Erdhi në Mirditë në vjeshtën e vitit 1982 dhe nuk di pse hyri dhe mbeti tek unë si njeriu i Ditës së Verës, mbase ngaqë i telefonoja gjithmonë në këtë ditë, apo se Limani kishte një verë të përjetshme në shpirt. Shërbeu si mësues histori-gjeografie në Simon dy vite 1982-1984, duke lënë gjurmë të pashlyera tek nxënësit, kolegët dhe banorët.

Hynte në shtëpitë e fshatit, i pëlqente të dëgjonte të moshuarit, sidomos kur ata vargëzonin pemën e origjinës familjare dhe të “fisit” që ndonjëherë vente deri në pesëmbëdhjetë brezni. Prindër të fëmijëve që ai mësonte ishin dhe minatorët e Qafë-Vorrëzit, ku ai vente shpesh, pasi aty ishte dhe Postë-Telegrafa nga ku lidhej me familjen. Kur Limani erdhi arsimtar në Simon, si të ishte “këmbyer” me Ndue Kanarin, një inxhinier të ri ekselent vendas, emëruar në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve Metalurgjike në Elbasan, për të shkuar më pas për specializim në Francë, ku sot është shkencëtar pranë Universitetit të Lorenës.

Limani fliste me mirësi për shokët e tij të Fakultetit Histori-Filologji, Tiranë, që i kishte përzemër. Por nëse ai nuk qëndroi gjatë mes mirditorëve, duke u kthyer në vendlindjen e tij, në Elbasan, miqësia jonë nuk u shua asnjëherë. Për më tepër, njohja u bë familjare, shkonim e vinim te njëri-tjetri, sidomos në promovime librash etj. Limani u bë rektor i Universitetit të Elbasanit, për shumë vite, por asnjëherë nuk u “ngurtësua” nga posti, mbeti po ai, i qeshur, i ditur, njerëzor, me një kujtesë brilante, që dhe pas dyzet vitesh të pyeste me emër e mbiemër për të njohurit e tij të dikurshëm në zonën e Kaçinarit.

Vite më parë është botuar një libër me intervista për Mirditën nga autorë bashkëkohorë, ndër të cilët ishte intervistuar dhe Limani, i cili pati shkruar: “Unë kalova disa vite të rinisë sime në Mirditë, më saktë në fshatrat e saj. Në vitet kur unë u emërova atje, tek brezat universitarë ekzistonte një panik në lidhje me emërimet në rrethet e Veriut. Dihej mirë se Shqipëria s’qe e zhvilluar në mënyrë të barabartë, pavarësisht se propagandohej e kundërta. Nëse ju kujtohet, një vajze dropullite që erdhi e emëruar në Mirditë si mësuese dhe u martua me një djalë vendës iu bë shumë bujë në shtyp, pikërisht për të hequr këtë panik nga mendjet e këtij brezi. Unë nuk mund të them se e prita me dëshirë këtë emërim, do të ishte hipokrizi. Kisha mbaruar me një mesatare të lartë, më ishin bërë premtime për punë në katedrën e historisë në Universitet, kështu që prisja një emërim më vlerësues për mua. Më vlerësues, në kuptimin që të kisha mundësi të jepja më shumë. Ndryshe është në një katedër e ndryshe në një shkollë fshati. Megjithatë, pa dashur të mburrem, nuk bëra si disa, që mbeteshin zyrave të shtetit të asaj kohe, duke u lutur, por erdha në Mirditë dhe fillova punën. Shumë përshtypje më ka bërë komunikimi midis njerëzve, pasuria etnografike në të folur dhe ritet e mikpritjes. Unë çuditesha kur në një sofër mirditore dollia niste me “Qoftë lëvdue Jezu Krishti!”, në një kohë që feja ishte e ndaluar. Diçka tjetër që më ka lënë mbresa ka qenë rituali mortor që kam parë në këtë krahinë, e më konkretisht në zonën e Kaçinarit. Nuk më ka ndodhur të kem qenë i pranishëm në ceremonitë e dasmave, por në dy-tri raste kam qenë i pranishëm në ceremoni mortore. Aty kam parë t’i bëhej nderim i madh personit që gëzonte një reputacion publik në shoqërinë mirditore, kryesisht për shkak të urtësisë e mençurisë që kishte reflektuar në marrëdhënie me komunitetin dhe më gjerë. Për më tepër, kur ky status gërshetohej edhe me atë fisnor, nderimi i kalonte përmasat edhe të krahinës. Një nderim i tillë madje e tejkalonte nderimin që i bëhej një personi që zinte një pozicion të caktuar në hierarkinë partiake dhe shtetërore të kohës. Do të doja sërish t’i vizitoja këto vende që më zgjojnë kujtime të bukura, por, për fat të keq, ngarkesa e punës nuk më lejon të vij aq shpesh sa ma do zemra”. (Gjon Marku, “Antologji e mendimit bashkëkohor për Mirditën”, II, Tiranë 2014.)

_____________

Post Skriptum: Gjysma tjetër e intervistës së tij është një kushtim personal për miqësinë tonë, ndaj nuk e bëmë pjesë “zyrtare” të shkrimit, por nuk na u duk e arsyeshme as t’ia “fashihnim” lexuesit, jo vetëm se ajo është botuar më parë, porse tregon se si ai i receptonte fillimet krijuese të një miku dhe si e mbështeste atë.

Pyetje: Ju keni ardhur në Shkodër në promovimin e librave të Ndue Dedës, organizuar nga Biblioteka “Marin Barleti” e këtij qyteti – a do të thotë kjo se vazhdoni t’i mbani lidhjet me Mirditën edhe pas 30 vitesh nga koha kur ishit atje me punë?

Përgjigje: “Ndue Dedaj është një prej miqve që më pritën në Mirditë, në fillim të viteve ’80, një mik që unë e çmoj shumë, dhe nuk mund të mos merrja pjesë në promovimin e librave të tij, jo në Shkodër, por dhe në majë të malit të Munellës po të bëhej. Predispozitën dhe pasionin për të shkruar të Ndues fatmirësisht unë e vërejta pikërisht në vitet që punonim bashkë. Më bënte përshtypje thellësia e mendimit që reflektohej jo vetëm në biseda, por edhe në mënyrën e tij të të shkruarit. Për më tepër unë shquaja tek ai një lloj romantizmi në shkrime, sa shpesh i thosha me humor “Je një romantik i pandreqshëm”. Madje mendimin tim për shkrimet e Ndue Dedës nuk ngurrova t’ua thosha atëherë dhe miqve të mi të afërt, Shaban Sinani e Teodor Keko. Mbaj mend që Shabani i pati shkruar një letër simpatike, me shkrim dore, me konsiderata për poezitë e tij, që kishte lexuar në shtypin letrar, kurse Dori, që nuk ndodhet më mes nesh, në takimin që patëm me Nduen, i foli atij me vlerësim për reportazhet nëpër gazeta dhe i sugjeroi t’i botonte patjetër, si dhe shkrimet letrare. Bëhej fjalë për krijime në formën e skicave, eseve, ku artistikisht pasqyrohej historia e trevës së Mirditës e më gjerë, pasuria shpirtërore e këtij populli, që më pas u bë mbizotëruese në librat e tij. Aftësia e tij krijuese karakterizohej jo vetëm nga letrarësia e spikatur, por në jo pak raste ai, si publicist, dëshmonte se ishte i zoti edhe për shkrime të gazetarisë më profesionale. Dhe ja ku pas shumë kohësh, unë erdha në Shkodër dhe fola me admirim për librat e tij, si “Toka e katedraleve”, “Kanuni mes kuptimit e keqkuptimit” etj. Njohja dhe miqësia me Nduen ishin një ndër arsyet që vitet e qëndrimit tim në Mirditë i kam në kujtesë të gjalla”.

Gjin Musa
Gjin Musahttp://dritare.info/
Dritare.Info Gjin Musa, Botues
Shkrimet e fundit
Lajme relevante

LINI NJË PËRGJIGJE

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem, shkruani emrin tuaj këtu

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.